RMV, ende nuk ka asistentë arsimorë në shkollat e mesme, presin miratimin nga deputetët
Fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat e mesme të Maqedonisë së Veriut do të bëhen me asistentë arsimorë kur të përfundojë rishqyrtimi, plotësimi dhe miratimi i Ligjit për Arsimin e Mesëm. Edhe pse ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska paralajmëroi se nga janari i këtij viti procesi arsimor do të mund të zhvillohet […]


Fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat e mesme të Maqedonisë së Veriut do të bëhen me asistentë arsimorë kur të përfundojë rishqyrtimi, plotësimi dhe miratimi i Ligjit për Arsimin e Mesëm. Edhe pse ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska paralajmëroi se nga janari i këtij viti procesi arsimor do të mund të zhvillohet me asistentë arsimorë, procesi vazhdon të mbetet i bllokuar në bankat e Kuvendit, shkruan Portalb.mk.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Eurothink thonë se vërejtjet e partive në Kuvendin e RMV-së për Ligjin për Arsimin e Mesëm bëhen vetëm për të fituar pikë politike, e jo për përgjegjësi sociale dhe dëshirë për përmirësimin e arsimit të mesëm në vend.
“Ligji i ri për Arsimin e Mesëm parasheh angazhimin e asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara, por ai u tërhoq nga procedura parlamentare. Asistentët arsimorë në shkollat e mesme deri më tani janë angazhuar nëpërmjet programeve të shërbimit në komunitet të mbështetura nga UNDP. Pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili është tërhequr për finalizimin dhe ndryshimin e tij, shteti do të mundësojë asistencë arsimore të detyrueshme dhe falas edhe në shkollat e mesme”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Sipas Qendrës Burimore për Prindërit e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ofron asistentë arsimorë për shkak se nuk kanë të dhëna se sa fëmijë kanë nevojë për to, por edhe për shkak të numrit të madh të mangësive që kanë të bëjnë me procesin inkluziv. Ata thonë se nxënësit që kanë punuar sipas një Plani Arsimor Individual në shkollën e mesme regjistrohen njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë. Dhe pikërisht këtu, siç thonë ata, për ta parandaluar diskriminimin, bëhet diskriminimi më i madh ndaj nxënësve që kanë nevojë për mbështetje shtesë.
“Numri i vogël i asistentëve, kriteret e përzgjedhjes së tyre, sigurimi i burimeve financiare për asistentët, rregullat pamjaftueshëm të qarta për rolin e asistentit në klasë, rregullat pamjaftueshëm të qarta për rolin e asistentit në raport me prindërit, ekipet pamjaftueshëm gjithëpërfshirëse në çdo shkollë dhe një sërë mangësish të tjera u shfaqën menjëherë me fillimin e procesit të arsimit fillor. Një numër i madh i këtyre mangësive ende janë të pranishme në terren dhe është e rëndësishme të dihet se pavarësisht se sa është numri i tyre, për një familje nënkuptojnë mospërfshirje të fëmijës së tyre”, thonë nga Qendra Burimore.
Nga atje theksojnë se jo çdo fëmijë në vend ka asistentin adekuat arsimor. Sipas tyre nevojiten edhe kritere të tjera që do të tregonin se një personi është i përgatitur për punën e tij.
“Numri i asistentëve adekuat është jashtëzakonisht i vogël. Kjo është një fushë komplekse dhe e gjerë. Fillimisht duhet të përcaktohet se sa asistentë arsimorë nevojiten. Kjo do të thotë se informacioni fillestar duhet të vijë nga fëmijët që e përfundojnë arsimin parashkollor. Pastaj duhet t’i siguroni ato. Konkurset në të cilat kërkohet profile “të këtilla dhe të atilla” nuk kanë gjithmonë përshtatshmëri. Përzgjedhja nuk duhet të jetë një përmbushje formale e kritereve. Krahas profilit, kandidati duhet të jetë i sensibilizuar edhe për të punuar me një fëmijë me aftësi të kufizuar/nevoja të veçanta”, sqarojnë nga Qendra Burimore dhe shtojnë se raporti mes asistentit arsimor dhe prindërve është faktori më kryesor për sukses.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se për momentin numri i asistentëve është 1.018. Sipas tyre, ata janë të trajnuar dhe ofrojnë mbështetje për nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat fillore dhe nëse në të ardhmen ka nevojë për një numër më të madh të asistentëve arsimorë, atëherë do të punësohen edhe më shumë të tjerë.
“Me ndryshimet e reja në Ligjin për Arsimin Fillor, asistenti arsimor i nxënësit, gjegjësisht i nxënësve me aftësi të kufizuara, ofron mbështetje për të gjithë nxënësit e klasës që kanë vështirësi në përvetësimin e materialit mësimor”, shtojnë nga MASH.
Sipas psikologëve dhe defektologëve të cilët i kontaktuam për këtë temë, asistentët arsimorë luajnë një rol kyç në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve.
Defektologia Mihaella Arsovska për Eurothink tha se fëmijët që kanë zhvillim atipik, e që janë në procesin arsimor inkluziv duhet të kenë asistencë arsimore gjatë gjithë procesit arsimor për t’i mbështetur në edukimin e tyre, por edhe për tua lehtësuar procesin e përvetësimit të përmbajtjeve mësimore të dedikuara për fëmijën.
“Sigurisht që prezantimi i asistentëve arsimorë për fëmijët në arsimin inkluziv mund të ketë vetëm ndikim pozitiv në zhvillimin e tyre dhe zotërimin e përmbajtjeve mësimore. Çdo fëmije me asistencë arsimore i rritet vetëbesimi”, thotë Mihaella Arsovska.
Sipas psikologut Nikolla Dukoski, ndjenja e prezencës dhe e sigurisë që do ta ketë një fëmijë me zhvillim atipik me asistentin edukativ, mundëson zhvillimin shtesë të shëndetit mendor.
“Vëmendja është ajo që nxit zhvillimin dhe ndryshimin e duhur. Mësuesi është më pak i ngarkuar dhe fëmija është më i fokusuar. Ai e di se ku është dhe kush e mbron drejtpërdrejt dhe tërthorazi dhe mbi të gjitha ka ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë. Fillimisht me përshtatjen e asistentit në një mjedis jo tipik për një të rritur – në mesin e nxënësve, ndërsa pastaj me lidhjen me fëmijët në klasë, nxënësi me nevoja të veçanta identifikohet dhe pranohet nga fëmijët e tjerë”, thotë Nikolla Dukoski për Eurothink.
Çfarë qëndrimi ka BE-ja për asistentët arsimorë?
Komisioni Evropian përmes Raportit të vjetshëm për progresin e reformave të vendit në rrugën e tij drejt integrimeve evropiane edhe një herë ua rikujtoi autoriteteve në Maqedoninë e Veriut rëndësinë e zbatimit të arsimit inkluziv. Në Raport theksohet se Maqedonia e Veriut ka bërë një përparim të caktuar në arsimin inkluziv përmes prezantimit të asistentëve arsimorë në arsimin fillor.
Duhet të theksohet se kjo çështje bën pjesë në Kapitullin kryesor 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. BE-ja, në kuadër të rekomandimeve për vitin 2025, në pjesën për të drejtat themelore, autoriteteve në RMV ua thekson se duhet të fokusohen në ofrimin e mbështetjes adekuate për kategoritë e cenueshme të fëmijëve, sidomos për fëmijët viktima të dhunës, fëmijët me zhvillim jotipik dhe fëmijët e komunitetit rom. Përndryshe, pikërisht Kapitulli 23 është kapitulli i parë që vendi do të duhet ta hapë gjatë negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa njëkohësisht është edhe kapitulli i fundit që do të mbyllet para anëtarësimit të vendit në BE.
Sipas të dhënave nga Raporti i KE-së, në shkollat fillore janë integruar gjithsej 2.200 nxënës me nevoja të veçanta arsimore, ndërsa në arsimin e mesëm janë regjistruar 314 nxënës, pikërisht përmes përfitimeve të mbështetjes që e japin asistentët arsimorë që i përhapin iniciativat për inkluzivitet.
Edhe krahas rëndësisë së jashtëzakonshme të asistentëve arsimorë, në fillim të këtij viti shkollor kishte një vonesë në nënshkrimin e kontratave për punë për asistentët arsimorë, gjë që pamundësoi ndjekjen e mësimit në ditët e para të shtatorit nga fëmijët me zhvillim atipik.
- LEXO: Janevska paralajmëroi zgjidhje sistematike për angazhimin e asistentëve: Nga janari do të jenë prezent edhe në shkollat e mesme
- LEXO: RMV, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore kërkojnë asistentët e tyre, ministrja ua hedh fajin drejtorëve
- LEXO: Komisioni antidiskriminim: Angazhimi i asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara në RMV është vonuar
- LEXO: Ministrja sqaroi që mbi një mijë asistentë pritet të jenë në shkolla, ndërsa për konkursin i fajësoi shkollat