Rama i bindur për 11 Majin: Ne me shoqen fitore, ata me Ndoc Rrokun

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama ka thënë se një ndër arsyet pse duhet të jenë krenarë është lufta kundër korrupsionit. “Një ndër arsyet pse duhet të jemi krenarë është lufta kundër korrupsionit. Ata që bënë çmos të mos e lejonin të […]

shkurt 28, 2025 - 20:00
 0  4
Rama i bindur për 11 Majin: Ne me shoqen fitore, ata me Ndoc Rrokun

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama ka thënë se një ndër arsyet pse duhet të jenë krenarë është lufta kundër korrupsionit.

“Një ndër arsyet pse duhet të jemi krenarë është lufta kundër korrupsionit. Ata që bënë çmos të mos e lejonin të ndodhte kjo që po ndodh, sot fërkojnë duart dhe na sulmojnë ne, pse ndodh që njerëz të përfshirë me pushtetin tonë, përfshihen në dënime. Këtë e kemi bërë ne me vetëdije të plotë. Flas për një drejtësi që nuk do të dijë se kush është në qeveri. Këtë e kemi bërë ne, nuk e kanë bërë të tjerët. Misioni i PS-së është të bëjë shtetin demokratik evropian të shqiptarëve dhe kush merr përsipër të udhëheqë duhet të marrë përsipër të gjitha dhimbjet që ka një proces. Ja dorëzuam shpatën zonjës së drejtësisë duke pasur parasysh se mund të presë koka që janë tonat”, tha Rama.

Më tej, kryesocialisti thotë se ditën e hënë Shqipëria do të marrë pjesë në Panairin e Turizmit në Berlin, ku Shqipëria do të ketë vendin e nderit.

“Ditën e hënë do të jemi në Panairin e Berlinit, ku Shqipëria ka vendin e nderit. Imagjinoni, Shqipëria vendin e nderit në Panairin e Turizimit në Berlin. 10 vjet më para nuk bënte vakti”, u shpreh Kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Rama nuk la pa shigjetuar kundërshtarët e tij politikë, të cilëve iu tha “më 11 Maj do të marrin Ndoc Rrokun”.

“Ne kemi pasur një shoqe gjithë këto vite që ka qenë melhem për ne, “shoqja fitore”. Kështu që miqtë e mi, më 11 Maj i kemi ndarë, ne me shoqën fitore, ata me Ndoc Rrokun”, u shpreh Rama.