Taravari paralajmëroi tender për stacion të ri kompresori në Qendrën Klinike Shkup

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka konfirmuar se në seancën e fundit të Qeverisë është miratuar informacioni se tenderin për stacionin e ri të kompresorit të Qendrës Klinike do ta shpallë Ministria e Shëndetësisë, pasi shpallja e tenderit të parë nga shërbimet e përbashkëta të Qendrës Klinike dështoi. Fillimisht Ministria e Shëndetësisë do të shpallë […]

Korrik 26, 2024 - 19:30
 0  5
Taravari paralajmëroi tender për stacion të ri kompresori në Qendrën Klinike Shkup
Arben Taravari. Foto nga profili i tij në Facebook

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka konfirmuar se në seancën e fundit të Qeverisë është miratuar informacioni se tenderin për stacionin e ri të kompresorit të Qendrës Klinike do ta shpallë Ministria e Shëndetësisë, pasi shpallja e tenderit të parë nga shërbimet e përbashkëta të Qendrës Klinike dështoi. Fillimisht Ministria e Shëndetësisë do të shpallë tender për rikonstruksionin e plotë të stacionit të kompresorit dhe nëse sërish nuk del asnjë kompani për të realizuar projektin, atëherë do të ketë negociata në katër sy. Deri sa zgjidhet avaria me stacionin e kompresorit, do të kërkohet angazhim më i madh nga kirurgët në SPQ “8 Shtatori” dhe Spitalin e vjetër të qytetit, thotë ministri, transmeton Portalb.mk.

“Shpresoj që procedura të nisë sa më shpejt dhe të zgjidhen të gjitha problemet që kemi me sallat e kirurgjisë që kemi trashëguar. Do të ketë një prokurim publik sepse duam ta bëjmë të gjithën në mënyrë sa më transparente dhe me afate sa më të shpejta. Si kusht në tender do të saktësojmë që sipërmarrja të përfundojë brenda tre deri në katër muaj. Deri atëherë do të duhet të funksionojë si më parë, me kompresorë të jashtëm. Kështu do të funksionojmë deri në nëntor ose dhjetor kur do të përfundojë instalimi i ri dhe stacionit të ri të kompresorit”, tha Taravari.

I pyetur nëse vlerëson se ndonjë kompani do të marrë pjesë në tenderin që duhet të shpallë Ministria e Shëndetësisë, ai theksoi se nuk mund të paragjykojë.

“Nuk mund të them me siguri nëse një kompani do të paraqitet apo jo. Duke qenë se ky detyrim duhet të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër, Ministria e Shëndetësisë mori përsipër detyrimin për prokurimin publik. Nëse nuk paraqitet asnjëë operator ekonomik, do të shkojmë në opsionin e kontratës direkte me një kontraktues që mund ta bëjë këtë”, tha Taravari.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë ende rezultatet e analizave të dërguara në Gjermani, për të përcaktuar se cili është saktësisht problemi me stacionin e kompresorit nga i cili varen të gjitha klinikat kirurgjikale. Aty u shfaq një erë e pakëndshme, por askush nuk e zbuloi shkakun dhe Taravari nuk mori një raport me gjetjet.

Autoritetet shëndetësore kanë shpallur Ligjin e ri për Kujdesin Shëndetësor, por ende nuk dihet nëse shërbimet e përbashkëta të Qendrës Klinike do të jenë më vete apo do të mbeten pjesë e Qendrës Klinike. Është e sigurt se do të ketë një riorganizim të Qendrës Klinike, i cili tashmë ka nisur me heqjen e drejtorëve ekonomikë.

Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.

Ndryshe, sot Taravari vizitoi qendër shëndetësore që po ndërtohet në komunën e Ilindenit në të njëjtin vend ku ishte klinika e vjetër. Taravari dhe kryetari i komunës së Ilindenit, Aleksandar Georgievski, paralajmëruan se objekti do të jetë gati deri në fund të vitit 2024 dhe tani është në fazën e ndërtimit. Qendra e re shëndetësore është planifikuar për 600 metra katrorë, në dy kate dhe paralajmërohet se do të ketë 14 ordinanca, me të cilat shpresa është që qytetarët të mos kenë nevojë të bëjnë 20 kilometra për të kërkuar kujdes shëndetësor. Vlera e tenderit për këtë qendër shëndetësore në ndërtim është 16 milionë denarë.