Rama komentoi protestën e opozitës para Parlamentit Europian, reagon Bardhi: Ne kemi vendosur të bëjmë tango me interesin publik
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në konferencën e sotme mungesën e bashkëpunimit me opozitën dhe protestën që deputetët demokratë zhvilluan para Parlamentit Europian. Rama u shpreh se ‘Për tangon duhen dy vetë’, ku në këtë mënyrë iu referua bashkëpunimit që duhet të ketë mes pozitës dhe opozitës përsa i takon procesit të integrimit të vendit […]
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në konferencën e sotme mungesën e bashkëpunimit me opozitën dhe protestën që deputetët demokratë zhvilluan para Parlamentit Europian.
Rama u shpreh se ‘Për tangon duhen dy vetë’, ku në këtë mënyrë iu referua bashkëpunimit që duhet të ketë mes pozitës dhe opozitës përsa i takon procesit të integrimit të vendit në BE.
Dhe në vijim, Kreu i Qeverisë u shpreh se kur nuk ka dy, atëherë ka vetëm një muzikë.
Pas kësaj deklarate të kryeministrit, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se opozita ka vendosur të bëjë tango me interesin publik, për të vallëzuar çdo shqiptarë muzikën që përfaqëson vlerat europiane në qeverisje dhe garanton mirëqenien e tyre.
Reagimi i Bardhit:
Duhen dy për një tango pa asnjë diskutim! Dhe ti e ke zgjedhur dyshen tënde të tagos: krimin e organizuar.
Ti ke vendosur të bësh tango me Altin Hajrin, që të dikton të 3 në listën e kandidatëve dhe ti i vendos firmën. Ti ke vendosur të bësh tango me Avdylajt, që të diktojnë të 5 në listën e kandidatëve dhe ti i vendos firmën.
E ndërkohë që ti bën tango me krimin e organizuar, duke vallëzuar muzikën që krimi i organizuar dëshiron, opozita ka vendos të bëjë tango me interesin publik, për të vallëzuar çdo shqiptarë muzikën që përfaqëson vlerat europiane në qeverisje dhe garanton mirëqenien e tyre.