Rama njofton skemën e re: Qeveria do ndërhyjë në sektorin e naftës!
Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur fjalën përmbyllëse pas dialogut “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor. Rama u shpreh se qeveria do të jetë aktive në krijimin e skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen, për të rritur të ardhurat. Kreu i qeverisë tha se po ndërtohet një proces i ri, ku […]

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur fjalën përmbyllëse pas dialogut “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor.
Rama u shpreh se qeveria do të jetë aktive në krijimin e skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen, për të rritur të ardhurat. Kreu i qeverisë tha se po ndërtohet një proces i ri, ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës, pra që do të ndërhyjë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi.
Ai paralajmëroi se qeveria do bëhet pjesë e importit të naftës dhe kjo do krijojë kushtet, që çmimi i naftës në vend të jetë më i arsyeshëm.
“Problemi i naftës u ngrit përsëri dhe mendoj që na duhet ta rishikojmë këtë skemë, por ne po përgatitemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës, në kuptimin që thashë më parë që qeveria do të jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe të bashkëpunimit me faktorët ekonomik për të rritur të ardhurat jo të vetat, por të njerëzve. Na duhet që të ndërtojmë një proces të ri dhe po e përgatisim ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës që do të thotë që ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët.
Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë dhe besoj që brenda këtij viti do të jemi pjesë në importin dhe shpërndarjen e naftës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë të cilët do jua bëjnë jetën më të lehtë sepse do të mund të kenë qeverinë si garante të importit dhe të furnizimit me naftë, gjë që do të na vërë ne në poziotën që do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm se çmim i aktual i naftës në Shqipëri”, tha Rama.
Rama ndër të tjera tha se lidhur me këtë gjë, ka ardhur koha që të veprohet në një mënyrë tjetër që të shikohet edhe ulja e kostove.
“Çmimi lidhet me përbërjen që ka çmimi edhe për shkak të taksës së qarkullimit, por ka ardhur koha të veprojmë në një mënyrë tjetër dhe do të jetë një e mirë e madhe se duke marrë pjesë qeveria edhe politika e naftës për sektorin bujqësor do të jetë ndërtuar ndryshe. U tha shumë qartë që ndërkohë që shikojmë të gjitha këto aspekte duhet të shikojmë edhe uljen e kostove”, tha Rama.
