RMV-ja me reagim pas rezultateve të Regjistrimit në Shqipëri: Nuk pasqyrojnë numrin real të maqedonasve

Ministria e Punës dhe Tregtisë së Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj rezultateve për Regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, nga ku thonë se nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend, transmeton Portalb.mk. Po ashtu, Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër për përdorimin e termit “maqedonas verior” dhe përdorimin e […]

qershor 29, 2024 - 15:00
 0  11
RMV-ja me reagim pas rezultateve të Regjistrimit në Shqipëri: Nuk pasqyrojnë numrin real të maqedonasve
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV), Shqipërisë dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva

Ministria e Punës dhe Tregtisë së Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj rezultateve për Regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, nga ku thonë se nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend, transmeton Portalb.mk.

Po ashtu, Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër për përdorimin e termit “maqedonas verior” dhe përdorimin e emrit të një vendi si zëvendësim për një bashkësi etnike.

“Në mënyrë shtesë, Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër ndaj përdorimit të termit “verior – maqedonasit” dhe përdorimi i emrit të shtetit si emër i shoqërisë etnike. Ministria do të thërrasë ambasadorin Danço Markovsk për konsultime urgjente në drejtim të përkufizimit të mangësive dhe parregullsive në këtë proces, shqyrtimin e mundësive për korrigjim adekuat të lëshimeve të bëra dhe gjetjen e mënyrave më adekuate për veprim të përbashkët dhe avancimin e raporteve bilaterale me Republikën e Shqipërisë”, thanë mes tjerash nga MPTJ-ja.

Premtojnë se do të ndërmarrin hapa konkret për t’i kushtuar vëmendje më të madhe zhvillimit të maqedonasve në Shqipëri, pasi siç thonë, “u lanë anësh nga garnitura politike paraprake” në Maqedoninë e Veriut.

 

“Të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve fqinje duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut e kuptimit të ndërsjellë dhe respektimit të rregullave, parimeve dhe vlerave të përparimit të drejtë ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në reagim.

Kujtojmë se sipas regjistrimit të popullsisë të publikuar nga Institutit të Statistikave të Shqipërisë në Shqipëri jetojnë 2.281 ‘Maqedonas të Veriut’, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 ka pasur 5512 maqedonas.

Shqipëria ka aktualisht 2 milionë e 204 mijë e 113 banorë. Shifra u bë publike nga Instituti i Statistikave dhe krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2011, rezulton që shteti ka 419 mijë e 831 banorë më pak.