Qeveria “Kurti” përfundoi mandatin, por jo edhe autostradat e premtuara për Gjilan dhe Podujevë
Premtoi se do t’i përfundojë dy autostradat, të Gjilanit dhe Podujevës, por e përfundoi mandatin, por jo edhe projektet e nisura infrastrukturore. Kjo i ndodhi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ndonëse pati premtuar se autostrada e Gjilanit do të përurohet në vitin 2023, ndërsa këtë vit (2024) edhe autostrada e Podujevës, por asnjëri […]
Premtoi se do t’i përfundojë dy autostradat, të Gjilanit dhe Podujevës, por e përfundoi mandatin, por jo edhe projektet e nisura infrastrukturore.
Kjo i ndodhi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ndonëse pati premtuar se autostrada e Gjilanit do të përurohet në vitin 2023, ndërsa këtë vit (2024) edhe autostrada e Podujevës, por asnjëri e as tjetri premtim nuk pritet të realizohet, raporton portali Front Online.
Qeveria “Kurti” gjatë mandatit të saj katër vjeçar nuk ka arritur ta përfundoj ndonjë projekt të madh infrastrukturor, përderisa me dështime janë karakterizuar edhe projektet e vogla, siç është rasti me urën e Badovcit, e cila ende nuk ka përfunduar, ndonëse për këtë projekt janë ndarë më shumë se gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës.
Opozita vazhdimisht e ka kritikuar Qeverinë si të dështuar, bazuar në dështimet me projektet kapitale.
Ish-ministri i Infrastrukturës: Qeveria ‘Kurti’ nuk i duhet Kosovës, i mashtroi qytetarët për rrugën Prishtinë-Podujevë
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj konsideron se rruga Podujevë-Prishtinë është imazhi i Qeverisë aktuale.
Lekaj thotë për “Front Online” se pushteti i mashtroi qytetarët, dhe ata i bartën pasojat.
“Rruga Prishtinë Podujevë është imazhi i vërtetë mbi formën e qeverisjes së Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë Kurti. Përveç mashtrimit, është barrë e rëndë për qytetarët e rajonit të Podujevës, Prishtinës, Vushtrrisë, kanë bartur pasojat”, thotë Lekaj.
“Mos mund të përfundosh projekte e rrugë magjistrale për një mandat qeverisës, është dështim dhe rast i veçantë në një sistem politik demokratik i cili duhet studiuar thellë, i bllokoi të gjitha projektet, investimet kapitale”, theksoi Lekaj për “Front Online”.
Shabani i PDK-së: Premtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, larg përfundimit
Kryetari i Degës së PDK-së në Podujevë, Isak Shabani në një prononcim për “Front Online” thotë se Qeveria ka treguar mungesë të përgjegjësisë për mos përfundimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Ai thotë se premtimi u dha më 2022 por jemi në 2024 dhe rruga është larg përfundimit.
“Qeveria kishte premtuar që kjo rrugë do të përfundonte që në vitin 2022, jemi në 2024, rruga duket larg përfundimit. Kjo tregon mungesë përgjegjësisë dhe planifikimit. Dyshimi im është se ky projekt nuk do të përfundojë brenda afatit të premtuar edhe tani”, u shpreh Shabani.
Shabani thotë se nga kushtet e papërshtatshme të kësaj rruge po humbin edhe bizneset.
“Vonesat e stërzgjatura kanë shkaktuar probleme të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë dëmtime të vazhdueshme të automjeteve, bizneset lokale po vuajnë nga humbje të ndjeshme për shkak të qasjes së vështirë dhe kushteve të papërshtatshme të rrugës”, thotë Shabani.
Hyseni i LDK: Paaftësitë e Qeverisë ‘Kurti’ nuk mbulohen me propagandë
Ish-kandidati për kryetar të Podujevës, njëherësh kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë, Ekrem Hyseni, thotë se njëri nga mashtrimet e Qeverisë aktuale është ky i rrugës Prishtinë-Podujevë.
Hyseni tha për “Front Online” se pushteti po bënë propagandë me premtime që s’po i realizon.
