Punonjësit e kulturës në RMV të martën do të protestojnë për vonesën e pagave, ministria pretendon se do ta marrin me rritje

“Shtypës i të drejtave të punonjësve të kulturës”. Artistë dhe punëtorë të kulturës nga institucionet shtetërore këtë epitet ia kanë dhënë ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov. Të indinjuar që mbetën pa pagesë për festën më të madhe të krishterë, Pashkët, Sindikata e Kulturës caktoi protestë për të martën, për të shprehur qartë pakënaqësinë […]

Prill 18, 2025 - 18:00
 0  5
Punonjësit e kulturës në RMV të martën do të protestojnë për vonesën e pagave, ministria pretendon se do ta marrin me rritje
Ministria e Kultures. Foto nga Faton Curri

“Shtypës i të drejtave të punonjësve të kulturës”. Artistë dhe punëtorë të kulturës nga institucionet shtetërore këtë epitet ia kanë dhënë ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov. Të indinjuar që mbetën pa pagesë për festën më të madhe të krishterë, Pashkët, Sindikata e Kulturës caktoi protestë për të martën, për të shprehur qartë pakënaqësinë e tyre para dyerve të Kulturës, transmeton Portalb.mk.

Ata bëjnë të ditur se do të bëjnë edhe një betejë ligjore për të drejtat e punëtorëve.

“Pas kësaj do të ndërmarrim veprime tjera. Ndaj drejtorëve të institucioneve do të ngrihen kallëzime penale nëse bëjnë rregullim të pabazuar të pagave që nuk do të jenë në përputhje me marrëveshjet kolektive. Do të paraqiten padi individuale në institucionet për kërkesat monetare, për vonesa në pagesën e pagave për tri vitet e fundit”, tha Vera Atanasovska – kryetare e SKRM-së.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit sqaroi se punonjësit do të marrin pagat, me rritjen e nevojshme, në dy ditët e para të punës të javës së ardhshme.

“Ministria e Kulturës dhe Turizmit bën me dije se punonjësit në institucionet kulturore do t’i marrin pagat me rritjen e nevojshme në dy ditët e para të punës të javës së ardhshme, në përputhje me Ligjin dhe Kontratën Kolektive. Arsyet e vonesës janë për shkak të barazimit të përllogaritjeve të pagave me Ministrinë e Financave”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Ndërkohë pa paga brenda afatit ligjor kanë mbetur jo vetëm punonjësit e kulturës por edhe pjesë të tjera të sektorit publik. Dje vonë u pagua vetëm për punonjësit e qendrave të punës sociale.

Megjithatë, punonjësit në Ekonomi, Inspektoriatin e Tregut dhe Inspektoratin e Punës janë ende pa pagesë.

Për këtë ka reaguar opozita me pyetjen – kush do të mbajë përgjegjësi?

“DPMNE dhunshëm dhe pa grimë ndërgjegje po e shkel Ligjin për pagesën e pagave për të gjithë të punësuarit deri në datën 15 të muajit aktual, për muajin paraprak. Ose ligjet nuk vlejnë për Qeverinë e Mickoskit ose nuk kujdesen fare për punëtorët. Punonjësit e sektorit publik meritojnë të dinë se kush nuk do të jetë përgjegjës për këtë?!” thotë Kristina Kostova – nënkryetare e LSDM-së”.

Ndryshe, në sektorin publik ata të punësuar që kanë marrë pagat për muajin mars janë paguar pa ngritje prej 12 përqind, e cila është paraparë të llogaritet sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive.