Taravari: Kushtetuta duhet të ndryshohet në përputhje me kuadrin e negociatave me BE-në

Jam optimist se do të gjendet një zgjidhje mes Sofjes dhe Shkupit, në mënyrë që të kalojmë këtë periudhë krize dhe të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Në çdo rast, Kushtetuta duhet të ndryshohet, tha në një intervistë për agjencinë bullgare BGNES, ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, transmeton Portalb.mk. […]

Prill 18, 2025 - 18:00
 0  4
Taravari: Kushtetuta duhet të ndryshohet në përputhje me kuadrin e negociatave me BE-në
Arben Taravari. foto: Meta.mk

Jam optimist se do të gjendet një zgjidhje mes Sofjes dhe Shkupit, në mënyrë që të kalojmë këtë periudhë krize dhe të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Në çdo rast, Kushtetuta duhet të ndryshohet, tha në një intervistë për agjencinë bullgare BGNES, ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, transmeton Portalb.mk.

“Kryeministri (Mickoski) dëshiron një lloj garancie që të mos ketë kushte të reja, sepse rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO ka qenë e vështirë. Unë jam optimist se do të gjendet një zgjidhje midis Sofjes dhe Shkupit në mënyrë që të mund ta tejkalojmë këtë periudhë krize dhe të fillojmë negociatat me BE”, thotë Taravari.

I pyetur nëse po kërkohet zgjidhje jashtë Kornizës negociuese, Taravari është i bindur se duhet ndryshuar Kushtetuta.

“Sidoqoftë, Kushtetuta duhet të ndryshohet. Kryeministri me të drejtë dëshiron një lloj garancie se ky është kushti i fundit, se nuk do të ketë kushte të tjera për Maqedoninë. Shpresoj se do të gjendet një lloj zgjidhjeje mes Shkupit dhe Sofjes, qoftë edhe me garanci nga Brukseli dhe Uashingtoni, për të kaluar këtë periudhë, e cila është shumë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thekson Taravari.

I pyetur se çfarë po ndodh në koalicionin VLEN, që është pjesë e Qeverisë, ministri i Shëndetësisë tha nuk ka konflikt në mes partive, por ka vetëm keqkuptime.

“Asgjë e veçantë. Partia jonë Aleanca për Shqiptarët do të marrë pjesë e pavarur në zgjedhje dhe tre partitë e tjera do të vazhdojnë së bashku si koalicion VLEN. Ne kërkuam që listat për këshilltarë të ishin të ndara, ata donin të ishin të përbashkëta dhe për këtë arsye ne garuam me kandidatët tanë për kryetar bashkie dhe këshilltarë bashkiakë. Nuk ka asnjë konflikt mes partive në koalicion, vetëm keqkuptim”, tha Taravari.

Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.