Rizvanolli: Efiçiencën e energjisë e kemi vënë si top prioritet
Ka filluar punimet edicioni i shtatë i Konferencës së Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW 2024 – Kosovo Sustainable Development Week). Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, theksoi se gjatë tri viteve qeverisje kanë bërë përparime të mëdha në fushën e energjisë, së bashku me partnerët. “Për gjatë tri vetëve […]
Ka filluar punimet edicioni i shtatë i Konferencës së Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW 2024 – Kosovo Sustainable Development Week).
Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, theksoi se gjatë tri viteve qeverisje kanë bërë përparime të mëdha në fushën e energjisë, së bashku me partnerët.
“Për gjatë tri vetëve kemi bërë shumë përparime, nga njëra anë në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe zhvillimin e projekteve të reja, ku shteti gjerman ka qenë partner kyç si dhe Bashkimi Evropian. Nga ana tjetër e kemi vënë efiçiencën e energjisë si top prioritet të diskutimit dhe të zbatimit të masave si asnjëherë më parë, duke u bërë shembull për të gjitha vendet e rajonit”, tha Rizvanolli.
Në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë theksohet se nesër gjatë punimeve të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovës, Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, do të jetë pjesë e dy paneleve: “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – Një thirrje e përbashkët për veprim” dhe “Tranzicioni energjetik në Ballkanin Perëndimor”.
“Në katër ditë sa do të zgjasë Konferenca, udhëheqës të lartë të institucioneve, vendimmarrës, organizata dhe ekspertë nga Kosova dhe jashtë, do të diskutojnë rreth veprimit për klimën, ndikimi i saj, për Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, dhe tema tjera që ndërlidhen më klimën dhe energjinë.
Po ashtu, në kuadër të KSDW 2024, nesër në ora 19:00 në ambientet e Termocentralit “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), hapet ekspozita “A Power Plant” për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Në hapjen e punimeve të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovës morrën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann dhe zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.