Gjykata Penale e miratoi aktakuzën për rastin “Aditiv”, pritet data për fillimin e gjykimit
Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e miratoi aktakuzën në rastin “Aditiv”, i cili i referohet një krimi në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) në vlerë 6.5 milionë euro, transmeton Portalb.mk. Gjykata Penale njoftoi sot se pas miratimit të aktakuzës, është formuar lëndë, e cila do t’i […]


Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e miratoi aktakuzën në rastin “Aditiv”, i cili i referohet një krimi në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) në vlerë 6.5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Penale njoftoi sot se pas miratimit të aktakuzës, është formuar lëndë, e cila do t’i caktohet një gjyqtari përmes Sistemit të Automatizuar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (AKMIS).
Pas kësaj, do të caktohet një datë për fillimin e gjyqit, për të cilën Gjykata Penale thotë se do të ofrojë informacione shtesë në faqen e tyre të internetit.
“Në përputhje me aktakuzën e miratuar, është ngritur çështje penale sipas Kodit të Procedurës Penale nr. 73/25, e cila do të caktohet për përpunim të mëtejshëm nga një gjyqtar përmes sistemit AKMIS, dhe sapo të caktohet seanca kryesore dëgjimore, data do të jetë e disponueshme përmes kalendarit të gjykimeve në faqen e internetit të gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale të Shkupit.
Aktakuza përfshin gjithsej 31 persona, të cilët akuzohen për vepra të shumta penale.
Hetimi për rastin “Aditiv” i cili i referohet një krimi në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) në vlerë 6.5 milionë euro u hap më 10 dhjetor 2024 pas një aksioni të gjerë nga policia dhe Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe aktakuza u ngrit, tre muaj më vonë, më 27 shkurt 2025.
Midis të pandehurve në këtë rast janë ish-drejtori i EMV-së, Vasko Stefanov, si dhe paraardhësi i tij Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet jashtë vendit dhe për të cilin është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. I akuzuar është edhe ish-drejtori i REK “Negotinë”, Nebojsha Stojanoviq, si dhe ish-drejtorët komercialë të EMV-së, Adrian Muça dhe Danço Stojanovski. Ata dyshohen për pastrim parash dhe abuzime në procedurat e tenderit në kompaninë shtetërore.
Ky rast u vendos në qendër të vëmendjes në fund të prillit kur, në një hetim të zgjeruar nga Prokuroria, emri i kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, u gjet midis të dyshuarve.
E para e antikorrupsionit dyshohet se ka zbuluar sekrete zyrtare një të pandehuri tjetër në këtë çështje përmes aplikacioneve të mesazheve. Ajo ka deklaruar se komunikimi me personin që ajo thotë se është mik i familjes, dhe i cili më vonë u akuzua në këtë rast, ndodhi në periudhën para fillimit të procedurave kundër tij.