ANALIZË: Pritet që inflacioni dhe presioni i çmimeve të vazhdojë të rritet në RMV

Ndërsa statistikat në nivel mujor, në mars, matën inflacionin në “zonën negative”, vlerësimet e reja të ekspertëve tregojnë se presioni i çmimeve do të vazhdojë të rritet këtë vit. Anketa e re për pritjet e inflacionit e kryer nga BPM-ja tregon se ekonomistët presin një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të inflacionit. Nga ana […]

Prill 21, 2025 - 08:00
 0  4
ANALIZË: Pritet që inflacioni dhe presioni i çmimeve të vazhdojë të rritet në RMV
Flamujt në shitje, foto nga Portalb.mk

Ndërsa statistikat në nivel mujor, në mars, matën inflacionin në “zonën negative”, vlerësimet e reja të ekspertëve tregojnë se presioni i çmimeve do të vazhdojë të rritet këtë vit. Anketa e re për pritjet e inflacionit e kryer nga BPM-ja tregon se ekonomistët presin një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të inflacionit. Nga ana tjetër, statistikat në muajin mars matën inflacion negativ në bazë mujore, por çmimet e disa produkteve, kryesisht të atyre bujqësore, mbetën edhe më tej në nivele të larta, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Norma mesatare e inflacionit këtë vit 3.7%

Tremujori i parë ekonomik u mbyll nën rreziqe ekonomike për shkak të pasigurisë së “luftës tregtare” tashmë të hapur dhe recesionit që po troket në derën e partnerit tonë më të rëndësishëm tregtar, Gjermanisë. Tensionet e reja tregtare dhe doganore midis ekonomive më të mëdha në botë po reflektohen tashmë në ekonominë globale – ngadalësim i investimeve, mbyllje fabrikash, ulje e porosive, rritje e papunësisë.

Analistët ekonomikë në Anketën e re të BPM-së theksojnë se të gjitha këto rreziqe nënkuptojnë pasiguri që do të ndikojë kryesisht në rritjen ekonomike. Sipas vlerësimeve të reja të ekonomistëve, rritja e PBB-së këtë viti do të ngadalësohet në 3,1%, për dallim nga anketa e mëparshme, në të cilën ata deklaruan pritshmëri më të larta për rritje ekonomike.

“Të anketuarit presin rritje ekonomike prej 3,1% për këtë vit (3,3% në anketën e mëparshme) dhe 3,5% për vitin 2026 (3,7% në anketën e mëparshme).

“Për vitin 2027, rritja pritet të përshpejtohet dhe të arrijë në 3,8%,” thuhet në Anketën e re.

Nga ana tjetër, parashikimet e reja të analistëve ekonomikë flasin për rritje të inflacionit krahasuar me vlerësimet e dhëna në Anketën e mëparshme, shkruan Portalb.mk.

Perime në treg, foto nga Portalb.mk
Perime në treg, foto nga Portalb.mk

“Të anketuarit vazhdojnë të presin ngadalësim të mëtejshëm dhe stabilizim gradual të inflacionit në periudhë afatmesme. Megjithatë, rruga e ngadalësimit të pritshëm sipas kësaj Ankete është më e moderuar. Kështu, për vitin 2025 ata presin një normë mesatare të inflacionit prej 3,7% (3% në Anketën e mëparshme), e cila do të ulej në 3,1% në vitin 2026 (2,5% në Anketën e mëparshme). “Në periudhë afatmesme, për vitin 2027, të anketuarit presin që norma mesatare e inflacionit të stabilizohet dhe të ulet në 2,7%” – parashikojnë analistët e anketuar ekonomikë.

Inflacioni mujor “negativ” – çmimet e tregut “nuk dorëzohen”

Në mars të këtij viti, krahasuar me shkurtin, norma e inflacionit ishte -1,3%, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kostot e jetesës janë rritur për 4,2%. Sipas matjeve të reja statistikore, në bazë mujore ka ulje të kostove të jetesës në të gjitha grupet, te buka, qumështi, produktet e qumështit, mishi, sheqeri, përveç frutave ku kostot e jetesës janë rritur për 3,8%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në grupin e produkteve ushqimore bazë, në bazë mujore ka një ulje më të madhe të kostove për mishin, qumështin, madje edhe për vajrat, por krahasimi në bazë tremujore tregon rritje të mëtejshme të çmimeve. Për shembull, vetëm për vajrat dhe yndyrnat, kostot e jetesës janë rritur për mbi 11%, kurse për qumështin, djathin dhe produktet e qumështit për gati 6%, shkruan Portalb.mk.

Edhe të dhënat e fundit për indeksin e çmimeve të bujqësisë tregojnë “presion të mëtejshëm të çmimeve”. Në shkurt, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve (dalëse) të prodhimit bimor u rritën për 9,7%, e veçanërisht për perimet për 11,9%, për verërat 13,7%, dhe për frutat dhe rrushin për 4,9%.

Qeveria vlerësoi se ulja e inflacionit në mars ishte rezultat i masave për ngrirjen e marzhave dhe çmimeve.