Në RMV më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, gjinore dhe seksuale

Gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, në bazë të përkatësisë nacionale dhe për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor janë rastet më të zakonshme të regjistruara nga Komiteti i Helsinkit në vitet 2023 dhe 2024, shkruan Radio Mof, transmeton Portalb.mk. Pra, gjatë vitit 2023 janë shënuar 1171 raste të gjuhës së urrejtjes, […]

dhjetor 22, 2024 - 08:00
 0  5
Në RMV më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, gjinore dhe seksuale
Foto: Clem Onojeghuo/Unsplash

Gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, në bazë të përkatësisë nacionale dhe për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor janë rastet më të zakonshme të regjistruara nga Komiteti i Helsinkit në vitet 2023 dhe 2024, shkruan Radio Mof, transmeton Portalb.mk.

Pra, gjatë vitit 2023 janë shënuar 1171 raste të gjuhës së urrejtjes, prej të cilave 646 ishin kryer në bazë të përkatësisë etnike, 248 për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, 275 raste në bazë të përkatësisë nacionale, 149 për shkak të bindjes politike dhe 80 raste në bazë të gjinisë dhe seksit. 

Në vitin 2024 (deri në shtator) ishin evidentuar gjithsej 1060 raste të gjuhës së urrejtjes, prej të cilave 424 në bazë të përkatësisë nacionale, 417 në bazë të përkatësisë etnike, 205 për shkak të përkatësisë politike, 194 në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, 60 në bazë të gjinisë dhe seksit dhe 22 në bazë të përkatësisë fetare.

Sipas Raportit Vjetor për gjendjen me të drejtat e njeriut në vitin 2023 të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriutgjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike buron nga mungesa e mendimit kritik dhe shprehjes së pakënaqësisë ndaj autoriteteve shtetërore dhe politikave të tyre, dhe përveç kësaj, mbizotërojnë paragjykimet dhe stereotipat ndaj komuniteteve të ndryshme etnike, të cilat zakonisht paraqiten si “e keqja” në shtet dhe si shkaku i mosfunksionimit të sistemit.

“Fyerjet mbi baza etnike zakonisht kanë edhe kontekst politik. Në rastet e regjistruara vërehet edhe diskursi që kthehet në konfliktin ushtarak të vitit 2001 dhe e intensifikon gjuhën e urrejtjes. Ngjarje të caktuara e intensifikojnë gjuhën e urrejtjes me bazë etnike, të tilla si fyerjet dhe gjuha dashakeqe drejtuar dy komuniteteve më të mëdha etnike pasi ishte publikuar lajmi për furnizimin me energji elektrike nga EVN-ja në fshatin Sllupçan me shumicë shqiptare, ose vendosja e flamurit të Shqipërisë së Madhe me rastin e pritjes së Kryeministrit të Kosovës dhe lajmit për hapjen e rrugës në Tetovë nga kryetari i Komunës së Tetovës kur në publikë valëvitej flamuri i Shqipërisë së Madhe”, thonë në Raport dhe shtojnë se gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike është e përhapur gjerësisht dhe është e dukshme edhe në ndeshjet sportive. 

Siç tregon Raporti, e dyta më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes ndaj pakicave seksuale dhe personave me identitete të ndryshme gjinore në vend. 

“Numri i rasteve të gjuhës së urrejtjes tregon trend në rritje gjatë periudhave të caktuara, siç është Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë së Personave Transgjinorë më 31 mars, kur mbahet Marshi Vjetor i Dukshmërisë së Personave Transgjinorë. Në rrjetet sociale ishte vërejtur gjuha transfobike, e cila ishte pasuar me dezinformata që nxisin urrejtje dhe rrezikim ndaj këtij grupi të margjinalizuar të qytetarëve. Paragjykimet ndaj komunitetit LGBTI+ ishin veçanërisht të dukshme më 17 maj – Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Paragjykimet ndaj komunitetit LGBTI+ kanë dalë në shesh dhe gjuha e urrejtjes është rritur proporcionalisht me dukshmërinë e këtij komuniteti. Nga konferenca për shtyp për njoftimin mbi Paradën e Krenarisë më 4 qershor, dhe deri në Paradën e Krenarisë më 24 qershor, ishin vërejtur komente që nxisin urrejtje, nënçmim, thirrje për dhunë dhe likuidim të këtij komuniteti”, thuhet në Raport. 

Komunikologu Bojan Kordallov thotë se gjuha e urrejtjes mund të haset kudo dhe pa asnjë përjashtim. 

“Nga bisedat në shtëpi, në festa, tubime, e deri te komentet në rrjetet sociale. Gjëja më e tmerrshme, dhe kjo është edhe në praktikën dhe shkencën e komunikimit, është se në shumicën e rasteve kur diskriminojmë ose përhapim gjuhën e urrejtjes, ne nuk mendojmë se po bëjmë diçka të gabuar, por zakonisht udhëhiqemi nga mendimi se po “mbrojmë” veten ose të dashurit tanë nga disa që “na sulmojnë gjatë gjithë kohës dhe nga të cilët nuk ka kush të na mbrojë”, thotë Kordallov dhe shton se ndikimi i gjuhës së urrejtjes ka efekt toksik në veçanti te të rinjtë. 

“Në vend që t’i çojë të zhvillohen si individë dhe të rriten në karrierën e tyre, nën ndikimin e gjuhës së urrejtjes, të rinjtë ngjyrosen me energji dhe emocione negative, urrejtje ndaj të tjerëve… Si çdo person që kultivon komunikimin e urrejtjes dhe nënçmimit, në fillim konsiderojnë se ata nuk urrejnë dhe nuk lëndojnë, pastaj, se këtë e bëjnë ndaj atyre që ‘meritojnë të urrehen’, që për një kohë shumë të shkurtër dhe as që e vërejnë që ai i ri ka filluar që shumë individë dhe grupe t’i nënvlerësojë, sulmojë verbalisht, të luftojë kundër të tjerëve dhe atyre që janë të ndryshëm vetëm sepse nuk janë si ai”, tha Kordallov. 

Sipas tij, mënyra më e mirë për të reduktuar ose parandaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes është zhvillimi i empatisë që në moshë të hershme për të thyer zinxhirin e përhapjes së fshehtë ose publike të diskriminimit. 

Psikologia Verica Bakuleska thotë se gjuha e urrejtjes ka ndikim të madh te të rinjtë, veçanërisht në shëndetin e tyre mental dhe zhvillimin social.

“Ekspozimi ndaj mesazheve të tilla zakonisht shkakton anksiozitet, depresion dhe ndjenjën e pasigurisë, të cilat mund të ulin vetëvlerësimin e tyre dhe t’i bëjnë më të prekshëm. Të rinjtë që përballen me gjuhën e urrejtjes zakonisht ndihen të margjinalizuar dhe të distancuar nga komuniteti i tyre, gjë që çon në izolimin social dhe në zhvillimin e mosbesimit ndaj të tjerëve. Në mënyrë shtesë, ekspozimi i tillë mund t’i inkurajojë të kenë sjellje agresive ose antisociale si mekanizëm mbrojtës. Kjo mund të pengojë rritjen dhe zhvillimin e tyre personal, pasi kanë frikë nga dënimi ose sulmi i mëtejshëm. Në afat të gjatë, gjuha e urrejtjes e rrit rrezikun e shfaqjes së çrregullimeve mentale”, tha Bakuleska, duke shtuar se më së miri është të reagohet menjëherë sapo të përjetohet ose të vërehet gjuha e urrejtjes. 

“Reagimi i shpejtë është vendimtar për t’i parandaluar pasojat e mëtejshme dhe për të dërguar mesazh të qartë se kjo sjellje nuk është e pranueshme. Viktimat duhet të reagojnë menjëherë kur do të përballen me gjuhën e urrejtjes. Mund t’u raportojnë mësimdhënësve, prindërve ose të kërkojnë ndihmë nga personi tjetër i rritur të cilit i besojnë. Është e rëndësishme që mos të qëndrojnë vetëm në situatë dhe t’i përdorin mjetet në dispozicion për mbrojtje, veçanërisht në internet, si bllokimi ose raportimi i përmbajtjeve”, tha Verica. 

Përndryshe, sipas statistikës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, për veprat penale të regjistruara “përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik” në vitin 2023 ishin regjistruar 42 vepra penale, ndërsa deri në shtator 2024 ishin regjistruar 22. 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re. 

Autore: Simona Paskoska