RMV-ja mbetet vend pjesërisht i lirë, s’ka progres në renditjen e “Freedom House” për vitin 2024
Maqedonia e Veriut është vend pjesërisht i lirë – ky është vlerësimi që vendi ka marrë për vitin 2024 nga organizata “Freedom House” në raportin e saj të fundit vjetor “Liria në botë” në të cilin, në nivel global, vlerëson qasjen e njerëzve në të drejtat dhe liritë politike dhe civile, transmeton Portalb.mk. Në një […]


Maqedonia e Veriut është vend pjesërisht i lirë – ky është vlerësimi që vendi ka marrë për vitin 2024 nga organizata “Freedom House” në raportin e saj të fundit vjetor “Liria në botë” në të cilin, në nivel global, vlerëson qasjen e njerëzve në të drejtat dhe liritë politike dhe civile, transmeton Portalb.mk.
Në një shkallë nga 0 deri në 100 pikë, në të cilën 0 pikë tregojnë një vend jo të lirë dhe 100 pikë një vend të lirë, Maqedonia në vitin 2024 është shënuar me 67 pikë, njësoj si në renditjen për vitin 2023. Pa asnjë progres, vendi mbetet në pozitën e pjesërisht të lirë, në shoqërinë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga vendet fqinje, Bosnja dhe Hercegovina ka përparuar me një pikë në krahasim me vitin 2023, ndërsa Serbia fqinje ka rënë me një pikë. Me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me ne, nuk ka as përparim e as regres në raport me renditjen e vitit 2023.
Krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor, në nivel evropian, Hungaria, Ukraina dhe Moldavia morën vlerësimin e vendeve pjesërisht të lira në vitin 2024.
Në raportin e publikuar sot, “Freedom House” vëren se vitin e kaluar, liria në nivel global ra për të 19-in vit radhazi dhe u vu re një rritje e autoritarizmit. Një përkeqësim i të drejtave politike dhe lirive civile është vërejtur në 34 vende.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet një regjim hibrid në raportin paraprak të Freedom House “Kombet në tranzit”. Freedom House në atë kategori vendos 11 vende, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim.
“Maqedonia e Veriut ka rënien më të madhe në rajon pas Serbisë. Viti u shënua nga polarizimi bashkëpolitik dhe lufta ndërpartiake në koalicionin qeverisës si dhe me opozitën. Partia kryesore opozitare vazhdoi të luante një rol të theksuar pengues”, tha Alexandra Karpi, një nga dy autorët e raportit.