RMV, do të hapen 10 Qendra të reja shërbimi, ata që nuk dinë të nxjerrin certifikatë nga Kadastra nga kjo javë mund ta bëjnë në këto qendra
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i ftuar në edicionin e djeshëm të magazinës javore Detektor në TV Sitel, foli për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe se sa është e njohur ministria nga qytetarët. Ai tha se në këta 9 muaj ka 100 shërbime të reja dhe 25000 përdorues të rinj portal, qasje më të […]


Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i ftuar në edicionin e djeshëm të magazinës javore Detektor në TV Sitel, foli për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe se sa është e njohur ministria nga qytetarët. Ai tha se në këta 9 muaj ka 100 shërbime të reja dhe 25000 përdorues të rinj portal, qasje më të lehtë në portal për personat me aftësi të kufizuara si dhe 2 Qendra të reja Shërbimi. Në vitin aktual sipas tij janë planifikuar të hapen edhe 10 Qendra të reja shërbimi, transmeton Portalb.mk.
“Krahasuar me vitin e kaluar numri i shërbimeve të përdorura në qendra është rritur, këtë vit planifikojmë të hapim 10 qendra të reja shërbimi për qytetarët, kjo rezulton nga dy aspekte, se infrastruktura digjitale nuk është mjaft e përhapur te qytetarët dhe elementi i dytë është aftësitë digjitale të qytetarëve dhe çfarë është më e lehtë për ta, qoftë në mënyrë të pavarur apo me ndërmjetës”, shtoi Andonovski
Ministri bëri të ditur se nga kjo javë shërbimet e Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme do të jenë të disponueshme në portalin kombëtar të shërbimit.
“Lajmi nga kjo javë është se shërbimet e kadastrës do të jenë të disponueshme në portalin e shërbimit dhe në qendrat e shërbimit, që do të thotë se nëse dikush nuk di të nxjerrë një certifikatë nga kadastra, do të mund ta bëjë atë në njërën nga qendrat e shërbimit”, përfundoi ministri Stefan Andonovski.
Kujtojmë se në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ANdonovski tha një numër i madh i institucioneve janë duke punuar me licenca të skaduara, por edhe se nuk ka dispozita penale në ligjin për sigurinë kibernetike.
“Vërtetë, një fakt interesant është se më shumë se 20 institucione kanë blerë antiviruse ruse. Dhjetëra institucione e kanë rritur apo përmirësuar para kohe mbrojtjen e tyre, ndaj kanë punuar me licenca të skaduara. Një numër i madh institucionesh vendosin të dhënat e qytetarëve në serverë që më vonë nuk u intereson nëse mbrohen mjaftueshëm apo ku ndodhen”, shpjegoi ministri dhe shtoi se në ligjin e ri Ministria e Transformimit Digjital do të kontrollojë procesin.
Ai shtoi se ne jemi vend pa Ligj për sigurinë kibernetike, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës kanë miratuar ligje të tilla 13 vite më parë.
“Ne po bëjmë përpjekje që ta miratojmë ligjin tani, ndoshta deri në qershor. Ai ligj do të jetë udhërrëfyesi ynë se ku duhet të shkojmë në mbrojtjen kibernetike”, theksoi ministri.