Po shfaqen reklama të rreme në rrjetet sociale, qëllimi është keqpërdorimi i të dhënave personale!

Reklamimi në rrjetet sociale është degë e marketingut dixhital, përmes së cilës lancohen fushata reklamimi të cilat zbatohen në platformat e rrjeteve sociale të cilat janë të targetuara në mënyrë The post Po shfaqen reklama të rreme në rrjetet sociale, qëllimi është keqpërdorimi i të dhënave personale! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

gusht 17, 2024 - 22:00
 0  10
Po shfaqen reklama të rreme në rrjetet sociale, qëllimi është keqpërdorimi i të dhënave personale!

Reklamimi në rrjetet sociale është degë e marketingut dixhital, përmes së cilës lancohen fushata reklamimi të cilat zbatohen në platformat e rrjeteve sociale të cilat janë të targetuara në mënyrë specifike për një audiencë të caktuar, jo çdoherë kalon pa keqpërdorime e reklama të rrejshme, njofton Flaka.

Duke përdor mediat dhe rrjetet sociale, siç është Facebook dhe Instagram, persona apo grupe me identitet të rrejshëm tentojnë të shtyjnë shfrytëzuesit e rrjeteve sociale të klikojnë në linqe të rezikshme. Bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe false me tendencë për të keqpërdorur të dhënat e njerëzve.

Së fundmi, në rrjetet sociale po shfaqen reklama të brendeve të mirënjohura duke prezantuar artikuj me çmime jashtëzakonisht të lira dhe joreale, me qëllim që të merret vëmendja e publikit dhe të klikohen artikujt.

Ka edhe raste ku keqpërdoret institucioni Postat e Maqedonisë, përmes sms të ndryshme për kinse porosi të parealizuara për shkak të adresës së gabuar. Nga qytetarët kërkohet të azhurnojnë të dhënat dhe të jepen të dhëna të sakta.

Keqpërdorimi më i madh i të dhënave bëhet nëpërmjet portaleve dhe rrjeteve sociale. MPB së bashku me prokurorinë në raste të shumta kanë punuar në lëndë me keqpërdorimin e të dhënave personale. Në Maqedoninë e Veriut ekziston Agjenci e posaçme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe këtu të gjithë institucionet që veprojnë me të dhënat personale kanë rregulla të veçanta dhe procedura në bazë të së cilave veprohet.

Blerjet e shitjet online janë shpeshtuar bashkë me këto edhe pasiguria dhe rastet kur ndodhin keqpërdorimet nuk janë të pakta.

Ekspertët alarmojnë që çdo hyrje në faqe interneti gjithkund ku kërkohen të dhënat personale duhet kujdes maksimal dhe verifikim të obligueshëm.

Forma identifikuese në rrjetet sociale dhe ekspozim të pacientëve nga kamerat e sigurisë për marketing janë vetëm disa prej mënyrave me të cilat po keqpërdoren të dhënat e qytetarëve.

Ndryshe, 72.5 për qind e qytetarëve në vend marrin masa sigurie kur përdorin internetin në pajisjet e tyre. 80 % prej tyre shfrytëzojnë program antivirusal, më shumë ata me arsim më të lartë, si dhe ata të moshës 35 deri në 55 vjeç. Këtë e tregojnë rezultatet e anketës së opinionit publik të qytetarëve të Qendrës kombëtare për reagim ndaj incidenteve kompjuterike MKD-CIRT pranë Agjencisë për komunikime elektronike.

Shumica ose 86.5 për qind e të anketuarve përditësojnë programet, aplikacionet dhe sistemet operative në pajisjet e tyre. Të anketuarit më të rinj dhe ata me një shkallë më të lartë arsimimi përditësojnë pajisjet e tyre në një përqindje më të lartë. Për sa i përket përditësimit, siç thuhet në anketë, në më shumë se një të tretën ose 37.1 për qind, pajisja është vazhdimisht në përditësim automatik, ndërsa rreth 45 për qind i pranojnë përditësimet pas leximit të plotë ose të pjesshëm të kushteve.

