Politika ndaj eurointegrimeve në mediat shqipe: Nga kushtëzimi deri te vendnumërimi
Si u raportua në mediat në gjuhën shqipe mbi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, që nga miratimi i “propozimit francez” si kornizë për vazhdimin e negociatave për anëtarësim? Si u reflektua ky proces në diskursin politik dhe partiak gjatë fushatës zgjedhore? Cili kusht dhe afat iu dha palës qeveritare maqedonase […]
Si u raportua në mediat në gjuhën shqipe mbi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, që nga miratimi i “propozimit francez” si kornizë për vazhdimin e negociatave për anëtarësim? Si u reflektua ky proces në diskursin politik dhe partiak gjatë fushatës zgjedhore? Cili kusht dhe afat iu dha palës qeveritare maqedonase nga partitë shqiptare të koalicionit VLEN lidhur me ndryshimet kushtetuese? A përmendet nga pala shqiptare ky afat pas zgjedhjeve? Si u raportua lidhur me “propozimin plotësues francez” që pala qeveritare ia ofroi BE-së? Si u interpretua deklarata e Aleksandar Nikollovskit, ministër në Qeverinë e Mickoskit, mbi integrimin e Shqipërisë? Si u raportua për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt BE–së?
Shkruan: SEFER TAHIRI
Mediat në gjuhën shqipe, që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë pasur një qasje më proaktive ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, për dallim nga ato maqedonase. Kjo ndërlidhet me faktin që në mediat shqipe ka dominuar diskursi publik dhe politik, i cili ka qenë më i distancuar, më neutral dhe më i “ftohtë” sa i përket impaktit të procesit të integrimit në BE dhe negociatave, që janë shoqëruar me zgjidhjen e çështjeve dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë lidhur me emrin e shtetit dhe strumbullarin identitar të popullit maqedonas.
Në këtë kontekst, analiza trajton disa aspekte të raportimit të mediave në gjuhën shqipe mbi rrjedhën e integrimeve evropiane pas miratimit të “propozimit francez”, përfshirë periudhën para dhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe formimit të qeverisë së re në vend, kur çështja e ndryshimeve kushtetuese si kusht për vazhdim të negociatave me BE-në ishte në fokus të opinionit. Përveç trajtimit mediatik të qëndrimeve dhe veprimeve të përfaqësuesve të lartë të qeverisë së re dhe partive në pushtet përballë oponentëve politik, trajtesë e veçantë i kushtohet edhe raportimit mediatik lidhur me vendimin e Brukselit për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt BE–së dhe reflektimin e këtij vendimi te opinioni dhe qytetarët të vendit.
Histori e shkurtër e raportimit mbi “propozimin francez” dhe ndryshimet e propozuara kushtetuese
Siç është cekur në analizat e botuara nga IMA, në vitin 2022 hapësirën informative në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, por edhe atë rajonale, e kanë dominuar raportimet me konotacione pozitive mbi “propozimin francez”. Ndërsa, kritikëve të tij u është dhënë hapësirë e paktë dhe, këtu, kemi parasysh qëndrimet zyrtare të partisë opozitare (të mëparshme) VMRO –DPMNE. Shumë më pak hapësirë i është dhënë partisë “E Majta” (Levica), për shkak të qëndrimeve të saj të vazhdueshme antishqiptare dhe kundër Kosovës, por edhe për shkak të qëndrimeve të saj konstante anti–evropiane dhe anti–NATO.
Një vit më vonë, mediat në gjuhën shqipe patën fokus të qartë dhe konstant afirmativ edhe mbi ndryshimet e propozuara kushtetuese, me të cilat edhe bullgarët bëhen pjesë e aktit më të lartë juridik të vendit.
Mediat shqipe: Ka apo s’ka dokument të partive shqiptare për ndryshimet kushtetuese?
Diskursin publik në kampin politik shqiptar para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, që u mbajtën më 24 prill dhe 8 maj 2024 e dominoi debati mbi ndryshimet kushtetuese. Por ky diskurs nuk shquhet për qasje të thellë analitike dhe kontekstualizuese të integrimit, pasi më tepër është i bazuar tek deklarimet e kohëpaskohshme të politikanëve.
Prononcimet kryesisht janë bërë dhe bëhen për qëllime partiake dhe politike, duke mos shmangur as hipokrizinë apo demagogjinë e paketuar në formë të propagandës, meqë dy palët që janë tani brenda një qeverie adresojnë deklarime që janë diametralisht të kundërta. Pala shqiptare i kumton publikut shqiptar se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin dhe nuk ka shmangie nga përcaktimi gjeostrategjik i vendit drejt BE. Ndërsa pala maqedonase deklarohet se nuk e ka ndërmend të bëjë kurrfarë kompromisi siç janë ndryshimet kushtetuese, që kryeministri dhe eksponentë të VMRO DPMNE–së i konsiderojnë si sakrifikim të qenies identitare të popullit maqedonas, edhe pse ky është kushti që të zhbllokohet procesi i integrimit.
Pjesa më e madhe e mediave shqipe edhe sa i përket integrimit në BE dëshmuan se janë nën ndikimin e madh të politikës, përkatësisht partive të proveniencave të ndryshme politike, pasi në vend që me vetënismë profesionale t’i ngrenë çështjet e rëndësishme që kanë interes publik, siç janë ndryshimet kushtetuese si kusht për integrimin e vendit në BE, mjaftohen duke e luajtur rolin instrumentalizues apo shërbyes, përkatësisht të “zëdhënësit” të politikës.
Reagime të mëdha në opinionin publik shkaktoi deklarata e kandidatit presidencial të koalicionit VLEN, Arben Taravari më 6 prill 2024 në debatin me kundër-kandidatin e Frontit Evropian, Bujar Osmani në TV 21, në të cilën pohoi se ka marrëveshje mes partive shqiptare, që të mos hyhet në qeverinë e re pa garanci për ndryshime kushtetuese.
“Për kushtëzimin për ndryshime kushtetuese, Taravari tregoi se ka marrëveshje xhentëlmenësh mes dy blloqeve.
-Me siguri z. Ahmeti ju ka treguar, ne kemi një marrëveshje xhentëlmene, VLEN-i dhe BDI-ja. Që nuk shkojmë në një qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese, një marrëveshje xhentëlmenë”, deklaroi Taravari në debatin në TV 21.
TV Alsat më 5 prill të vitit 2024 në kronikën me titull: “Fillimisht ndryshimet kushtetuese, pastaj Qeveria”, raportoi se opozita e atëhershme shqiptare tërhiqet nga konstatimi se ekziston dokument i nënshkruar mbi ndryshimet kushtetuese, për dallim nga BDI-ja, e cila këmbëngulte në të njëjtën:
“Ka apo jo dokument të shkruar me të cilin partitë shqiptare në vend janë zotuar të kushtëzojnë përbërjen e Qeverisë me ndryshimet kushtetuese? Sipas BDI-së, një marrëveshje e tillë është nënshkruar para disa muajve nga disa parti, disa nga koalicioni qeveritar, të tjerët nga opozita. Opozita shqiptare thotë se dokument i tillë i shkruar nuk ekziston. Fronti opozitar mbetet i mendimit se do të hyjë në koalicion qeveritar me partitë që mbështesin ndryshimet kushtetuese. Por, ata nuk theksuan se formimin e Qeverisë e kushtëzojnë me ndryshimin e Kushtetutës, duke lënë ndoshta të hapur mundësinë që kjo të ndodhë pas formimit të Qeverisë”, raportoi TV Alsat.
Jehonë të madhe ka pasur edhe qëndrimi i nënkryetarit të atëhershëm të partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, i dhënë më 14 maj 2024 lidhur me dokumentin: ”Zeqirija Ibrahimi e sfidon Frontin: Publikojeni letrën e nënshkruar, nëse e keni, ose kërkoni falje që mashtroni!“.
Një pjesë e madhe e mediave raportuan edhe qëndrimet e ish kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të liderit të atëhershëm të opozitës, Hristijan Micksoski.
“Lideri i LSDM-së, Kovaçevski, ka sqaruar se nuk është i njohur me një dokument të quajtur non-paper, i cili pretendohej të ketë nënshkruar marrëveshjen midis partive të bllokut shqiptar për mosformimin e koalicionit me parti të tjera pas zgjedhjeve që nuk pranojnë kërkesat e tyre...Nga ana tjetër, VMRO ka qëndruar kritike ndaj ndryshimeve kushtetuese, duke theksuar në veçanti shqetësimin për efektin e vonuar të amendamenteve. Lideri i tyre, Mickoski akuzoi se marrëveshja në Bullgari nuk ka mbrojtur gjuhën dhe identitetin maqedonas”, raportuan mediat shqipe.
Mediat shqipe më 14 maj kanë raportuar edhe qëndrimin e përfaqësuesit të VMRO DPMNE-së, Stefan Andonovski, ndërsa titulli mbi këtë qëndrim ishte: “Taravari dha afat 6 muaj për Ndryshimet kushtetuese, Andonovski: VMRO nuk funksionon nën diktat, çështjet duhet diskutuar ndryshe”.
Fokus mediatik mbi kushtëzimin politik të ndryshimeve kushtetuese
Mediat shqipe e kanë trajtuar në masë të madhe procesin e integrimit, por duke u fokusuar tek ndryshimet kushtetuese që kushtëzoheshin nga pala shqiptare, gjë që mund të thuhet se është edhe rezultat i ndikimit të etnocentrizmit ndaj përmbajtjeve mediatike.
TV 21 raportoi qëndrimin e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shprehur më 13 maj të vitit 2024 lidhur me afatin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ky televizion raportoi me titullin: “Nëse ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për 6 muaj, do ta shqyrtojmë pjesëmarrjen në Qeveri”.
“Ne na duheshin 10 vite VMRO dhe BDI, pa kushtëzime, pa asgjë, që të humbin 10 vite për t’u bërë pjesë e NATO-s. VLEN është garancë në Qeveri se me çdo kusht do të insistojë që sa më shpejt të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian dhe të bëhen ndryshimet kushtetuese, se ai është kusht”, citohet Taravari në raportin e TV 21.
Pas kësaj deklarate, tema e integrimit në mediat shqipe u zbeh në kuptimin e trajtimit mediatik në rrafshin informativ, ndërsa për atë analitik dhe hulumtues as që bëhet fjalë. Zbehje ka pasur edhe në trajtimin e kësaj teme në kolumna në gazeta apo portalet onlajn. Kjo qasje ndërlidhet edhe me faktin që media shqipe ishte e fokusuar tek negociatat për zgjedhjen e qeverisë, ndarjen e dikastereve dhe drejtorive, emrat e ministrave e zëvendësministrave e shumë informacione sipërfaqësore që nuk kanë interes publik, pasi shpesh emrat raportoheshin pa bekgraundin e tyre profesional dhe të kompetencës për postet e marra.
Zbehje të intensitetit të raportimit mbi eurointegrimet ka pasur edhe pas formimit të qeverisë. Në skenën politike gjatë periudhës 100 ditore të qeverisë së re kanë dominuar çështjet e brendshme të ndjeshme politike që kanë shkaktuar përplasje etnike. Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, heqjen e instrumentit të quajtur “balancuesi” për punësim në administratën shtetërore dhe publike, propozimi i koalicionit VLEN për Akademi shqiptare të shkencave dhe arteve dhe Ligjin e propozuar nga Lidhja Socialdemokrate për mbrojtësit e forcave të armatosura të vendit, që kanë luftuar në vitin 2001.
TV 21: Koalicioni VLEN tërhiqet nga gjashtëmujori kushtëzues
Ndonëse nuk kanë qenë konsistente sa duhet sa i përket raportimit dhe trajtimit analitik dhe interpretues mbi integrimin, mediat shqipe kanë ruajtur vazhdimësi në raportimin lidhur me afatet kushtëzuese mbi ndryshimet kushtetuese.
TV 21 më 9 gusht 2024 transmetoi kronikën, sipas të cilës koalicioni VLEN heq dorë nga afati kushtëzues për ndryshimet kushtetuese, me titull: “VLEN e zhvendos afatin për ndryshimet e kushtetuese – Në vend të 6 muajve, në afat të pacaktuar.”.
“Koalicioni VLEN tërhiqet nga afati gjashtëmujor për vendosjen e Bullgarëve në Kushtetutë…Nga koalicioni disa herë theksuan se kanë dhënë afat prej 6 muajve, mirëpo nga ana tjetër kryeministri Hristijan Mickoski, thoshte se nuk punon me afate dhe ultimatume. VLEN tani e prolongoi afatin, por nuk dihet deri kur. Sipas tyre, fajin e ka Bullgaria. “Po të kishte qeveri funksionale në Bullgari, mendoj se tashmë do t’i kishim filluar negociatat për të arritur marrëveshje mes RMV-së dhe Bullgarisë. Duke pasur parasysh gjendjen në Republikën e Bullgarisë, mendoj se ka hapësirë këtu në koordinim me faktorin ndërkombëtar, që të shtyhet afati”, tha Fari Iseni, zëdhënës i koalicionit VLEN”, raportoi TV 21.
Pas deklaratës kushtëzuese të Taravarit, më 12 gusht 2024, TV 21 transmetoi kronikën, në të cilën edhe Taravari përgënjeshtron veten lidhur me ndryshimet kushtetuese, me titullin: ”VLEN taktizon me afatin për ndryshimet kushtetuese – Taravari: Pas 6 muajve do të ulemi për të biseduar për ndryshimet”.
“Koalicioni VLEN pas 6 muajve qeverisje sërish do të ulet për të biseduar për çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Këtë e konfirmoi njëri prej liderëve të koalicionit, Arben Taravari. Ai në periudhën parazgjedhore thoshte se pas 6 muajve të mandatit, do ta rishqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre në qeveri por tani nuk sqaroi nëse nga kjo çështje varet pjesëmarrja e tyre në koalicionin qeveritar”, raportoi TV 21.
Mediat shqipe gjithashtu i dhanë hapësirë të konsiderueshme edhe deklaratës së liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i cili është në emisionin Click plus të TV 21 është shprehur se “Kjo qeveri ka mbyllur kapitullin për eurointegrime dhe nuk e ka në plan këtë, as të bëj ndryshime kushtetuese“. Ajo që është për t’u veçuar është fakti që kjo deklaratë kryesisht u transmetua në portale, por jo edhe në mediat tjera tradicionale. (Albazone, Top24, Infoshqip, TVNews).
Deklaratat e kryeministrit Mickoski për ndryshimet kushtetuese raportohen objektivisht
Edhe pse mediat shqipe shpesh kanë qasje etnocentrike kur trajtojnë çështjet e ndjeshme të shtetit, kur raportojnë mbi qëndrimet zyrtare të kryeministrit mbi temën e eurointegrimeve shquhen për objektivitet dhe saktësi, që janë parime themelore profesionale të gazetarisë.
Një pjesë e madhe e mediave shqipe i dhanë hapësirë të konsiderueshme deklaratës së liderit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më 2 shtator të vitit 2024, i cili si kryeministër pajtohet me votimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të hyjnë në fuqi vetëm atëherë kur vendi do të bëhet anëtar i BE: Titulli i mediave ishte “Mickoski: Ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar janë zgjidhje e mundshme, nëse ka garanci për anëtarësim në BE”.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se si “shtet nuk mund të hyjmë në një proces naiv ku do të bëjmë vetëm lëshime pa pasur garanci të qartë se si shtet do të jemi pjesë e familjes evropiane”. Ai tha se meqë askush nuk mund të garantojë asgjë, nuk do të jetë aq optimistë sa do të donte të ishte”, raportuan mediat shqipe.
Para takimeve zyrtare të kryeministrit Mickoski me zyrtarët evropianë në Bruksel më 19 shtator 2024, TV Alsat në mënyrë objektive dhe korrekte transmetoi deklaratat e tij lidhur me të ardhmen evropiane të vendit. Titulli i këtij televizioni ishte: “Mickoski: Është e rëndësishme të dihet se kur do t’i përfundojmë negociatat”.
“Nëse ngrihet tema e integrimeve evropiane, ai do të përcjellë frustrimet e popullit maqedonas. “Siç ishte në të kaluarën kur ishim opozitë, edhe tani si pushtet, tash kemi edhe më shumë argumente, duam t’i paraqesim ato, duam të përcjellim zhgënjimin e qytetarëve të Maqedonisë atje, sepse zhgënjimi është i madh, sepse më shumë se dy dekada e gjysmë pasi filluam rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, më shumë se një dekadë e gjysmë pasi morëm raportin e parë pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin e këtyre negociatave, ne nuk jemi në gjendje për të filluar. Jo sepse nuk respektojmë kriteret e Kopenhagës, jo sepse nuk jemi adhurues të vlerave evropiane, por sepse ka pengesa të imponuara artificialisht që asnjë komb apo shtet nuk i ka pasur, siç i kemi ne”, tha Mickoski”, raportoi TV Alsat.
Një pjesë e mediave shqipe deklaratën e Mickoskit e transmetuan me titullin: “Mickoski: Në Bruksel do të përcjell zhgënjimin e qytetarëve për rrugën e vendit drejt BE-së” (Inaonline, Lajmpress, Tetovasot, Telegrafi).
Ndërsa, TV Klan Maqedonia raportoi me titullin “Vizita e Mickoskit në Bruksel/ Mickoski: Në Bruksel do t’i mbrojë interesat e Maqedonisë“. “Qytetarët të jenë të sigurt se do të luftojmë dhe arrijmë të mbrojmë interesat maqedonase”, ka shtuar Mickoski, raportoi TV Klan Maqedonia.
Ajo që është për t’u nënvizuar është fakti se kur bëhet fjalë për raportimin mbi çështjet е integrimit në BE, pjesa më e madhe e mediave onlajn apo portalet bazohen tek televizionet nacionale komerciale, kryesisht tek TV Alsat ose televizionet kabllore nacionale, kryesisht tek TV 21, gjë që flet për kapacitete të vobekta profesionale të redaksive tjera.
Kjo ka ndodhur edhe ditën e vizitës së kryeministrit në Bruksel, në të cilën e prezantoi “propozimin plotësues francez”, i cili synon që çështjet dypalëshe të mos jenë pjesë e negociatave me BE-në. TV Alsat raportoi me titullin “Mickoski: Më s‘mund të pranojmë ultimatume, nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë“, ngjashëm siç kanë raportuar edhe shumë portale, gjë që vërtetohet nga portali për grumbullimin e lajmeve në gjuhën shqipe Fax.al.
Mediat shqipe me raportim korrekt për qëndrimet e Mickoskit lidhur me Komisionin Historik me Bullgarinë
Në mediat shqipe deklaratat e kryeministrit Mickoski kundër ish-anëtarëve të Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore me Bullgarinë janë publikuar në mënyrë korrekte dhe objektive. Deklarimet e kryeministrit e kanë aktualizuar në mediat shqipe punën e këtij komisioni. Derisa nuk pati përplasje mes kryeministrit dhe ish kreut të Komisionit, Dragi Gjorgjiev, raportimi mbi komisionin ka qenë tepër i zvetënuar, gjë që e dëshmon qasjen e një pjese të mediave shqipe se problemi me Bullgarinë në fakt trajtohet si problem etnik i maqedonasve.
Titulli i mediave shqipe më 12 shtator ishte “Mickoski akuzon anëtarët për tradhëti”, ndërsa bazohej tek deklarata e kryeministrit:
“Le të përfshihet OSBE-ja, por organet e inspektimit dhe hetimit do të përfshihen tani për të parë se ku janë shpenzuar paratë. Dhe ata do të përfshihen për të parë se për çfarë janë shpenzuar paratë, sa janë paratë e atyre që nuk kanë bërë asgjë në vitet e kaluara, dmth kanë turpëruar popullin e Maqedonisë dhe kanë shitur interesat maqedonase”, deklaronte Mickoski.
