Pa ASh-në e Taravarit Maqedonia e Veriut drejt një qeverie që rrezikon legjitimitetin e shqiptarëve
Vetëm nëntë deputetë shqiptarë do të mbeten në shumicën parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit del nga Qeveria, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e përfaqësuesve të shqiptarëve në qeveri, koalicionin VLEN. Me daljen e pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në opozitë, së bashku me 16 deputetët […]


Vetëm nëntë deputetë shqiptarë do të mbeten në shumicën parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit del nga Qeveria, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e përfaqësuesve të shqiptarëve në qeveri, koalicionin VLEN. Me daljen e pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në opozitë, së bashku me 16 deputetët shqiptarë të Frontit Evropian, në opozitë do të jenë 21 deputetë shqiptarë. Daljen e Taravarit, nga qeveria e kanë komentuar krerë të qeverisë, por edhe njohës të çështjeve politike, shkruan Portalb.mk.
Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë, për më pak se një vit qeverisje me VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN, ka përfunduar se qeveria e re nuk e solli ndryshimin që e kanë pritur shqiptarët.
“Qeveria disi u humb në rrugën drejt BE-së. Situata në administratën shtetërore e shihni, ka një margjinalizim të jashtëzakonshëm dhe tendenca që shqiptarët të margjinalizohen dhe ASH-ja ka vendosur që nesër ose pasnesër që në organet partiake të vendoset me dinjitet, kur krejt vrapojnë për të hyrë në Qeveri ne jemi mësuar të dalim prej Qeverie. Dalim prej Qeverie për t’u rikthyer më fuqishëm sidomos në pushtetin lokal e mandej edhe në pushtetin qendror. Dëshirojmë që kur jemi në Qeveri të mos jemi kukull. S’mund ta lejojmë këtë, ose do të jemi si duhet, ose më mirë mos jemi në Qeveri, sepse nuk dua që aktivistët të mendojnë se ne jemi akomoduar atje dhe nuk mendojmë për shqiptarët. Nuk mund t’i punësojmë, nuk mund t’ju kryejmë punë prandaj më mirë të kthehemi te populli”, tha mes tjerash Taravari.
Nga ana tjetër, njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti njëherit zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Taravarin e cilësoi si protagonist të serialit “Rrënimi i Qeverisë”. Sipas Mexhitit, nuk ndihmuan as fjalimet bombastike, as viktimizimi, as servilosja, as patriotizmi me bateri.
“Dje ranë maskat: protagonistët e serialit latin publikisht e pranuan atë që e kam thënë shumë herë deri më sot: se gjatë gjithë kohës kishin marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi. Ndryshimi vazhdon pa heronj të rrejshëm për një përdorim. Ndryshimi vazhdon si amanet i 107.000 votuesve shqiptarë që sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të tradhëtuar. Lufta kundër korrupsionit nuk ka alternativë. Përgjegjësi për pasurimin e paligjshëm do të ketë”, shkroi Mexhiti në rrjetin social Facebook.
Për kryeministrin Mickoski, është e pakuptimtë që Taravari do të bashkëpunojë me opozitën.
“Ai po kthehet në përqafimin e të gjithë atyre që për më shumë se dy dekada e kanë shkatërruar, kriminalizuar, grabitur dhe e kanë gjunjëzuar Maqedoninë, dhe kjo vlen për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë, serbë apo të tjerë”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë se me largimin e një partneri shqiptar, qeveria aktuale po mbetet pa legjitimitet etnik dhe shndërrohet në qeveri monoetnike.
“Për këtë kemi paralajmëruar që nga fillimi i krijimit të kësaj shumice parlamentare, pasi ajo u ndërtua mbi ambicien monstruoze për të disiplinuar një popull të tërë konstituiv dhe, sipas fjalëve të tyre, “për t’u treguar vendin” shqiptarëve. Ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se, në vend që të pranojë dështimet e veta, kryeministri paralajmëron një fushatë edhe më të ashpër dhe agresive për të ruajtur vazhdimësinë e kësaj qeverie monoetnike”, shkruan në kumtesën e BDI-së.
Sipas BDI-së, kjo qeveri në vend që të pranojë realitetin se qytetarët kërkojnë zgjedhje të parakohshme, në terren tashmë po demonstrojnë arrogancë dhe agresivitet përmes aktiviteteve të shantazhit, inskenimeve dhe ryshfetit.
Në një deklaratë për Portalb.mk, profesori universitar Mersel Bilalli theksoi se në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut nuk tolerohet shkelja e inkluzivitetit. Ai madje kujton se askush nuk mund të thirret në emrin e popullit shqiptar, nëse nuk përfaqëson së paku 30% të shqiptarëve në qeveri.
“Maqedonia e Veriut është një shtet multuetnik. Nuk mund të funksionojë duke e shkelur përfaqësimin që ka legjitimitet elektoral. Nëse mbeten vetëm 9 deputetë që përfaqësojnë shqiptarët në aspektin qeveritar, atëherë kemi të bëjmë me një presedan shumë të rrezikshëm. Apeloj te ata njerëz ta kompensojnë ose të tërhiqen. Nuk është mirë të thirren në emër të gjithë popullit shqiptar me më pak se 30% legjitimitet në qeveri”, tha Bilalli.
Kujtojmë se, keqkuptimet në qeverinë e Mickoskit erdhën nga mospajtimet brenda koalicionit shqiptar VLEN, të cilët ndanë rrugët pas vendimit të Arben Taravarit, që ai bashkë me fraksionin e tij të shkojë në zgjedhje lokale me lista ndara nga koalicioni VLEN, si dhe kontaktet a ASh-së së Taravarit me BDI-në.
Koalicioni VLEN, i pakënaqur me vendimin e partnerit të tyre, ia treguan derën e daljes nga Qeveria dhe bindën kryeministrin Hristijan Mickoski se, Taravari është i papranueshëm në qeveri derisa nuk bashkëpunon edhe në zgjedhje lokale me partnerët e koalicionit qeverisës.
Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (fraksioni i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.
Me daljen e fraksionit të Taravarit nga shumica parlamentare, koalicioni VLEN, e cila së shpejti do të zyrtarizohet si një parti, do të numërojë vetëm 9 deputetë.
Me daljen e pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në opozitë, së bashku me 16 deputetët shqiptarë të Frontit Evropian, në opozitë do të jenë 21 deputetë shqiptarë.
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e Taravarit sot do të mblidhet në Tetovë dhe pas mbledhjes pritet të prezantojnë para opinionit vendimet e tyre.
- LEXO: Sela për Taravarin: Fronti Evropian është i hapur për të gjithë ata që kërkojnë falje publike
- LEXO: E ardhmja politike e Taravarit në pikëpyetje pas përçarjes me VLEN-in, raportohet për largim të mundshëm të tij nga Qeveria
- LEXO: Qoku: VLEN-i ka 9 deputetë, të mirëseardhur janë edhe deputetët e ASH-së