Refuzohen amendamentet e Frontit Evropian për rregullimin e shtretërve të lumenjve
Shkup, 30 korrik – Komisioni për financim dhe buxhet ka përfunduar sot pasdite ditën e dytë të debatit për amendamentet rreth ribalancit të Buxhetit për vitin 2024. Kryetarja e Komisionit, Sonja Lukarevska vazhdimin e caktoi për nesër në orën 12. Në vazhdim të diskutimit të sotëm, janë refuzuar gjashtë amendamente të deputetëve të Frontit Evropian, […]
Shkup, 30 korrik – Komisioni për financim dhe buxhet ka përfunduar sot pasdite ditën e dytë të debatit për amendamentet rreth ribalancit të Buxhetit për vitin 2024. Kryetarja e Komisionit, Sonja Lukarevska vazhdimin e caktoi për nesër në orën 12.
Në vazhdim të diskutimit të sotëm, janë refuzuar gjashtë amendamente të deputetëve të Frontit Evropian, të cilat i referoheshin kërkesës për mjete nga buxheti për rregullimin e shtretërve të lumenjve.
Zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski potencoi se mjetet për këtë qëllim janë siguruar nga Banka Evropiane për Investime me vendim të nënshkruar nga Artan Grubi të marrë me 7 gusht të vitit 2023.
“Po punohet për një grup amendamentesh që i referohen Komunës së Likovës. Në përputhje me vendimin e ndarjes së mjeteve, në përputhje me marrëveshjen financiare, për projektin për përmirësimin e infrastrukturës ujore të komunave në Republikën e Maqedonisë, nga Banka Evropiane për Investime ishin planifikuar 50 milionë euro për këtë qëllim. Sipas asaj shpërndarje, ku përmenden të gjithë 80 komunat, për Komunën e Likovës janë planifikuar 967.374 euro. Kështu që, ky amendament nuk pranohet, gjegjësisht është i pakuptimtë”, tha zëvendësministri Jankullovski.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së Marija Petrushevska tha se në të kaluarën kur ka propozuar amendamente lidhur me ndarjen e mjeteve nga buxheti për komunat Ilinden, Petrovec dhe Zelenikovë, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në të cilën ishte pjesë edhe PLD-ja, nuk i pranoi asnjë prej tyre.
Gjatë diskutimit, deputeti Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN, tërhoqi shtatë amendamente të tij.