Presidenca i reagon AGK-së: Reagimi i Presidentes erdhi si rezultati i cenimit nga e drejta për informim të dejtë
Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish në lidhje me raportimet për vrasjen Ferizaj. Presidenca i është përgjigjur AGK-së, duke e quajtur reagimin e tyre jo të drejtë. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përpara se të na tregojë rrugën të cilën duhet ndjekur për ato që i quan “pakënaqësi”, duhet të tregojë nëse kjo mënyrë raportimi […]
Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish në lidhje me raportimet për vrasjen Ferizaj.
Presidenca i është përgjigjur AGK-së, duke e quajtur reagimin e tyre jo të drejtë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përpara se të na tregojë rrugën të cilën duhet ndjekur për ato që i quan “pakënaqësi”, duhet të tregojë nëse kjo mënyrë raportimi siç bën disa portale është në përputhje me standardin profesional”.
“Siç konfirmon edhe vetë AGK-ja, “është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes””, thuhet nga Presidenca.
Presidenca thotë se në rastin konkret, reagimi i Presidentes vjen pikërisht si rezultati i cenimit nga e drejta për informim të dejtë, të saktë dhe me fakte të konfirmuara.
“Kjo ngase, në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të standardit profesional, duke e implikuar Presidenten qëllimshëm në një situatë, e cila në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me të”.
“Do të ishte tejet korrekte që AGK-ja në këtë reagim së paku në një pasus të apelonte për respektim të standardeve profesionale gjatë raportimit, jo vetëm në këtë rast. Kjo çfarë ndodhi sot nuk paraqet raportim, por fushatë me qëllim denigrimi të figurës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, e cila, siç po dëshmohet, është duke nxitur dhunë e urrejtje”.
Presidenca thotë se ky “raportim”, nuk ishte as etik e as profesional.
“Presidentja në reagimin e saj publik ka bërë thirrje për hetim të plotë të rrethanave që thuhet se kanë shpier deri te vrasja. Ajo në asnjë moment, nuk i jep epilog rastit, por kërkon hetim të plotë dhe veprim me prioritet të organeve të drejtësisë. Por, Presidentja kërkon poashtu që të hetohen motivet e ulëta që shpien tek implikimi i saj, duke e akuzuar madje edhe për ndikim në sistemin e drejtësisë së Serbisë, e rrjedhimisht duke e akuzuar për parandalim të drejtësisë për rrethana që ajo kurrë nuk ka pasur njohuri, e aq më pak ndonjë lidhje me to. Secili gazetar dhe e gjithë AGK-ja e dijnë shumë mirë se Presidentja kurrë nuk ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, e lëre më atë të Serbisë”, vijon reagimi i Presidencës.
Presidenca mohon që të ketë akuzuar mediat në fjalë se po punojnë për Serbinë.
“Dhe në fund, Presidentja askund nuk i ka akuzuar mediat se punojnë për Serbinë, por ka thënë se akuza të ngjashme të fabrikuara kanë publikuar edhe mediat e Serbisë. Kjo gjë faktohet lehtë, sepse të gjitha janë publike”.
“I takon AGK-së, të ndihmojë në mbrojtjen e standardit profesional të raportimit, sepse vetëm në këtë mënyrë ka kuptim fjala e lirë dhe e drejta për raportim. “Gazetaria”, që nxit urrejtje e prodhon shpifje është në dëm e jo në dobi të gazetarisë”, përfundon reagimi./Telegrafi/