Pak më shumë se tre të katërtat ose 78.6 për qind e qytetarëve përdorin një fjalëkalim për të hyrë në pajisjet që përdorin. Ky është më shumë rast tek të rinjtë dhe ata me nivel më të lartë arsimor. Rreth 20 për qind nuk munden, domethënë nuk dinë të njohin një fjalëkalim të sigurt.

“Përafërsisht gjysma e të anketuarve, 48.4 për qind i mbajnë mend fjalëkalimet dhe nuk i shkruajnë ato, ndërsa rreth një e treta i shënojnë në një fletore ose i mbajnë në kompjuter ose celular. Për më tepër 15 për qind e të anketuarve ruajnë fjalëkalimin e hyrjes në shfletuesin e internetit”, zbulon sondazhi.

Të anketuarit përdorin kryesisht internetin në pajisjen e tyre celulare rreth 99 për qind dhe në kompjuter 75,4 për qind, ndërsa të moshuarit dhe ata me një nivel më të ulët arsimor, përdorin më pak kompjuter dhe lloje të tjera pajisjesh për të hyrë në internet si tabletë dhe TV. 

Qytetarët të raportojnë reklamat e rreme

Një kontribut i madh i gjithsecilit prej neve është raportimi i artikujve të tillë në rrjetet sociale por edhe tek organet kompetente.

Rrjetet sociale kanë opsion shoqërues te secili postim për të raportor artikut nëse janë të dyshimta. Është formë e thjeshtë dhe me dy/tre operacione nga celulari apo kompjuteri juaj mund të bëhet raportimi. Nëse artikulli merr një numër të konsiderueshëm raportimet, rrjetet sociale i fshinë të njejtat.

Keqpërdorim i identitetit të mjekëve eminent për reklama të rrejshme

Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shoqatë profesionale e të gjithë mjekëve të mjekësisë, disa herë publikisht po kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të veprojnë urgjentisht dhe të parandalojnë keqpërdorimin e integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksionin e reklamimit të rremë të formave të paverifikuara të preparateve mjekësore, barnave, suplementeve ushqimore, metodave apo mjeteve ndihmëse për mjekim, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në portalet e internetit dhe rrjetet sociale.

Sipas tyre bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe false për të ashtuquajturat medikamente mjekësore, preparate dhe metoda me origjinë, përbërje ose prodhim të pa-verifikuar.

“Përdorimi i emrit dhe integritetit profesional për reklamimin e këtyre preparateve false për përfitime materiale konsiderohet si abuzim i rëndë i të dhënave personale. Dëmi është edhe më i madh kur për shkak të këtyre reklamave tek pacientët mund të krijohet përshtypja se këto janë disa lloje të barnave mrekullibërëse, dhe në këtë mënyrë e neglizhojnë terapinë e rregullt dhe kështu shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Të moshuarit dhe fëmijët, shpeshherë pre e mashtrimeve

Keqpërdorimet më të mëdha zakonisht ndodhin me qytetarët që janë më të shtyrë në moshë, pasi po të njëjtit përdorin rrjetet sociale, hynë në faqe të ndryshme, por jo mjaftueshëm janë të informuar për tu mbrojtur nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm.

“Raste të shpeshta ndodhin kur pranojmë emaile të ndryshme nga njerëz të panjohur me email të pa identifikuar, por që përbrenda emailit me përmbajtje manipulative, duke filluar me prezantim e pastaj me ofertë për bashkëpunim, apo të shpeshta janë rastet kur edhe bëhen lajthitjet të formave që keni një testament, keni fituar kaq para, e gjëra të tilla që në shikim të parë janë banale për gjeneratat e reja”, thonë nga Qendra kombëtare për reagim ndaj incidenteve kompjuterike MKD-CIRT pranë Agjencisë për komunikime elektronike.