“Një nga mashtrimet më të mëdha të qeverisë Kurti është kjo. Është premtuar që kjo rrugë do të përfundoj në vitin 2022 dhe s’ka përfunduar, premtimi është pjesë e propagandës, as në fund të vitit nuk do të përfundoj. Paaftësitë nuk mbulohen me propagandë”, u shpreh Hyseni.
Ish-kryetari i Gjilanit: Kurti e ka mbyt besimit tek qytetarët që autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundoj
Autostrada Gjilan-Prishtinë, është përballur me vonesa të mëdha në përfundimin e tij krahas afateve të parashikuara, për këtë vonesë ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka akuzuar Qeverinë aktuale.
Haziri tha për “Front Online” se gjysmë milionë banorë janë përjashtuar nga kjo vonesë.
“Është përjashtim total i një rajonit të Kosovës siç është Anamorava, ku e lidhë Kosovën në korridorin ndërkombëtar përmes Bujanocit, Preshevës e Kumanovës ku i ka përjashtuar gjysmë milionë banorë në veçanti Gjilanin”, deklaron Haziri.
Haziri thotë se kryeministri Albin Kurti e ka mbyt besimit tek qytetarët që kjo autostradë do përfundoj.
“Tash e tri vite 70% e punimeve janë kryer teknikisht, nuk është as në planifikim buxhetor e prioritet politik, e ka mbyt besimin që autostrada përfundon”, u shpreh Haziri.
Lutfi Haziri: Nëse LDK është në qeverisje, autostrada përfundon për 12 muaj
Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur lidhur me autostradën e pa përfunduar Gjilan-Prishtinë.
Ai ka deklaruar se deri në 2026 me qasjen e Qeverisë ‘Kurti’ nuk përfundon kjo autostradë.
Sipas tij, nëse LDK është në qeverisje kjo do të përfundoj për 12 muaj.
“Kjo nuk përfundon as në 2025-2026 me këtë qasje s’ka shpresë. Nëse LDK është në qeverisje kjo rrugë në afat prej 12 muajsh me punime intensive ish mbyll si çështje”, theksoi Haziri për “Front Online”.
Bunjaku-Rexhepi: Për shkeljet e premtimeve, Kurti të ndëshkohet me vota
Deputetja e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” nga qyteti i Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka folur për “Front Online” lidhur me premtimin e pushteti aktual për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.
Bunjaku-Rexhepi tha se shpreson që pushteti aktual të ndëshkohet me vota për mos mbajtjen e premtimeve.
“Rruga Gjilan-Prishtinë është bërë derti i qytetarëve, studentëve e të punësuarve në Prishtinë. Po shpresoj që për këto shkelje të premtimeve, të ndëshkohet me votën e qytetarëve”, theksoi ajo.
Sipas saj, Kurti çdo herë del kundër fjalëve të veta.
Ajo madje thotë se kryeministri është bërë imun ndaj shkeljeve sistematike të premtimeve.
“Autostrada e Gjilanit është zvarritur aq shumë, saqë çdo qytetar zemërohet posa ia përmendni. Albin Kurti është bërë imun ndaj shkeljeve sistematike të premtimeve dhe deklaratave. Vazhdimisht del kundër fjalëve të veta. Kurrë nuk kërkon falje. As Urën e Badovcit nuk e kanë kryer”, përfundoi deputetja për “Front Online”.
Kryeministri Albin Kurti në muajin korrik i kishte uruar qytetarët duke thënë se kjo autostradë po i përfundon punimet.
“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime! Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve”, kishte shkruar Kurtin.
Ministria e Infrastrukturës në muajin maj të këtij viti pati deklaruar se nuk ka zvarritje të punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë.
”Në të gjitha Lotet për zgjerimin e rrugës Nacionale N25, është duke u punuar. Ndërsa në Lotin 5 ku punët ndërtimore te rreth rrotullimi “Qershitë e Llapashticës” kanë përfunduar dhe ka mbet të vendoset sinjalizimi vertikal dhe ndriçimi. Punët në të gjitha lotet janë duke u zhvilluar konform kushteve të kontratës dhe me dinamikën e paraparë”, thuhet në njoftimin e ministrisë./Front Online