RMV, aktakuzë kundër tre personave për shkaktimin e qëllimshëm të zjarrit në tokë pyjore
Pas kryerjes së procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot ka dorëzuar aktakuzë kundër tre personave – babait dhe dy djemve të tij, të cilët akuzohen se kanë kryer vepër penale së bashku – shkaktim i përgjithshëm rreziku nga neni 288 paragrafi 1 i Kodit Penal. Për […]
Pas kryerjes së procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot ka dorëzuar aktakuzë kundër tre personave – babait dhe dy djemve të tij, të cilët akuzohen se kanë kryer vepër penale së bashku – shkaktim i përgjithshëm rreziku nga neni 288 paragrafi 1 i Kodit Penal. Për të tre, është bërë propozim për vazhdimin e masës së paracaktuar të paraburgimit, transmeton Portalb.mk.
“Tre bashkëautorët më 9 gusht kanë shkaktuar zjarr në tokë pyjore shtetërore, në lokalitetin e quajtur Dupki, në atarin e fshatit Patishka Rekë, komuna e Sopishtës. Ata derdhën lëng të ndezshëm – vaj motori dhe benzinë - dhe i vunë flakën pyllit me kërcell të ulët dhe barit të thatë, duke shkaktuar një rrezik të përgjithshëm për jetën dhe trupin e njerëzve dhe për pronat e mëdha”, thonë nga Prokuroria.
Të dyshuarit janë pikasur dhe raportuar nga një dëshmitar okular.
Ndryshe, dje, esidentja Gordana Siljanovska Davkova, në pajtim me Ligjin për menaxhim me kriza, ka marrë vendim për pjesëmarrjen e një pjese të Armatës në luftimin e zjarreve, pas vendimit të Qeverisë të datës 13 gusht 2024, për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e shtetit.
Maqedonia e Veriut prej një kohe të gjatë është duke luftuar me zjarre të mëdha pyjore që shkaktojnë dëme të mëdha. Për shkak të zjarrit në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.
Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.