Përfaqësimi i shqiptarëve në botën e çudirave

Shkruan: Sefer TAHIRI Abdurrahman Aliti, lideri i Partisë së Prosperitetit Demokratik në një intervistë për TVM 1, dikur, me gjasë në vitin 1996 pati deklaruar “E kuptoj që ne shqiptarët nuk kemi ekspertë për bomba atomike, për njerëz për rregullimin e bagazhit në Aeroportin e Shkupit, sigurisht që kemi”. Në atë kohë ishte minimal numri […]

shkurt 26, 2025 - 15:00
 0  5
Përfaqësimi i shqiptarëve në botën e çudirave

Shkruan: Sefer TAHIRI

Abdurrahman Aliti, lideri i Partisë së Prosperitetit Demokratik në një intervistë për TVM 1, dikur, me gjasë në vitin 1996 pati deklaruar “E kuptoj që ne shqiptarët nuk kemi ekspertë për bomba atomike, për njerëz për rregullimin e bagazhit në Aeroportin e Shkupit, sigurisht që kemi”. Në atë kohë ishte minimal numri i shqiptarëve të punësuar në administratën dhe sektorin teknik të Aeroportit, i cili ishte ndërmarrje publike.

Fshati i Shkupit, Radushë është vendlindja ime dhe në të në vitin 2001 pati konflikt të armatosur mes forcave të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore e ushtarake maqedonase. Si i ri, nuk mund të pajtohesha me faktin që në stacionin policor të vendlindjes sime nga 40 policë, vetëm njëri ishte shqiptar. Përkatësisht 2.5 % ishte përfaqësimi i shqiptarëve në këtë stacion. Kjo e dhënë tregon qartë se sistemi i kaluar monist ka qenë absurd, pasi nuk lejonte punësimin e bashkëfshatarëve të mi në atë stacion, sepse policia duhej dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.

Komunizmi i diskriminonte shqiptarët institucionalisht dhe sistematikisht si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut nën pretekstin se nuk kanë kuadro cilësore. Ndërsa njëherësh nuk lejonte mësim në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm dhe të lartë. Paradoks në vetvete!

Në vitet 90-ta, kur vendi hyri në pluralizëm, përfaqësimi i shqiptarëve në sistem, përfshirë administratën shtetërore dhe publike nuk kalonte 2 përqindëshin. Madje në polici dhe ushtri, sidomos në njësitë speciale ky përfaqësim ishte edhe më i ulët dhe arrinte 1 përqindëshin.

PPD-ja në vitet 1992 deri në vitin 1998 arrinte të punësonte vetëm numër të vogël të shqiptarëve dhe assesi nuk kishte sukses në rritjen e përqindjes së tyre. Meqë fenomenet politike duhet analizuar në kontekstin historik të kohës, duhet thënë se kjo ishte periudha kur beteja politike bëhej për një paralele më shumë në shkollat e mesme dhe kur Universiteti i Tetovës nuk ishte i zyrtarizuar nga shteti. Është periudha, që siç tregon një deputet i PPD-së, deputetët shqiptarë, edhe pse të zgjedhur me votën e popullit nuk e dinin se a do të merrnin paga nga shteti. Sot, thënë kjo, tingëllon tragjikomike dhe të vjen të thuash po ç’përfaqësim politik paskemi pasur?

Përderisa në administratë, në veçanti në ministritë që drejtoheshin nga kuadrot e saj përqindja ishte më e madhe, në polici dhe ushtri përfaqësimi vazhdonte të jetë tepër i ulët.

Në vitin 1998 në pushtet erdhën VMRO-DPMNE-ja dhe Partia Demokratike Shqiptare. Njëra nga katër pikat kryesore të marrëveshjes për koalicionim qeverisës ishte pikërisht rritja e punësimit të shqiptarëve në administratën e shtetit dhe atë publike, krahas lirimit të krerëve të komunave, Rufi Osmani dhe Alajdin Demiri, të dënuar për ngjarjet rreth flamurit kombëtar në vitin 1997, përdorimit të flamurit në komunat, në të cilat shqiptarët janë të pranishëm më shumë se 20 % dhe krahas zgjerimit të përdorimit të gjuhës shqipe.

