Qeveria në krye me Mickoskin ikë nga përgjegjësia për zjarrin në Koçan, reagoi BDI
Sjellja e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Hristijan Mickoskin është shqetësuese, sepse në vend që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi […]


Sjellja e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Hristijan Mickoskin është shqetësuese, sepse në vend që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), transmeton Portalb.mk.
BDI thotë se Mickoski, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike
“BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë. Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike”, theksuan nga BDI.
Nga kjo parti u bënë thirrje nstitucioneve që:
- Të mos veprojnë sipas “Ligjit të Mickoskit”, por të dëshmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
- Të zhvillojë një hetim të thellë dhe transparent për tragjedinë në Koçani, të bazuar në prova, duke garantuar që personat realisht përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike.
- Të përqendrohet në zgjidhjen e kërkesave legjitime të familjeve të të prekurve dhe të opinionit më të gjerë publik që kërkon drejtësi, për çka është e domosdoshme të hetohen në mënyrë të thelluar të gjitha faktet që çuan në këtë fatkeqësi që mori 60 jetë njerëzore – në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.
“Mickoski duhet të ndalojë me qasjen selektive dhe arrestimet pa prova të mjaftueshme, të lirojë ata që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme pa material provues apo pa procedurë të rregullt”, theksuan nga BDI.
Ky reagim erdhi pasi dje, më 12 prill Prokuroria Themelore Publike në Koçan lëshoi urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj. Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë në periudhën 2012-16.03.2025.
Në mesin e të dyshuarve të rinj janë edhe inspektorë të autorizuar ndërtimor në Komunën e Koçanit, drejtorë dhe inspektorë të përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ministra të ekonomisë, sekretarë shtetërorë dhe zyrtarë të tjerë nga ajo ministri, si dhe inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Prokuroria dhe Ministria e Brendshme sot gjatë ditës pritet të dalin me detaje më të hollësishme.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.