Qeveria e RMV-së do të paguajë transportin dhe akomodimin e familjeve të të plagosurve që mjekohen jashtë vendit

Qeveria do të sigurojë transport dhe akomodim për familjet e të lënduarve nga zjarri në klubin Pulse në Koçan, të cilët aktualisht janë të shtruar në spitale në vende të tjera. Vendimi për këtë do të merret në seancën e sotme të qeverisë, transmeton Portalb.mk. Familjarët e të lënduarve mund të marrin më shumë informacion […]

Mars 18, 2025 - 12:00
 0  4
Qeveria e RMV-së do të paguajë transportin dhe akomodimin e familjeve të të plagosurve që mjekohen jashtë vendit
Familjarët e personave të lënduar nga rasti i Koçanit, duke pritur para spitalit Shën Naumi i Ohrit Shkup.

Qeveria do të sigurojë transport dhe akomodim për familjet e të lënduarve nga zjarri në klubin Pulse në Koçan, të cilët aktualisht janë të shtruar në spitale në vende të tjera. Vendimi për këtë do të merret në seancën e sotme të qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Familjarët e të lënduarve mund të marrin më shumë informacion për transportin dhe akomodimin duke telefonuar në numrin 070 270 370. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva dje u bëri thirrje të gjitha familjeve që ta përdorin këtë linjë që të organizohet në mënyrë efikase mbështetja që u nevojitet.

“Në këto momente, familjet nuk kanë pse të shqetësohen për ngarkesat logjistike apo financiare kur të dashurit e tyre kanë më shumë nevojë për to. Për këtë arsye Qeveria do të marrë përgjegjësi për mbulimin e shpenzimeve të transportit dhe akomodimit, duke u siguruar që familjet të jenë pranë më të dashurve të tyre”, tha Miteva dje në një konferencë për media.

Për të ofruar ndihmë të shpejtë dhe të koordinuar, Qeveria tashmë ka vendosur që të bashkëpunojë me Kryqin e Kuq të Shkupit për menaxhimin e llogarisë zyrtare për donacione për viktimat e zjarrit në klubin “Puls” në Koçan.

“Duke pasur një llogari të vetme, zyrtare për donacionet, eliminojmë të gjitha dilemat se ku dhe si të dhurojmë. Kjo siguron që çdo kontribut të shkojë pikërisht aty ku nevojitet më shumë. Fatkeqësisht, në kohë të vështira mund të përhapen dezinformata dhe ne duam të parandalojmë çdo paqartësi rreth kanaleve të donacioneve”, tha Miteva, duke theksuar se Kryqi i Kuq tashmë ka histori në menaxhimin e ndihmave të tilla.

Për të gjitha informacionet lidhur me gjendjen e pacientëve që ndodhen jashtë vendit, person kontaktues është caktuar prof. Dr.Igor Nikolov, i cili është i disponueshëm në numrin e telefonit: +389 72 270 648.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Deri në këto momente sipas 360 Gradë, 14 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.

Ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovskit dhe 12 personave të tjerë, në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore në Koçan, gjyqtari i ka dënuar me paraburgim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.