Nga një muaj paraburgim për pesë policët e përfshirë në rastin e Agon Zejnullahut
Lipjan- Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit për pesë policët e përfshirë në rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq pas arrestimit. Të njëjtit po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Masa e sigurisë u


Lipjan- Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit për pesë policët e përfshirë në rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq pas arrestimit.
Të njëjtit po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Masa e sigurisë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të 7 korrikut në Lipjan, pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se rasti i vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis. Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të thellë për rastin.
Për rastin reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cili ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut në Lipjan i cili ndërroi jetë pas arrestimit, duke të marrë dënimin e merituar.
Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se të hënën është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu, por që raporti preliminar i këtij rasti ende nuk është dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