E kërkesa këtyre manipulatorëve kibernetik është që të dërgojnë të dhënat, një kartelë banke, një dokument identifikimi e gjëra të tilla që janë të nevojshme për t’i realizuar qëllimet e tyre. Prandaj, edhe është mëse e nevojshme mbi atë se çfarë publikojmë në rrjete sociale. Shpesh herë ndodhë që marrja e patentë shoferit të publikohet në rrjete sociale si shenjë gëzimi pa mbuluar as një të dhënë personale, që është gabim trashanik dhe nuk duhet përsëritur sepse gjasat maksimale janë për një keqpërdorim të mundshëm.

Përmes, një fotoje të dokumentit të identifikimit ka raste që persona të ndryshëm në emër të huaj kanë tërhequr edhe kredi bankare, ose përmes blerjeve online janë marrë numrat e kartelave dhe pastaj janë tërhequr të holla në masë të madhe. Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave Personale rregullon mbrojtjen e të dhënave personale si liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe veçanërisht të drejtat e privatësisë në lidhje me përpunimin e tyre.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë njofton se kohëve të fundit një numër i madh i qytetarëve kanë denoncuar në polici për keqpërdorim të të dhënave personale. Policia punon në zbardhjen e rastit, ndërkohë që apelon deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm.

“Kohëve të fundit ka një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që denoncojnë ankesë apo keqpërdorim të të dhënave personale në SPB-Tetovë, në mënyrë të tillë që përmes rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram pranojnë një link ku shfaqen profilet e miqve e tyre në këto në rrjetet sociale dhe kërkohet që të klikojnë në adresën e linkut dhe t’i votojnë për arsye të ndryshme fiktive apo oferta për përfitime nëpërmjet kriptomonedhave dhe bitcoin, njësoj si rastet përmes mesazheve SMS për shërbimet postare. Në këtë mënyrë, të dhënat e tyre vidhen dhe fjalëkalimi i profilit ndryshohet shpejt dhe pronarit i mohohet qasja në profilin e tij, shpesh kërkohen të dhënat personale dhe të dhënat e transaksioneve bankare dhe një sërë mënyrash të tjera të paligjshme dhe përmes shantazhit për të përfituar përfitime financiare. SPB-Tetovë apelon qytetarët që të mos iu nënshtrohen gabimeve të tilla, pa u konfirmuar më parë personalisht se çfarë kërkon miku prej tyre, në të kundërtën të raportojnë menjëherë profilet e tilla si spam, për të shmangur dëme më të mëdha financiare, sepse në këtë mënyrë dëmi bëhet si rrjet dhe nëpërmjet profilit tuaj mund të dëmtohen miqtë ose të familjarë tuaj më të afërt”, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.

Nga atje apelojnë deri tek përdoruesit e rrjeteve sociale që maksimalisht të jenë të kujdesshëm kur vendosin kontakte me persona të panjohur dhe krijojnë miqësi virtuale, për shkak se mundësia që të keqpërdoren dhe të tërhiqen në situata të palakmueshme me pasoja negative për ata personalisht, për familjen dhe më të afërmit. Kjo veçanërisht vlen për të miturit, të cilët më pak kujdesen për pasojat e mundshme, me vërejtjen se keqpërdorimi i të dhënave personale llogaritet vepër penale për të cilën është paraparë gjobë në të holla ose me burg deri në një vit.

Ditë e mbrojtjes së të dhënave personale

Kujtojmë që, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 26 prill të vitit 2006 vendosi çdo vit 28 janari të festohet si Ditë e mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë ditë është hapur për nënshkrim Konventa 108 për mbrojtjen e personave gjatë përpunimit automatik të të dhënave personale të KE-së dhe më shumë se 30 vite është themel për mbrojtjen e të dhënave personale  në Evropë dhe më gjërë. Dita e mbrojtjes së të dhënave personale sot festohet globalisht edhe jashtë Evropës dhe është e njohur si Dita e privatësisë. Flaka Media

The post Po shfaqen reklama të rreme në rrjetet sociale, qëllimi është keqpërdorimi i të dhënave personale! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .