Premiera e “Biznesit të kënaqësisë” në RMV, dashuria, familja dhe aspiratat për drejtësi na udhëheqin të gjithëve
Historia e filmit debutues të regjisorit Goce Cvetanovski sillet rreth gazetares Eleni, e cila është e opsesionuar pas zhdukjes së shoqes së saj më të mirë, e cila u bë viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime seksuale. Gazetarja përgatit një operacion sekret për ta zbuluar rrjetin kriminal. Por teksa bashkëpunëtorët e saj i […]
Historia e filmit debutues të regjisorit Goce Cvetanovski sillet rreth gazetares Eleni, e cila është e opsesionuar pas zhdukjes së shoqes së saj më të mirë, e cila u bë viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime seksuale. Gazetarja përgatit një operacion sekret për ta zbuluar rrjetin kriminal. Por teksa bashkëpunëtorët e saj i afrohen shefit të trafikimit, situata del jashtë kontrollit dhe ata bëjnë luftë për të shpëtuar gjallë, transmeton Portalb.mk.
Ky është një film për dashurinë dhe miqësinë, për atë se çfarë do të thotë të humbasësh dikë dhe si përballemi me këtë humbje. Në të njëjtën kohë, filmi trajton një temë shumë të rëndësishme – dimensionin politik të trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime seksuale. Kjo temë është veçanërisht e rëndësishme nëse e marrim parasysh faktin se sipas hulumtimit të EUROSTAT në vitin 2021, 68,4 përqind e viktimave të regjistruara të trafikimit të qenieve njerëzore në BE kanë qenë gra ose vajza, ndërsa shfrytëzimi seksual ka qenë forma dominante e shfrytëzimit.
Regjisori Cvetanovski, i cili është edhe autor i skenarit, idenë për filmin e ka marrë në Francë kur ka qenë student dhe i është dhënë për detyrë ta dokumentonte dhe studionte një temë për të cilën nuk ka pasur njohuri.
“Hasa në një histori për trafikimin e grave në Evropë dhe më ngjalli interes sepse ai zinxhir i trafikimit kalonte nëpër Maqedoni. Atëherë e studiova këtë temë aq sa munda, atëkohë interneti nuk ishte aq i zhvilluar, qasja në disa informacione nuk ishte aq e lehtë. Por tema mu duk shumë interesante dhe skenarin e diplomimit e kam punuar në atë temë”, tha Cvetanovski.
Rolet në “Biznesi i kënaqësisë” luhen nga një kastë multietnike dhe e larmishme, e cila nuk është aq e zakonshme në filmat në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në ekran mund të shohim aktorë si Musa Isufi, Slagjana Vujosheviq, Ismail Kasumi, Damjan Cvetanovski, Osman Ahmeti, Eleni Dekidis, Mendim Murtezi, Egzona Salihu, Avni Dalipi dhe Katerina Kocevska.
Regjisori thotë se përvoja dhe bashkëpunimi kanë qenë jashtëzakonisht pozitivë dhe është krenar që ky film funksionon me një ekip multietnik dhe me një temë multietnike.
“Edhe pse ky film ka një ekip multietnik, ndryshe nga shumica e filmave në Maqedoni ku shohim një anë maqedonase dhe atë shqiptare, ky film tregon një histori për njerëzit. Nga të dyja anët ka të mirë dhe të këqinj, nuk mund të ndahemi kështu. Në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz dhe ajo që ka rëndësi është se kush sa humanitet ka. Të gjithë kemi të njëjtat shtysa, dashurinë, familjen, ndonjëherë edhe hakmarrjen kur dikush na bën keq. Ajo që është më e fuqishme në këtë film është se nuk bëhet fjalë për grupe të veçanta etnike, por për njerëz”, thotë Cvetanovski.
Filmi na ofron një përvojë vizuale të jashtëzakonshme – në atmosferën e një nate me shi në Shkup ku zhvillohet i gjithë aksioni, dalë ngadalë na zbulohet një botë paralele. Në të njëjtën kohë u jep një dritë të re lokacioneve të njohura të qytetit dhe na bën t’i shohim ata me një sy ndryshe, e gjithë kjo falë drejtorit të fotografisë Fejmi Daut, i cili është edhe fitues i çmimit Kamera më e mirë në edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR në Tiranë për të njëjtin film.
Gjatë këtij viti filmi bëri turne në pesë kontinente, fitoi 32 përzgjedhje dhe mori 10 çmime, pesë prej të cilave ishin për filmin më të mirë.
“Biznesi i kënaqësisë” do të bëhet pjesë e repertorit të rregullt për publikun e Shkupit. Nga java e ardhshme do të shfaqet në kinemanë “Kinoverzum” në Kisella Vodë, e më pas edhe në qytetet e tjera anembanë Maqedonisë.
Filmi është financuar nga Agjencia e Filmit. Filmi ka përkthim në gjuhën shiqpe.