Policia ndërhyri pas një zënke, por gjeti drogë në një banesë në Shkup, një person është arrestuar

Një tridhjetë e tetë vjeçar nga Tetova është arrestuar dje dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit pasi gjatë kontrollit në një banesë në Shkup, ku qëndronte i paparaqiur, policia ka gjetur drogë, përkatësisht metilen-dioksimetamfetaminë, transmeton Portalb.mk. Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër të […]

shtator 10, 2024 - 15:00
 0  7
Policia ndërhyri pas një zënke, por gjeti drogë në një banesë në Shkup, një person është arrestuar
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Një tridhjetë e tetë vjeçar nga Tetova është arrestuar dje dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit pasi gjatë kontrollit në një banesë në Shkup, ku qëndronte i paparaqiur, policia ka gjetur drogë, përkatësisht metilen-dioksimetamfetaminë, transmeton Portalb.mk.

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër të dyshuarit i cili akuzohet për veprën penale prodhim dhe vendosje e paautorizuar në treg të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafit të Kodit Penal.

Sipas paragrafit 1 të këtij neni të Kodit Penal, për këtë është paraparë dënim me burg prej tre deri në 10 vjet.

Ndryshe, sipas përshkrimit të shkurtër të rastit nga Prokuroria, policia në banesën në rrugën “Mile Pop Jordanov”, ku i dyshuari qëndronte me të dashurën e tij, fillimisht nuk ka shkuar për të kërkuar drogë, por ka ndërhyrë pas një raporti për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Pas konstatimit të shkeljes për shkak të një debati mes tetovarit dhe babait të vajzës, ajo ka njoftuar punonjësit e policisë se i dyshuari posedonte disa lloje të lëndëve të paligjshme që i mbante në shtëpinë e tyre.

“Si banuese, ajo ka dhënë pëlqimin që zyrtarët të hyjnë në shtëpi dhe të kryejnë kontroll, gjatë të cilit kanë gjetur 501 tableta metilen-dioksimetamfetamine, një stimulues të sistemit nervor qendror, të paketuara në një qese të madhe plastike”, njoftoi prokuroria.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, pengimit të mundshëm të hetimit dhe përsëritjes së veprës penale, me propozim të prokurorit publik kompetent, gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup të dyshuarit i ka shqiptuar paraburgim prej 30 ditësh.