Presidentja maqedonase shkarkon Musliun nga drejtimi i Agjencisë së Zbulimit
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka shkarkuar Erolld Musliun nga posti i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, i cili ishte duke shërbyer në mandatin e dytë. Në vend të Musliut është emëruar Gabriela Jakovleva, e cila, sipas njoftimit të Presidencës maqedonase, vjen nga radhët e agjencisë. “Është e qartë se presidentja u dorëzua […]
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka shkarkuar Erolld Musliun nga posti i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, i cili ishte duke shërbyer në mandatin e dytë.
Në vend të Musliut është emëruar Gabriela Jakovleva, e cila, sipas njoftimit të Presidencës maqedonase, vjen nga radhët e agjencisë.
“Është e qartë se presidentja u dorëzua para presionit të partisë”, u përgjigj ish-shefi i inteligjencës maqedonase, Erolld Musliu, përmes një reagimi.
Ai tha se është i zhgënjyer me vendimin, duke shtuar se në rastin e shkarkimit të tij nuk ka asnjë justifikim ligjor e as sistem meritë, për të cilat sipas tij Silanovska-Davkova flet vazhdimisht publikisht.
“Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për t’u takuar në një takim njoftimi për t’i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon. Detyrën e drejtorit të agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare”, tha ai.
Në njoftimin e Presidencës maqedonase nuk u dhanë detaje për arsyen e shkarkimit të Musliut.
Ai u emërua për mandat të dytë për të udhëhequr agjencinë më 19 maj 2023 nga ish-presidenti, Stevo Pendarovski, dhe kishte mandat deri më 2027.
Sipas ligjit për Agjencinë e Zbulimit, drejtori emërohet apo shkarkohet nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.