“Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, familjarët e viktimave të Koçanit marshojnë për drejtësi në Shkup

“Falje nuk ka, drejtësi për engjëjt tanë patjetër të ketë”, “Nuk do të ketë aq shumë gjak, nëse gjithçka është sipas ligjit. Kërkojmë përgjegjësi!”, “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, “Përgjegjësia selektive, është papërgjegjësi”, janë disa nga pankartat që mbanin në duar familjet e të […]

Prill 29, 2025 - 14:00
 0  5
“Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, familjarët e viktimave të Koçanit marshojnë për drejtësi në Shkup
Familjet e viktimave të Koçanit në marshin për drejtësi në Shkup. Foto: Xhenis Sulimani/Portalb.mk

“Falje nuk ka, drejtësi për engjëjt tanë patjetër të ketë”, “Nuk do të ketë aq shumë gjak, nëse gjithçka është sipas ligjit. Kërkojmë përgjegjësi!”, “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, “Përgjegjësia selektive, është papërgjegjësi”, janë disa nga pankartat që mbanin në duar familjet e të ndjerëve nga tragjedia e Koçanit gjatë marshit që po mbahet në Shkup, si simbol i reagimit të vonuar, transmeton Portalb.mk.

Ata akuzojnë prokurorinë se është e partizuar. Kërkojnë mbështetje nga te gjithë për marsh dhe protesta jo vetëm nga Koçani. Ata shprehen se nuk u besojnë institucioneve, drejtësisë në vendin tonë, e posaçërisht Prokurorisë.

“A është ky personi këtu brenda, i ashtuquajtur prokuror publik vetëm për nevojat partiake. Ne qytetarët ua kemi blerë kolltuket ku po qëndrojnë dh ei paguajm me mijëra euro, ata nuk janë shteti, ne jemi shteti. A kanë bërë ata revizion para pasardhësve të tyre, çfarë funksiononte e çfarë jo. A është burgosur dikush?. Këtu nuk ka drejtësi”, deklaroi Vlladimir Apostollov njëri nga familjarët e viktimave të Koçanit.

Një pjesë e familjarëve, me ftesën e Prokurorisë kanë hyrë të informohen mbi rrjedhën e hetimit. Sipas planit, marshi, nga Prokuroria duhej të vazhdonte në sheshin e qytetit në Shkup dhe do të përfundojë para Kuvendit të Maqedonisë, megjithatë tani për tani, pasi që familjarët kanë hyrë për bisedë në Prokurori, nuk dihet se si do të rrjedhë marshi, do të përfundojë aty, apo do të vazhdojë siç ishte paraparë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”  lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.