Përfaqësimi i shqiptarëve në periudhën e qeverisjes së Lubço Georgievskit dhe Arbër Xhaferit shënonte trende të rritjes, ndërsa shqiptarët filluan të “pushtojnë” institucione, të cilat këmba e tyre nuk i kishte prekur. Shqiptarët filluan të punësohen në sektorët e uniformuar dhe në sektorë të sigurisë së vendit, të cilët për ta kishin qenë “zonë e ndaluar”.

Në vitin 2001, kur në Maqedoninë e Veriut ndodhi lufta, një pjesë e kuadrove, të përfshirë në sistemin e shtetit do t’i braktisin institucionet e shtetit dhe do të vihen në anën e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Përfundimi i luftës së vitit 2001 u bë si rezultat i arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

Në këtë dokument paqësor, rëndësi të veçantë i kushtohet pikërisht përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, i cili më vonë u bë pjesë e nenit 8 të Kushtetutës.

Në Marrëveshjen e Ohrit thuhet:

Tërësisht do të respektohet parimi i mos diskriminimit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë personave para ligjit.

Në ligjet me të cilët rregullohen punësimet në administratën publike do të përmbahen masat me të cilat do të sigurohet përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe, duke respektuar njëkohësisht rregullat e kompetencës dhe integritetit, me të cilët udhëhiqet administrata.

Autoritetet do të ndërmarrin aktivitet për ta korrigjuar mosekuilibrin ekzistues në përbërjen e administratës publike, sidomos përmes punësimit të pjesëtarëve të bashkësive me përfaqësim të pamjaftueshëm. Një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet faktit që të sigurohet sa është e mundshme më shpejtë që shërbimet policore në përgjithësi ta shprehin përbërjen e popullatës së Maqedonisë“.

Pra bëhet fjalë për parim themelor kushtetues, i cili është kontraktuar për ndërprerjen e zjarrit në vitin 2001.

Duke qenë parim i aktit më lartë juridik në vend, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është zbatuar me rënie dhe ngritje. Në disa sektorë, sidomos në ato që janë drejtuar nga shqiptarët, përfaqësimi është i kënaqshëm. Duhet të ndërpritet modeli, sipas të cilit vetëm në institucione, që janë drejtuar apo drejtohen nga shqiptarët përfaqësimi është në shifra përmbi praninë statistikore demografike të shqiptarëve që zyrtarisht është 29 për qind. Edhe sot, në vitin 2025 fatkeqësisht ka institucione, në të cilat shqiptarët janë të përfaqësuar në nivel tepër të ulët, si në sektorin e sigurisë, gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, prokurori, sektorin e financave, Bankën Popullore, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, muze e galeri e kështu me radhë.

Qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së e Alternativës inkorporoi mekanizmin e ri të quajtur balancuesi, i cili kishte për detyrë të ndjek procesin e punësimeve në shtet sipas përkatësisë etnike. Por, si çdo mekanizëm tjetër në shtet që bishtënohet, edhe balancuesi pati fatin e njëjtë. Shqiptari deklarohej maqedonas, maqedonasi turk, turku vlleh, vllehu serb e rom dhe kështu manipulohej instrumenti për monitorimin e procesit të përfaqësimit të bashkësive.

Në 9 tetor të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese e anuloi atë me një vendim, pasi sipas saj “Balancuesi si mjet është ezauruar dhe ka shkelur dispozitat kushtetuese për lirinë e shprehjes së nacionalitetit, disponueshmërinë e vendit të punës, si dhe ndalimin e diskriminimit”.

