“Paratë e zeza” dhe konfliktet ndëretnike në RMV: retorikë partiake për pushtet

Opinioni publik po vlon nga akuzat e njëpasnjëshme midis partive të pushtetit dhe opozitës për inicimin e konflikteve ndër-etnike dhe destabilizim të vendit. Partitë akuzohen njëra me tjetrën se cila po planifikon trazira. Ndërkaq së fundmi nga përfaqësuesit e pushtetit u përmendën edhe “paratë e zeza” dhe ish zyrtarët të cilët po përpiqen të provokojnë […]

gusht 17, 2024 - 15:00
 0  10
“Paratë e zeza” dhe konfliktet ndëretnike në RMV: retorikë partiake për pushtet
Flamuri i Maqedonisë së Veriut, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Opinioni publik po vlon nga akuzat e njëpasnjëshme midis partive të pushtetit dhe opozitës për inicimin e konflikteve ndër-etnike dhe destabilizim të vendit. Partitë akuzohen njëra me tjetrën se cila po planifikon trazira. Ndërkaq së fundmi nga përfaqësuesit e pushtetit u përmendën edhe “paratë e zeza” dhe ish zyrtarët të cilët po përpiqen të provokojnë konflikte. Megjithatë eksponentët e pushtetit nuk japin emra se kush janë këto persona. Opozita akuzon se këto janë skenarë të Qeverisë. Ndërkaq analistët dhe ekspertët theksojnë se kjo më shumë është luftë politike për pushtet dhe se vendi po hyn në një rreth të “dhunës” që duhet vështruar e pasur kujdes, shkruan Portalb.mk.

Luftë dhe retorikë për pushtet

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Besim Nebiu për Portalb.mk duke komentuar akuzat dhe kundër-akuzat e partive së fundmi thotë se opozita ka vendosur ta përqendrojë të gjithë energjinë e saj politike në sfidimin e legjitimitetit të VLEN-it si përfaqësues i vullnetit politik të shqiptarëve, duke u bazuar në një llogaritje që pretendon se Fronti ka fituar zgjedhjet parlamentare.

Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook
Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook

“Synimi i këtij veprimi opozitar është të nxisë pakënaqësinë popullore ndaj një pushteti ku, sipas opozitës, shqiptarët nuk janë të përfaqësuar si duhet. Kjo pakënaqësi pritet të shfaqet në formën e protestave masive dhe rihapjes së temave që BDI-ja pretendon se i ka mbyllur gjatë 22 viteve të saj në qeverisje”, thonë Nebiu.

Ai thotë se ka një problem të rëndësishëm në këtë vijë logjike: legjitimiteti i “dhunuar” është një konstrukt që nuk përputhet me realitetin politik.

“Një pjesë e madhe e shqiptarëve (më tepër se 100 mijë votues) kanë votuar kundër BDI-së, kuadrove dhe politikave të saja, dhe një periudhë e shkurtër qeverisjeje pa BDI-në vështirë se do ta ndryshojë këtë perceptim, pavarësisht kalkulimeve apo strategjive të shtrenjta të PR-it të BDI-së”, theksoi Nebiu.

Ai shtoi se protestat dhe revolucionet kërkojnë mbështetje të gjerë popullore, dhe duket se BDI-ja, përmes qeverisjes së saj të gjatë, ka humbur një pjesë të konsiderueshme të kësaj mbështetjeje.

“Për më tepër, me të njëjtët liderë në krye, është e vështirë që BDI-ja të udhëheqë me sukses një lëvizje popullore. Për të arritur sukses në sfidimin e legjitimitetit të BDI-së dhe në mobilizimin e një lëvizjeje popullore, opozita duhet të adresojë realisht shqetësimet e qytetarëve dhe të ofrojë alternativa konkrete dhe bindëse, qe do thoshte edhe fytyra te reja qe nuk asocojnë ne keqpërdorim, korrupsion dhe paaftësi”, përfundoi Nebiu.

Analisti Selim Ibraimi shprehet se gjasat janë minimale për destabilizim, ai thotë se kjo më shumë është retorikë për pushtet se sa për një kryengritje të re.

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

“Por gjithnjë duhet marrë me vigjilencë çdo informacion që buron nga partitë politike dhe rrethi i tyre. Për Maqedoninë e Veriut njoftime të paverifikuara dhe zëra partiakë për destabilizim sigurisht se dërgojnë Maqedoninë e Veriut pas me gjasa që asnjëherë të bëhet pjesë e BE-së. Një zhvillim tjetër që vazhdon të përsëritet është rritja e gjuhës së urrejtjes ne mediat maqedonase krahas përpjekjeve të BDI për protesta. Sidoqoftë Maqedonia e Veriut po hyn në një rreth të dhunës që duhet vështruar e pasur kujdes”, tha Ibraimi

Pushteti akuzon opozitën për skenarë të zinj

Java që lamë pas ishte e mbushur me deklarata të ndryshme dhe akuza të njëpasnjëshme.