Sipas mediave shqipe, edhe më 26 gusht 2024 kryeministri Mickoski kishte adresuar kritika të ashpra në adresë të ish anëtarëve të komisionit. Titulli i mediave shqipe ishte “Mickoski: Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar nuk ka qenë mbrojtës i interesave të RMV-së“.
Jehona e deklaratës së Nikollovskit: Shqipëria nuk do të anëtarësohet në BE!
Një deklaratë, e cila ditëve të fundit ka shkaktuar jehonë të madhe, por negative në mediat e vendit, ka qenë ajo e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, sipas të cilit Shqipëria asnjëherë nuk do të jetë pjesë e BE-së. Edhe pse kjo deklaratë pati konotacion negativ në opinion publik shqiptar, pasi u lexua si tendencë ndaj Shqipërisë, në fakt objektiviteti i kësaj deklarate është ndryshe nga interpretimi. “Unë deklaroj se Shqipëria kur nuk do të jetë anëtare e BE-së. Jo për shkak të Shqipërisë, por për shkak të qasjes së BE-së”, ishte shprehur Nikollovski.
Hapësirë e konsiderueshme për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut drejt BE-së
Vendimi i vendeve anëtare të BE që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia dhe më 15 tetor në Luksemburg të nisë negociatat rreth kapitujve për anëtarësim në BE, ka marrë hapësirë të madhe në mediat shqipe. Arsyeja kryesore ndërlidhet me faktin se ky vendim e lë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në status-quo, që në fakt është lajm i keq për qytetarët e vendit. Sipas raportimeve mediatike, Maqedonia e Veriut ngel në vend për shkak të mosgatishmërisë së palës qeveritare të përfshijë bullgarët në Kushtetutë, ndërsa nënvizojnë se Shqipëria ec para në rrugëtimin integrues në krahasim me vendin tonë i cili me këtë vendim e konfirmon ngecjen në proces.
“Maqedonia e Veriut dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE – Ndahet nga Shqipëria“, është titulli i kronikës së TV Alsat, e botuar më 26 shtator 2024.
“Rruga e pranimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që do të hapen zyrtarisht për Tiranën më 15 tetor, sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan Alsat. Hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare më hapjen e Kllasterit të Parë – Themeloret. Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE”, raportoi TV Alsat.
TV 21 raportoi me titullin “Shqipëria me dritë jeshile për në BE, po Maqedonia? Mickoski: Me diktate, jo, faleminderit“, i cili ia bën me dije qartë publikut shqiptar diskursin dhe orientimin e qeverisë ndaj Evropës.
“Shqipëria merr dritë jeshile në rrugën drejt BE-së. Jozyrtarisht, konferenca e dytë ndërqeveritare në Tiranë u caktua për më 15 tetor, ndërsa Maqedonia mbetet në dhomën e pritjes. Kryeministri Hristijan Mickoski duke e komentuar gjendjen, thotë se “Nuk duhet më në llogari të lëshimeve nacionale dhe të identitetit, pa garanci, të pranojmë kushte. Sipas meje ky është diktat. Nëse ky është kushti që Maqedonia t’i vazhdojë negociatat, atëherë, e thashë edhe në Bruksel, jo, faleminderit”, tha Hristijan Mickoski”, raportoi TV 21.
Portali Inaonline në lajmin me titull “Ose bullgarët në Kushtetutë, ose mbyllet rruga evropiane, Shkupi të vendos?!“prezantoi qëndrimin e dy ish-kryeministrave të Bullgarisë, Bojko Borisov dhe Kiril Petkov, të cilët thanë se Marrëveshja e fqinjësisë së mirë duhet të respektohet. “Ata u bënë thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të vendosin nëse do t’i përfshijnë bullgarët në Kushtetutë apo nëse rruga e tyre drejt BE-së do të mbetet të mbyllura, raportoi INA.
Shumë media raportuan me titullin “Media bullgare: Shqipëria fillon bisedimet me BEnë më 15 tetor, ndahen rrugët me Maqedoninë e Veriut“. Në fakt, lajmi për shkëputjen e Tiranës nga Shkupi u publikua nga Radioja Bullgare BNR, duke u thirrur në burime diplomatike.
