Rasti i rëndë në Podujevë: Zbulohen detaje për arrestimin e dy grave për vrasjen e foshnjës gjatë lindjes
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare […]
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Përveç të dyshuarës kryesore, në pranga të Policisë ka rënë edhe gruaja që dyshohet se i ndihmoi në kryerjen e veprës penale.
Kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”.
Për këtë rast fillimisht ka njoftuar Policia, pa dhënë detaje të tjera.
“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.