Zëvendës-kryeministri Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN më 13 gusht tha se një numër i vogël i njerëzve me para të zeza dëshirojnë destabilizimin e vendit.

“Është e vërtetë që ka para të zeza dhe do të donin të kishte mjegull për t’ua shpëtuar lëkurën, por këta janë një numër i vogël njerëzish dhe nuk mendoj se për shkak të atij numri të vogël të njerëzve, dikush do të shtrijë dorën ose të shkelë ligjin ose të mbajë përgjegjësi nesër për një lloj destabilizimi”, tha Mexhiti.

Dy ditë më vonë kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski më 15 gusht theksoi se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik. Ai nuk përmendi emra, por tha se “po bëhet nga elementë që kanë në dispozicion miliona para”.

“Një pjesë e tyre janë zyrtarë të lartë të qeverive të mëparshme, të cilët po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren, kryesisht për të manipuluar, ndërsa ajo që më shqetëson veçanërisht, ata po përpiqen të provokojnë konflikt etnik, domethënë të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në Maqedoni”, tha Mickoski.

Megjithatë nuk bëjnë të ditur emra se kush konkretisht qëndron prapa.

Në këtë drejtim i pyetur se kush janë këta me “para të zeza”, Izet Mexhiti më 16 gusht tha se kazinotë.

“Një prej burimeve janë kazinot, domethënë përveç që ka dëmtuar shoqërinë, ka sjellë edhe destabilizim, plagosje dhe vrasje që kanë qenë evidente, kohën e kaluar këto kanë ndodhur, një prej faktorëve kryesorë ka qenë biznesi i kazinove”, tha Mexhiti.

Të pyetur për detaje dhe emra konkret , nga koalicioni VLEN shkurt për Portalb.mk theksuan:

“Organet hetuese do i shpalosin në momentin që do vjen koha të përgjigjen para gjyqësorit”.

Mickoski ka kohë që përmend mundësinë e destabilizimit, duke e lidhur me aktivitetet e planifikuara nga BDI për në vjeshtë.

Me të njëjtën tezë publikisht doli edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, por as ai nuk dha më shumë detaje.

Opozita akuzon pushtetin

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njëherit udhëheqës i Frontit Evropian nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për akuzat nga pushteti për paratë e zeza dhe ish-zyrtarët. Nga atje nuk japin detaje as për paralajmërimet e tyre se në shtator do të dalin në terren dhe nëse bëhet fjalë për protesta.

Bashkimi Demokratik për Integrim më 16 gusht pas takimit të Ali Ahmetit me euroambasadorin David Geer thanë se paralajmërimet e tilla janë skenarë të pushtetit.

“Ahmeti gjithashtu foli për paralajmërimet tendencioze të Kryeministrit Mickovski për destabilizim duke shfaqur shqetësim për inskenime të qëllimshme qeveritare për fajësim të të tjerëve me qëllim të defokusimit të opinionit nga dështimet e qeverisë”, njoftuan nga BDI.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe i ka vërë thirrje kryeministrit që nëse ka ndonjë informacion për destabilizim apo prishje të mundshme të paqes në vend, t’i ndajë me institucionet kompetente.

Narrativet e tilla sipas Filipçes, janë pjesë e strategjisë për ngritjen e tensioneve ndëretnike, të cilën ai thotë se VMRO-DPMNE dhe BDI e kanë zbatuar para zgjedhjeve dhe tani po e rikthejnë në lojë.

“Nëse marrim parasysh se BDI-ja i dha mbështetje VMRO-DPMNE-së për Ligjin për riorganizimin e ministrive, pa të cilin nuk do të mund të formohej Qeveria, atëherë nuk do të habitesha nëse e tëra është një strategji e dakorduar mes dy partive. Edhe nëse nuk bihet dakord, është në interes të të dyja palëve”, tha Filipçe.

Presidenca nuk do ta thërrasë Këshillin e Sigurimit

Presidentja e shtetit Gordana SiljanovskaDavkova nuk planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski se BDI mund të ndërmarrë hapa për destabilizimin e shtetit këtë vjeshtë. Kështu ka bërë të ditur për “360 Gradë” zyra e presidentes të shtetit.

Si nisi gjithçka?

Gjithçka filloi pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2024, ku qeveria u formua nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.

Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI mbeti jashtë qeverisë edhe pse ata morën 18 deputetë, apo 4 më shumë se koalicioni VLEN i cili mori 14 deputetë.

Fonti Evropian kundërshtoi këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Në këtë drejtim Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë të ditur se nga shtatori do të dalin në terren, pasi drafti i Pol Uilliamsit, i cili u angazhua nga BDI për të gjetur një zgjidhje për respektimin e legjitimitetit u shqyrtua nga kryesia qendrore e partisë.