Portali Zhurnal lidhur me këtë çështje ka publikuar edhe shkrimin me titull “Moment ideal për të vazhduar rrugën drejt BE-së“, në të cilin ofron kontekstualizim historik bashkëkohor lidhur me kontestin me Sofjen:
“Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në”, raportoi Zhurnal.
TV Shenja raportoi me titullin “Konfirmohet ‘ngelja’ e Maqedonisë drejt BE-së, Mexhiti pret informacione zyrtare“.
Ndër kolumnat e rralla që i kushtohet ndarjes së vendit nga Tirana dhe hapjes së kapitujve në negociatat me Shqipërinë është ajo e profesoreshës Besa Arifi me titull “Disa ecin para, të tjerët ngecin pas“.
“Vendimi i BE-së përfaqëson një fitore për Shqipërinë dhe një moment kritik për Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Shqipëria bën hapa të rëndësishëm përpara, Maqedonia e Veriut përballet me pasojat e mosveprimit politik, duke vonuar ambicien e saj të gjatë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, shkruan Arifi në Portalb.
Në ditën e raportimit të lajmit për ndarjen e Shqipërisë, mediat shqipe raportuan se “100 mijë maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare“.
Mediat shqipe me intonacion informativ kanë raportuar edhe mbi miratimin e Deklaratës së Parlamentit bullgar për të ndaluar fushatën anti-bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Parlamenti bullgar insiston në kthimin e dialogut pozitiv të ndërprerë nga RMV dhe ndalimin e fushatës antibullgare dhe deklaratave provokuese ndaj Bullgarisë në RMV. Deklarata konfirmon vullnetin e shtetit dhe institucioneve bullgare për organizimin e festimeve të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, duke pasur parasysh historinë e pasur të përbashkët të dy vendeve. Asambleja Kombëtare gjithashtu nuk pajtohet fuqishëm me mohimin e historisë së përbashkët të RMV-së dhe Bullgarisë nga anëtarët e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe beson se kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2017”, raportuan mediat shqipe.
Siç vërehet nga raportimet dhe interpretimet, mediat shqipe kanë pasur qasje të balancuar ndaj aktorëve të përfshirë në çështjet që kanë të bëjnë me procesin e eurointegrimeve, pasi hapësirë i është dhënë zërave nga qeveria, por edhe opozita, edhe pse në tituj është vërejtur doza e zhgënjimit që vendi ngec.
Përfundime
Çështja e eurointegrimeve në mediat shqipe është zëvendësuar me debatin për ndryshimet kushtetuese, që kanë qenë kusht për integrim në BE. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se në diskursin publik në gjuhën shqipe nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese është interpretuar si e domosdoshme.
Mediat në gjuhën shqipe janë vetëmjaftuar duke bërë gazetari raportuese sipërfaqësore, që nënkupton gazetari transmetuese të deklaratave lidhur me çështjet integruese, pa hyrë në analiza dhe interpretime. Ky fakt i përkufizon mediat si zgjatim i politikës, pasi ato kanë ngritur rrallë çështjet që janë me interes publik e që kanë ndërlidhje me integrimin.
Nuk ka pasur analiza se cili do të jetë ndikimi i mosvotimit të ndryshimeve kushtetuese ndaj stabilitetit të vendit në aspektin e sigurisë, ndaj rritjes ekonomike, ndaj reformave në administratën shtetërore dhe publike, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e në sektorë tjerë.
Nuk është trajtuar aspak çështja se çfarë do të ndodh me procesin e integrimit të vendit nëse nuk pranohet “propozimi plotësues francez” i përfaqësuesve të pushtetit dhe vallë qeveria ofron alternativë aleanciste ndërkombëtare nëse integrimi mbetet i bllokuar si rezultat i kushtëzimit nga pala bullgare.
