Osmani: Sportistët hapën dyer për Kosovën që si hapi askush nga politika
Në një intervistë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë e saj për sportistët kosovarë që po përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Presidentja vuri në pah sakrificën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të sportistëve dhe trajnerëve të tyre, të cilët kanë punuar me vendosmëri për të arritur këtë nivel të lartë […]
Në një intervistë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë e saj për sportistët kosovarë që po përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Presidentja vuri në pah sakrificën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të sportistëve dhe trajnerëve të tyre, të cilët kanë punuar me vendosmëri për të arritur këtë nivel të lartë të konkurrencës.
“Vazhdimisht është një atmosferë e fitores, me të drejtë, për shkak se sportistët tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë. E gjithë përgatitja e tyre ka kërkuar një sakrificë të madhe, të cilën e dëshmon secili prej tyre dhe trajnerët e tyre. Tani natyrisht duhet edhe pak fat dhe jam e bindur se ata do ta përfaqësojnë Kosovën me nder, do ta ngrisin flamurin e shtetit tonë sa më lart dhe do të tregojnë edhe njëherë shpirtin luftarak dhe qendrestar të popullit tonë”, tha presidentja për RTK-në.
Ajo veçoi boksieren Donjeta Sadiku, e cila sonte fillon ciklin e garave për Kosovën në boks. Donjeta, e njohur për fitimin e një numri të madh të medaljeve në boks, ka një mundësi të jashtëzakonshme për të treguar veten edhe në garat olimpike.
“Donjeta ka fituar një numër të madh të medaljeve në kategori të ndryshme, por edhe tani në garat olimpike është një shans i jashtëzakonshëm që ta tregojë veten dhe jam e bindur që do të dalë shkëlqyeshëm”, shtoi Osmani.
Duke folur për rolin e saj si mbështetëse e sportistëve dhe për faktin që në Olimpiadën e kaluar në Tokio kur ishte e pranishme sportistët kosovarë fituan dy medalje olimpike, presidentja tha: “Nuk mendoj se unë ju sjelli fat, ju sjell fat puna e tyre, por përkrahja në asnjë moment nuk ju mungon. Jemi këtu që t’u japim motiv e përkrahje sportistëve tanë sepse vërtet e meritojnë”, tha tutje e para e shtetit.
Presidentja gjithashtu vlerësoi kontributin e sportistëve në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Sportistët kanë hapur dyer për Kosovën që nuk ka arritur t’i hapë askush nga politika dhe përmes kësaj kanë dhënë mesazhin më të mirë për rininë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe për këtë arsye e meritojnë çdo lëvdatë dhe çdo përkrahje nga çdo qytetar i Kosovës”, nënvizoi Osmani.
Presidentja shprehu nderin e saj për të qenë së bashku me përfaqësuesit e tjerë nga Kosova për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për sportistët. Ajo nënvizoi se rezultatet e arritura janë fryt i punës, sakrificës dhe përkushtimit të tyre dhe trajnerëve të tyre.