Presidenca e Kosovës thotë se Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani, është penguar në Aeroportin e Shkupit. Këshilltari politik i Osmani, Bekim Kupina tha se presidentes së Kosovës është tentuar t’i merret telefoni personal nga […]

gusht 2, 2024 - 06:31
 0  8
Presidenca e Kosovës thotë se Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani, është penguar në Aeroportin e Shkupit.

Këshilltari politik i Osmani, Bekim Kupina tha se presidentes së Kosovës është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit. Por, autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare.

Kupina tha se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”, tha Kupina.

Kupina tha se edhe pse ishte kundër rregullave ishte lejuar që të merrej çanta personale e dorës së presidentes, “mirëpo për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.

Sipas tij, sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim të Osmanit, përfshirë edhe në shtetet mosnjohëse.

“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, tha ai, duke shtuar se për këtë incident është njoftuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderojmë për ndihmën e ofruar.

Por, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha përmes një njoftimi se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

“Por, më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”, u tha në njoftim.

Pala maqedonase tha se ka nisur hetimet për këtë rast.

Por, Kupina akuzoi Shkupin zyrtar se edhe pas kalimit të kontrollit kufitar, avioni komercial me të cilin po udhëtonte Osmani për në Slloveni nuk u nis për më shumë se një orë, “me me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim”. Kupina pretendoi se pala sllovene informoi Kosovën se kjo nuk ishte e vërtetë.

“Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë si sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës”, tha Kupina.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre./REL