Rasti i Vedatit: Është shkarkuar drejtori i Spitalit të Kumanovës, për mjekun ende nuk ka procedurë, Taravari: s’jam polic e prokuror (VIDEO)
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ishte sot në Kumanovë për të vizituar familjarët e 32 vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi, i cili ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Për këtë rast, familjarët thonë se i është dhënë terapi që i shkaktoi reagim alergjik. Ai njoftoi se pasi ka lexuar raportin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar […]


Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ishte sot në Kumanovë për të vizituar familjarët e 32 vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi, i cili ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Për këtë rast, familjarët thonë se i është dhënë terapi që i shkaktoi reagim alergjik. Ai njoftoi se pasi ka lexuar raportin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISSHSH) ka marrë vendim për shkarkim të drejtorit të spitalit, Stefan Trajanovski. Sa i përket përgjegjësisë mjekësore për vdekjen e të riut, ai tha se ministria dhe prokuroria do të hetojnë rastin nëse ka pasur gabim mjekësor, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse i pyetur për atë se çfarë shkeljesh ka konstatuar inspektorati, Taravari tha se nuk dëshiron të shpalosë detaje.
“Ka parregullësi për shkarkim të udhëheqësit. Ka indicie se ai që e ka organizuar punën në këtë institucion është dashur të ketë kujdes mos të ndodhin gjëra të tilla”, tha Taravari.
Dokumentet e Inspektoratit dhe Komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë do të dërgohen në Prokurori dhe ato do të vërtetojnë a ka pasur gabim mjeksor në këtë rast.
A do t’i merret licenca mjekut?
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të ketë përgjegjësi nëse ka ndodhur gabimi. Unë smund të tregoj a ka pasur shkelje, më tutje organet hetimore pasi të konstatojnë lëshimet duhet të vendosë prokuroria. Unë nuk jam as polic, as gjykatës as prokuror, un kam mundësi për të shkarkuar udhëheqësin ” tha Taravari.
Në pyetjet e gazetarëve për dyshimet e familjarëve se mund të manipulohet rasti pasi mjeku Zoran Gjeorgjievski ka lidhje me VMRO-DPMNE-në, Taravari nuk deshi të komentojë konkretisht.
“Do të bisedoj me drejtorin e Mjekësisë Ligjore që të garantojmë se procedura e obduksionit të bëhet siç duhet dhe raporti të jetë real” tha ai.
Ai tha se nesër do të caktohet drejtor i ri.
Kujtojmë se 32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Portalb.mk bisedoi me Amet Ademin babain e 32-vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi dhe Sead Ademin vëllaun e të ndjerit, ata thonë se i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik, dhe se për këtë fajësojnë mjekun i cili ishte kujdestar.
Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe presin rezultatet.