Shfuqizimi i balancuesit ishte pjesë e përcaktimit të VMRO-DPMNE-së. Qysh në datën 18 shtator të vitit 2022, kjo parti ka kërkuar që „të braktiset menjëherë sistemi i balancuesit, punësimi në administratë të bëhet duke punësuar njerëz profesionistë dhe me arsim të lartë”. Sipas partisë së Mickoskit “sistemi i deritanishëm i punësimit në administratë ka sjellë cilësi të dobët dhe se LSDM-ja antimaqedonase dhe partneri i saj në koalicion BDI e përdorin këtë sistem për të punësuar militantë partiakë”.

Në Programin e Qeverisë 2024-2028 parashikohet heqja e këtij instrumenti përkatësisht respektimi i rregullit “profesionalizmi para përkatësisë”!

“Duke respektuar plotësisht parimin kushtetues për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, Qeveria do të ndryshojë rregullativën ekzistuese, me qëllim të heqjes dorë nga mjeti ‘balancues’ gjatë punësimit. Në këtë mënyrë do të respektohen në radhë të parë cilësitë personale, ekspertiza, kompetenca dhe sistemi i meritave gjatë punësimit në institucionet shtetërore”.

Këtyre ditëve zëvendëskryeministri Izet Mexhiti doli me premtimin se gjatë këtij viti do të punësohen 2 deri në 3 mijë shqiptarë, aq sa BDI-ja ka punësuar gjatë 8 viteve të kaluara.

Ndaj këtij qëndrimi u ngritën kundër jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë pushteti. Kryeministri Mickoski u shpreh se ai vetë përderisa drejton qeverinë siç e quajti maqedonase dhe jo të Maqedonisë së Veriut nuk do të lejojë punësime etnike. Ndërsa ministri i Administratës Publike, Goran Minçev shkoi edhe më larg, pasi Mexhitin e quajti “Liza në botën e çudirave”.

Minçev është politikan i mendësisë së vjetër, me proviniencë postkomuniste, ndërsa në vitet 2006-2008 ka qenë sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut, në periudhën kur kryetare ishte Radmilla Sheqerinska, ndërsa ndikimi i Branko Cërvenkovskit në këtë parti ishte i madh.

Minçev në LSDM ishte i fuqishëm derisa në të “kollitej” Cërvenkovski, ndërsa sot është sekretar i përgjithshëm i partisë ZNAM, e përbërë kryesisht nga kuadro të Cërvenkovskit dhe e drejtuar nga kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Minçevi është nga ata politikanë që përfaqësimi i shqiptarëve u duket “botë çudirash”, ndërsa në fakt vetë аi edhe ata që mendojnë si ai janë në deluzion edhe atë tepër të madh përkatësisht besojnë se diçka është e vërtetë e që në fakt nuk është objektive.

Ka përfunduar epoka e diskriminimit etnik të shqiptarëve, kur mendohej se duhet të ndalohet intensiteti i punësimit të shqiptarëve në administratë, sepse me këtë “Shqiptarët e marrin shtetin në duart e tyre”!

Ka kaluar epoka, kur shqiptarët tmerroheshin të shkojnë dhe të trokasin në administratë, sepse ndonjë ose ndonjëra, që qëndron pas sportelit të shtetit mund t’i ofendonte ose me ta sillej me arrogancë, vetëm për shkak të përkatësisë etnike.

Në një shtet shumë-etnik, i cili vetëm para dy dekadave ka pasur luftë, përveç komponentës së profesionalizmit dhe arsimit, me rëndësi është edhe përkatësia etnike.

Që të mos ketë keqkuptime, askush, as unë nuk është kundër meritokracisë. Natyrisht se para se të emërohen apo zgjedhen kuadrot udhëheqëse duhet të verifikohen cilësitë e tyre profesionale. Për shembull, të dallojnë metrologjinë nga metereologjia, siç nuk e dallonte një drejtor i BDI-së në qeverinë e kaluar!