Qendra e lënë pas dore “Garnizon” në Kumanovë të vret sytë, komuna arsyetohet se ka intervenuar disa herë për mbeturinat
Qendra Tregtare “Garnizon” në Kumanovë dikur ishte e mbushur me rreth 200 hapsira afariste, ndërsa sot vetëm 40 janë funksionale. Kushtet në këtë qendër tregtare janë të këqija, ka mbeturina të hedhura gjithandej, vjen erë e keqe si dhe nuk ka ndriçim. Qytetarët ankohen se objekti është lënë pas dore dhe nuk është investuar asgjë, […]
Qendra Tregtare “Garnizon” në Kumanovë dikur ishte e mbushur me rreth 200 hapsira afariste, ndërsa sot vetëm 40 janë funksionale. Kushtet në këtë qendër tregtare janë të këqija, ka mbeturina të hedhura gjithandej, vjen erë e keqe si dhe nuk ka ndriçim. Qytetarët ankohen se objekti është lënë pas dore dhe nuk është investuar asgjë, kurse Komuna e Kumanovës thotë se kanë intervenuar disa herë për mbeturinat, megjithatë, nuk treguan nëse kanë ndonjë plan për revitalizim të qendrës, shkruan Portalb.mk.
Kur e viziton qendrën tregtare “Garnizon” në Kumanovë përballesh me mbeturinat që janë gjithandej, në shporta, në shkallë, në tokë. Kati përdhesë nuk ka as ndriçim. Këto janë pamjet nga Garnizoni. Hajrulla Halili, nënkryetar i këshillit të ndërtesës së “Garnizonit” në Kumanovë, për Portalb.mk thotë se përpos problemeve të lartpërmendura, as kanalizimi nuk funksionon siç duhet si dhe shtoi se ka probleme që datojnë që prej para 30 viteve.
“Kemi dërguar kërkesa të ndryshme deri te kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievksi, po ashtu edhe te ish kryetari i komunës, mirëpo asnjëherë nuk na kanë dhënë përgjigje në lidhje me papastërtinë dhe ndotjen e ambientit. Po ashtu, kemi kërkuar që kontejnerët që janë të vendosura në hyrje të qendrës tregtare të largohen. Këtu ka probleme të ndryshme të kushteve, kanalizimi nuk është i rregulluar prej para 30 viteve e më shumë. Ndërsa ka 33 vite që janë këto ndërtesat, prej në fillim janë këto probleme dhe vazhdojnë të jenë akoma. Kemi kërkuar elektrifikimin e ndërtesës në përgjithësi sepse llogaritet si qendër tregtare e garnizonit dhe të gjithë ato që kanë lokale, shitore, dyqane e bëjnë me vet kontributin e tyre, edhe pse pagesat i kryejnë me rregull të gjithë, mirëpo ndriçim ende nuk ka”, tha Halili.
“Mbi 200 hapsira afariste, vetëm 40 janë funksionale”
Një banor, i cili jeton në ndërtesën e “Garnizonit” duke folur në lidhje me problemet e tyre, shprehet se në këtë objekt nuk është investuar.
“Këtu kurrë nuk është bërë investim, janë mbi 200 dyqane por funksionojnë vetëm 40 prej tyre këtu nuk realizohet asgjë. Në katin përdhesë nuk kanë as kushte elementare, nuk kanë as tualete nëpër dyqane, vjen erë shumë e keqe vetëm për shkak se kanalizimi nuk është i rregulluar siç duhet. Kontejnerët janë të vendosura në hyrje të qendrës tregtare, nuk është aspak e hijshme. Kemi bërë disa herë kërkesa te kryetari i komunës për të rregulluar këtë problem dhe përgjigje nuk kemi marrë asnjëherë. Nuk ka mbetur më as ku të ankohemi sepse nuk marrin masa”, tha banori.
Një qytetare nga Kumanova për Portalb.mk, shprehet e revoltuar nga papastërtia.
“Sa herë që kaloj nga kjo anë më besoni se është katastrofë, vjen një erë shumë e keqe, papastërti ka sa të duash, uji mblidhet sidomos kur bie shi nuk mund as të kalosh. Shkallët janë në gjendje të mjerueshme, ka gra të cilat janë shtatzëne dhe shpesh kam hasur që kanë pasur vështirësi për të kaluar. Mendoj se është mirë kjo pjesë të rregullohet, sepse këto lokalet i frekuentojnë të rinjtë, dhe duhet të bëjmë diçka për këta të rinj që dita ditës po largohen nga Kumanova jonë”, tha ajo.
Komuna e Kumanovës arsyetohet
Nga Komuna e Kumanovës për Portalb.mk theksuan se kanë intervenuar disa herë për largimin e mbeturinave të hedhura në këtë qendër tregtare.
“Shërbimet e inspektimit të Komunën së Kumanovës disa herë kanë intervenuar për zgjidhjen e problemit me hedhjen e mbeturinave në pronë private (pjesa private dhe të përbashkëta). Në dy raste, janë gjetur persona që kishin depozituar mbeturina në mënyrë të paautorizuar në pjesën e përbashkët, dhe u urdhërua që brenda një afati të caktuar t’i largojnë ato, dhe pas përfundimit të afatit, gjatë kontrollit të mbikëqyrjes u konstatua se të njëjtët persona kishin vepruar sipas vendimit të dhënë”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Nga Komuna nuk përgjigjen nëse kanë ndonjë plan për investim apo revitalizim të kësaj qendre.
Rikujtojmë se me probleme të ngjashme përballet edhe Qendra e Re Tregtare në Tetovë, e cila nga mos-investimi mbetet therrë në sy për tetovarët.