Rama reagon sërish për vrasjen e Egli Progës: U krijua çorbë e pistë kundër Policisë dhe Urgjencës, rasti tipik i një maskarade
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërisht pasditen e sotme për ngjarjen në Pogradec, ku Egli Proga u dhunua për vdekje. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se nuk ka asnjë kontradiktë në deklaratat e policisë lidhur me kapjen e autorit të vrasjes. Sipas kreut të qeverisë, dorëzimi i autorit të dyshuar, nuk ka […]
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërisht pasditen e sotme për ngjarjen në Pogradec, ku Egli Proga u dhunua për vdekje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se nuk ka asnjë kontradiktë në deklaratat e policisë lidhur me kapjen e autorit të vrasjes.
Sipas kreut të qeverisë, dorëzimi i autorit të dyshuar, nuk ka qenë një akt vullnetar, por një punë e koordinuar e Policisë.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë, e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!
Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit dhe të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve, e jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e deri edhe sekondat e thirrjeve dhe veprimeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë ku gjithkush mund të shohë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë, të cilat maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.