Për presidenten e RMV-së pushtimi ushtarak rus në Ukrainë është vetëm “operacion ushtarak”
Ka nxitur në opinion reagime fjalimi i fundit i presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska- Davkova. Presidentja Siljanovska- Davkova në pritjen tradicionale vjetore për trupën diplomatike në vend, gjatë fjalimit të saj, iu ka referuar pushtimit ushtarak rus në Ukrainë si “operacion ushtarak rus”, shkruan Portalb.mk. “Ne kemi mbajtur anën e Ukrainës […]
Ka nxitur në opinion reagime fjalimi i fundit i presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska- Davkova. Presidentja Siljanovska- Davkova në pritjen tradicionale vjetore për trupën diplomatike në vend, gjatë fjalimit të saj, iu ka referuar pushtimit ushtarak rus në Ukrainë si “operacion ushtarak rus”, shkruan Portalb.mk.
“Ne kemi mbajtur anën e Ukrainës që nga fillimi i operacionit ushtarak rus, besojmë se kjo nuk është vetëm për shkak të një politike të vetme evropiane, por edhe jashtë parimit. Dhe unë pyes – çfarë ndodhi me të drejtën ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, gjykatat ndërkombëtare?”, ka deklaruar presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
Aktivisti dhe njohësi i çështjeve politike, Xhabir Deralla në reagimin e tij kundër retorikës së presidentes Sijanovska- Davkova ka shprehur habinë se si një profesoreshë universitare si presidentja e vendit, e cila ligjëron lëndën “Sovraniteti – Teori dhe praktikë” mund ta bëjë këtë gafë.
“Profesoresha universitare, tashmë presidente e shtetit, në Fakultetin Juridik “Justinianus Primus”, e cila, mes tjerash ligjëron edhe lëndën “Sovraniteti – Teori dhe Praktikë”, thjesht nuk bëri dallim mes agresionit ushtarak rus siç njihet në të gjithë botën dhe frazës “operacion ushtarak rus”, e natyrshme kjo për fjalorin e propagandës ushtarake ruse që nga fillimi i agresionit ushtarak në vitin 2022”, ka shkruar Deralla.
Opozita shqiptare: Skandaloze dhe e papranueshme deklarata e presidentes Siljanovska- Davkova
Kundër fjalorit të presidentes kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një “operacion ushtarak” relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas. BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit. Përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të pasqyrojnë qartë dhe me përgjegjësi pozicionin e vendit tonë, duke respektuar angazhimet tona ndërkombëtare dhe aleancat strategjike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga aty i bëjnë thirrje presidentes të reflektojë mbi përgjegjësinë e saj për të përfaqësuar me dinjitet dhe qartësi interesat dhe vlerat e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, e ka vlerësuar si skandaloze dhe të papranueshme deklaratën e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.
“Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s, përdor retorikën zyrtare të Putinit dhe propagandën e Kremlinit zyrtar për një konflikt të paprovokuar që ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm. Përdorimi i shprehjeve të këtilla cënon pozicionin ndërkombëtar dhe aspiratat euro-integruese, ndërsa konfirmon edhe një herë mentalitetin dhe orientimin pro rus të Qeverisë aktuale. Për këtë skandal presim distancim të qartë nga drejtuesit e Qeverisë si dhe kërkim falje dhe korigjim nga vetë presidentja”, thuhet në reagimin e ASH-s.
Kujtojmë se, me të filluar pushtimi ushtarak në Ukrainë, vendet anëtare të NATO-s kanë dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe janë rreshtuar në mbështetje të Ukrainës, ndërkaq pushtimin ushtarak rus Aleanca e NATO-s e cilëson si: “luftë brutale e paprovokuar kundër Ukrainës, që është një vend i pavarur, paqësor dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s”
Maqedonia e Veriut është bërë anëtare e NATO-s më 27 mars 2020.