Osmani pranon urime për 17-vjetorin e pavarësisë edhe nga Shqipëria, Zvicra, Çekia dhe Kuvajti
Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar një mori urimesh nga liderë të shumtë të shteteve të ndryshme të botës. Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se Osmani pranoi urime edhe nga homologu i saj shqiptar, Bajram Begaj, nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, presidenti i Republikës së Çekisë, Petr Pavel, si dhe princi


Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar një mori urimesh nga liderë të shumtë të shteteve të ndryshme të botës.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se Osmani pranoi urime edhe nga homologu i saj shqiptar, Bajram Begaj, nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, presidenti i Republikës së Çekisë, Petr Pavel, si dhe princi i kurorës së Kuvajtit, Sabaj Khaled Al-Hamad Al Sabah.
Begaj në urimin e tij ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti të pavarur, sovran dhe demokratik.
Begaj ka vlerësuar faktin që Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon, duke theksuar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Ai ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve “si dy shtete të një kombi me një të ardhme të përbashkët euroatlantike”.
Ndërkaq, në mesazhin e saj, Keller-Sutter ka shprehur kënaqësinë dhe urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e ngushta dhe të larmishme në mes dy vendeve.
Sipas presidentes zvicerane, këto marrëdhënie do të thellohen edhe më tej në vitet në vazhdim, duke u udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri.
Pavel ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik. Ai ka shprehur besimin e tij se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses, duke u bazuar në miqësinë dhe përkushtimin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe stabilitetin rajonal.
Kurse, princi i Kurorës së Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, duke potencuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve, është shprehur: “Me këtë rast ju përcjell urimet më të mira për shëndet të plotë e lumturi për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj mik, zhvillim e prosperitet të mëtejshëm”.