RMV, është shpallur tender për blerjen e kompresorëve në Klinikat kirurgjikale
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për media bëri të ditur se tashmë është shpallur tenderi për blerjen e kompresorëve të rinj për klinikat kirurgjikale nga shërbimi i përgjithshëm dhe i punëve të përbashkëta të klinikave, transmeton Portalb.mk. Ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme prioritet është përditësimi i listës […]
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për media bëri të ditur se tashmë është shpallur tenderi për blerjen e kompresorëve të rinj për klinikat kirurgjikale nga shërbimi i përgjithshëm dhe i punëve të përbashkëta të klinikave, transmeton Portalb.mk.
Ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme prioritet është përditësimi i listës pozitive të barnave dhe si risi është zbatimi i një politike kombëtare farmaceutike me fokus të veçantë në cilësinë dhe disponueshmërinë e produkteve farmaceutike.
Ministri Taravari informoi se në procedurë qeveritare janë dorëzuar amendamentet ligjore për shfuqizimin e drejtorëve ekonomikë në klinikat universitare dhe i referohet bashkimit të klinikave në një qendër klinike, me të cilën tendenca është të zvogëlohet numri i drejtorëve dhe anëtarëve të bordeve drejtuese.
“Në periudhën e ardhshme i kushtojmë vëmendje të veçantë rajonalizimit të shërbimeve shëndetësore, motivimit dhe stimulimit të mjekëve nga klinikat për të punuar në spitalet e qyteteve të tjera. Po ashtu po planifikojmë një strategji në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë për të stimuluar mjekët që të regjistrohen në specializimet e mangëta, si pediatri, anesteziologji, radiologji dhe personel tjetër me mangësi”, tha ministri Taravari.
Për momentin ministri tha se po punohet edhe për gjetjen e një zgjidhjeje për digjitalizimin në shëndetësi, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës digjitale.
Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.