Një kopsht në Butel diskriminoi një fëmijë 5-vjeçar me autizëm, nëse nuk e regjistron menjëherë do të dërgohet në gjykatë
Kopshti “11 Tetori” nga komuna Butel i Shkupit ka refuzuar regjistrimin e një fëmije 5 vjeçar me aftësi të kufizuara, përkundër faktit se Shtëpia e Shëndetit Shkup – Shërbimi për Vlerësimin Funksional të Fëmijëve dhe të Rinjve ka dhënë konstatim dhe mendim se ai duhet të marrë mbështetje në zhvillimin psiko-fizik pikërisht në këtë kopsht, […]
Kopshti “11 Tetori” nga komuna Butel i Shkupit ka refuzuar regjistrimin e një fëmije 5 vjeçar me aftësi të kufizuara, përkundër faktit se Shtëpia e Shëndetit Shkup – Shërbimi për Vlerësimin Funksional të Fëmijëve dhe të Rinjve ka dhënë konstatim dhe mendim se ai duhet të marrë mbështetje në zhvillimin psiko-fizik pikërisht në këtë kopsht, transmeton Portalb.mk.
Në fakt, kopshti nuk i është përgjigjur kërkesës së prindit të paraqitur në gusht të vitit të kaluar, pas së cilës ai ka bërë ankesë në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Në denoncim babai ka deklaruar se fëmija është regjistruar në një kopsht në Shuto Orizar, por nuk është pranuar dhe integruar aty. Nga aty kanë kërkuar regjistrimin në “11 Tetori”, sipas rekomandimit edhe të ISHP Shtëpia e Shëndetit Shkup”. Por nuk morën përgjigje.
Kur babai ka shkuar personalisht për informacion, në “11 Tetori” e kanë gënjyer se nuk kanë marrë një kërkesë të tillë dhe më pas i kanë dërguar përgjigje (mbrojtje) Komisionit se kanë një numër të madh fëmijësh, nuk kanë personel, ndalohej regjistrimi i fëmijëve nga komunat e tjera, etj.
KPMD kujton Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila është pjesë e sistemit juridik të vendit tonë, e cila thotë se “fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore përballen me vështirësi dhe pengesa serioze për të gëzuar plotësisht të drejtat e garantuara nga Konventa”. Vështirësia nuk është vetë aftësia e kufizuar zhvillimore e fëmijës, por një kombinim i pengesave sociale, kulturore dhe fizike me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore në jetën e tyre të përditshme”.
Komisioni për të Drejtat e Fëmijëve ka deklaruar se e drejta për mosdiskriminim është një e drejtë kyçe për fëmijët me aftësi të kufizuara.
KPMD në këtë çështje citon edhe nenin 24 të Konventës, i cili thotë se shtetet nënshkruese (siç është Maqedonia) njohin të drejtën për arsimim të personave me aftësi të kufizuara, duke u mundësuar atyre të drejtën për përfshirje, pa asnjë diskriminim.
“Një sistem gjithëpërfshirës i arsimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës synon zhvillimin e plotë të potencialit njerëzor dhe ndjenjën e dinjitetit dhe respektit për veten, si dhe zhvillimin e personalitetit, talentit dhe krijimtarisë së personave me aftësi të kufizuara, aftësive të tyre mendore dhe fizike deri në masën e plotë të potencialit të tyre, me qëllim që të sigurohet që këta njerëz të marrin pjesë efektivisht në një shoqëri të lirë”, citon Komisioni për Diskriminim përse e ka marrë vendimin kundër kopshtit, por edhe për të kujtuar se çfarë duhet të mbajë në mend çdo punonjës dhe drejtor në institucionet edukative-arsimore, si dhe çdo kryetar komune.
Komisioni me datë 15 korrik (5 ditë më parë) ka dhënë mendim se: “Vërtetohet diskriminim mbi bazën e paaftësisë mendore dhe fizike dhe gjendjes shëndetësore, i kryer nga IPKF “11 Tetori”-Butel, ndaj djalit të mitur të parashtruesit të ankesës nga Shkupi”.
Në të njëjtën ditë Komisioni ka rekomanduar që në afat prej 30 ditësh të regjistrohet fëmija, të respektohen rekomandimet për të nga Qendra shëndetësore e Shkupit dhe t’i ofrohet përkrahja e nevojshme fëmijës në përputhje me moshën dhe nevojat e tij. Në të ardhmen kopshti nuk duhet të shkelë rregullat ligjore për ndalimin e diskriminimit.
Nëse kopshti nuk vepron sipas rekomandimeve, Komisioni do ta paraqesë në gjykatën kompetente.