Nikollovski nga Kuvendi studentor i UKM-së: Gjatë zbatimit të masave të qeverisë për studentët duhet të konsultohen organizatat studentore
Trupi Kombëtar Studentor (TKS) dhe Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (KSU UKM), nuk janë konsultuar në lidhje me masën e vauçerëve për pajisje elektronike, të cilën e ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk. Kështu thotë në një intervistë për Meta.mk, president i KSU UKM dhe kryetar i TKS-së, Aleksandar Nikollovski. […]
Trupi Kombëtar Studentor (TKS) dhe Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (KSU UKM), nuk janë konsultuar në lidhje me masën e vauçerëve për pajisje elektronike, të cilën e ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
Kështu thotë në një intervistë për Meta.mk, president i KSU UKM dhe kryetar i TKS-së, Aleksandar Nikollovski. Ai thotë se organizatat studentore nuk e dinë se sa kanë zgjatur analizat dhe si kanë ardhur në përfundim se të gjithë studentët kanë nevojë për pajisje elektronike.
Vauçerët 250 euro për blerjen e pajisjeve digjitale për të gjithë studentët në vend është masa e parë që qeveria aktuale shpalli për studentët.
“Ne si KSU UKM dhe Trupi Kombëtar Studentor besojmë se duhet të mirëpresim të gjitha masat që kanë të bëjnë me studentët dhe kanë për qëllim përmirësimin e standardit studentor, por gjithashtu besojmë se gjatë zbatimit të masave të tilla duhet të konsultohen edhe organizatat studentore. Duhet bërë një analizë e caktuar – cila është nevoja për pajisje elektronike, a kanë nevojë të gjithë studentët për pajisje dhe sa do të përmirësojë kjo standardin e tyre për dallim nga momentet e tjera kur nuk i kanë ato”, thotë Nikollovski.
“Këtu p.sh., konviktet e studentëve nuk kanë internet cilësor. Ndodh që pas dhjetë ditësh të mos ketë mjaftueshëm internet në konviktin studentor “Pellagonia”. Dhe tani studentët do të marrin pajisje elektronike, e konvikti nuk ka mjete për internet – për çfarë do t’i përdorin ato pajisje kur u nevojitet interneti?”, shton presidenti i KSU UKM.
Nikollovski thotë se gjatë zbatimit të masave për përmirësimin e standardit të studentëve, të gjithë palët e interesuara duhet të ulen së bashku në tryezë – organizatat studentore, të rinjtë e partive politike, Klubi parlamentar për Çështje dhe Politika Rinore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Qeveria.
“Kjo është e nevojshme për të sjellë një zgjidhje nga e cila do të përfitojnë të gjitha palët dhe të gjitha kategoritë dhe grupet, veçanërisht të pambrojturit, sepse ata janë ata që kanë nevojë më së shumti mjete financiare dhe mbështetje”, thotë Aleksandar Nikolovski.
Në intervistën për Meta.mk, Nikollovski flet edhe për praktikat korruptive të UKM-së, iniciativën për arsim të lartë falas, gjendjen në konviktet e studentëve dhe Ligjin për standarde rinore.
Intervista e plotë do të publikohet të dielën, më 17 nëntor, kur festohet Dita Ndërkombëtare e Studentëve.