Rasti “Ramadani” – VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella, pritet të formohet komision gjyqësor për hetimin e përgjegjësisë

Derisa opinioni pret përgjigjen adekuate nga institucionet dhe zbardhjen e përgjegjësisë për arratisjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga vendi, pushteti dhe opozita vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për incidentin, transmeton Portalb.mk. VMRO-DPMNE në pushtet pretendon se fajin e ka LSDM dhe BDI. “Pajazit Pajaziti, gjykatës i afërt me BDI-në dhe LSDM-në, e ka vënë […]

gusht 17, 2024 - 15:00
 0  5
Rasti “Ramadani” – VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella, pritet të formohet komision gjyqësor për hetimin e përgjegjësisë
Blerim Ramadani. Foto nga profili i tij në Facebook

Derisa opinioni pret përgjigjen adekuate nga institucionet dhe zbardhjen e përgjegjësisë për arratisjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga vendi, pushteti dhe opozita vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për incidentin, transmeton Portalb.mk.

VMRO-DPMNE në pushtet pretendon se fajin e ka LSDM dhe BDI.

“Pajazit Pajaziti, gjykatës i afërt me BDI-në dhe LSDM-në, e ka vënë në arrest shtëpiak Blerim Ramadanin, që të arratiset lehtësisht. Pajazit Pajaziti është i njëjti gjyqtar që vendosi si për hyrjen në  kullën e fluturimit të aeroportit ashtu edhe për dënimin me kusht të Ixhet Memetit në rastin me ryshfetin. Sa herë që LSDM dhe BDI kanë interes aty është, Pajazit Pajaziti”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski në konferencën e sotme për media.

LSDM-ja opozitare kërkon që qeveria të mos bëj spina dhe të marrë përgjegjësi.

“Qeveria e VMRO-DPMNE – së pëgënjeshtron veten për çdo tentativë për manipulim dhe spin në lidhje me skandalin me arratisjen e Blerim Ramadanit. Komedia e fundit për këtë temë janë deklaratat e djeshme të Aleksandar Pandovit dhe zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, të cilët qartësuan se fajin për arratisjen dhe informacionet se si Ramadani ka shpëtuar duhet kërkuar në MPB. A ka pilot në aeroplanin e Qeverisë? Përderisa Mickoski përpiqet të gënjejë opinionin se faji është i gjykatës, mbështetësi i tij besnik Pandov thotë se është në MPB. Kush kënd mashtron? Pas disa skandaleve, Mickoski ende po e mbron Toshkovskin, i cili demonstron paaftësi të tmerrshme dhe duhet të japë dorëheqje”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Dje Këshilli Gjyqësor mori vendim për formimin e komisionit të posaçëm i cili do të duhet të konstatojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet që mori Gjykata Themelore Penale Shkup pak para ikjes së Ramadanit nga arresti shtëpiak.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.