Ajo që vërehet si trend dhe që nuk është i kohës së fundit është fakti që diskursin publik në ambientin mediatik në gjuhën shqipe për këtë temë e diktojnë mediat tradicionale përkatësisht televizionet nacionale, ndërsa në këtë drejtim prijnë TV Alsat dhe TV 21, nga të cilat portalet i kopjojnë lajmet dhe raportet mediatike. Në këtë mënyrë lulëzon gazetaria copy-paste, ndërsa një pjesë e njerëzve që punojnë në portale shndërrohen në shpërndarës të lajmeve.
Në mediat shqipe deklaratat e politikanëve maqedonas janë transmetuar në mënyrë objektive dhe korrekte, që zakonisht ndodh kur bëhen për tema të politikës së jashtme përkatësisht të integrimit. Por, duhet veçuar dominimin në diskursin mediatik të kryeministrit Hristijan Mickoski, që është rezultat i deklarimeve të tij të përditshme për tema e çështje të ndryshme, sidomos edhe rreth eurointegrimeve, ngjashëm siç ndodhte edhe me ish kryeministrin Zoran Zaev. Që nga formimi i qeverisë së re në komunikim politik të pushtetit ekzekutiv kemi monopol nga kryeministri, gjë që flet për tendenca të kontrollit ndaj “pushtetit të komunikimit”, pasi shefi i qeverisë u përgjigjet mediave që nga çështje që kanë të bëjnë me politikën sociale deri tek ato gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Paralelizmi etnik vërehet edhe në këtë drejtim, pasi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti bën të njëjtën në komunikim me mediat shqipe. Të rrallë janë zyrtarët tjerë qeveritarë, të cilët deklarohen për mediat mbi çështje të ndryshme.
Rekomandime
Mediat duhet të përforcojnë qasjen profesionale dhe të thelluar analitike mbi eurointegrimet, ndërsa në këtë drejtim duhet të përforcohen kapacitetet e redaksive me gazetarë të specializuar të fushës, që do të shkojnë përtej deklaratave publike.
Nevojiten trajtime analitike mediatike, por edhe debate televizive dhe podkaste lidhur me status quonë, në të cilën gjendet vendi dhe si do të reflektohet kjo ndaj marrëdhënieve ndëretnike, raporteve midis pushtetit dhe opozitës, raporteve brenda koalicionit qeveritar, zhvillimit të ekonomisë me theks të veçantë ndaj tërheqjes së investimeve të jashtme dhe papunësisë. Fokus i mediave duhet të jetë edhe ndikimi i bllokimit të integrimit ndaj dimensionit demografik përkatësisht migrimit të qytetarëve jashtë vendit, në veçanti të “trurit”, kryesisht në fushën e IT-së dhe mjekësisë.
Duhet të trajtohet çështja se a ka qeveria opsion rezervë që nënkupton aleancë me shtete të ndryshme, nëse dështon procesi i integrimit në BE, si pasojë e bllokimit nga Bullgaria fqinje dhe mosgatishmëria e pushtetit për t’u miratuar ndryshimet kushtetuese. Përveç zërave zyrtarë, ndër të cilët dominues është ai i kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, mediat duhet të bëjnë përpjekje të sigurojnë pluralizëm mendimesh lidhur me temën e eurointegrimeve, pasi nuk duhet të lejohet që qeveria të jetë filtruesja dominuese e deklarimeve publike mbi këtë temë.
Përveç kësaj, për publikun vendas nevojitet të shpjegohet edhe konteksti i sistemit politik bullgar, formimi i qeverisë së re dhe sa integrimi i vendit tonë zë vend në diskursin politik dhe mediatik të Sofjes dhe se a ka gjasa që të ndryshojë kursi i politikës bullgare ndaj Shkupit.
Duhet theksuar se asnjëra nga mediat shqipe nuk ka korrespondent të angazhuar në Bruksel, që do të thotë se në të ardhmen duhet të mendohet edhe për këtë dimension. Që të mos kemi gazetari që i ngjan “veza vezës”, mediat e sidomos portalet duhet të angazhohen që të prodhojnë vetë lajme dhe përmbajtje autoriale mediatike, pasi kjo do të rrisë besueshmërinë dhe ndikimin e tyre publik.