RMV-ja nuk kërkon zgjidhje konkrete me Bullgarinë për në BE-në, por të mos ketë kërkesa të reja dypalëshe

Maqedonia nuk po insiston për një zgjidhje specifike me Bullgarinë, por po kërkon një formë garancie se procesi i pranimit të vendit në BE nuk do të bilateralizohet më tej. Kështu deklaroi sot ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pasi javën e kaluar u dërguan disa mesazhe nga Brukseli në kuadër të mundësisë së zhbllokimit […]

dhjetor 2, 2024 - 20:00
 0  5
RMV-ja nuk kërkon zgjidhje konkrete me Bullgarinë për në BE-në, por të mos ketë kërkesa të reja dypalëshe
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV), Bullgarisë dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva

Maqedonia nuk po insiston për një zgjidhje specifike me Bullgarinë, por po kërkon një formë garancie se procesi i pranimit të vendit në BE nuk do të bilateralizohet më tej. Kështu deklaroi sot ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pasi javën e kaluar u dërguan disa mesazhe nga Brukseli në kuadër të mundësisë së zhbllokimit të procesit me futjen e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar, por edhe se nuk mund të ndryshohet korniza e negociatave, transmeton Portalb.mk.

“Këmbëngulja jonë nuk është për një zgjidhje specifike, por për debilateralizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne”, tha Orhan Murtezani, ministër i Çështjeve Evropiane.

Teknikat dhe formulat e asaj zgjidhjeje, siç thotë Murtezani, do të vendoseshin përmes një procesi negociatash.

“Nëse garancitë do të jenë nga Bullgaria fqinje, nga ndonjë institucion apo do ta bëjmë në mënyrë dypalëshe, apo cila do të jetë forma, nuk është aq e rëndësishme sa esenca. Ne si shtet dhe si qeveri duhet të jemi të sigurt se ky proces do të përfundojë”, tha Murtezani.

Për atë nëse do të pritet më tej formimi i një qeverie politike në Bullgari për të filluar bisedimet apo nëse do t’i kushtohet vëmendje këshillës së Brukselit që qeveria e Maqedonisë të fillojë menjëherë bisedimet me Bullgarinë, pavarësisht krizës politike atje dhe pushtetit ekzekutiv të udhëhequr nga një qeveri teknike, përgjigja e Murtezanit është se për këtë duhet të presim edhe pak.

“Ne e dimë se një qeveri teknike në anën tjetër nuk do të angazhohet as në dialog miqësor, e jo më në zgjidhjen e problemeve më komplekse”, është qëndrimi i Murtezanit.

Kujtojmë se pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media dje përsëriti qëndrimin e saj për Maqedoninë e Veriut, se vendi pret ndryshime në Kushtetutë që të përfshijë Bullgarët – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Kjo, tha Kos, është diçka në të cilën KE po mbështetet.

E pyetur nëse pas miratimit të amendamenteve kushtetuese mund të jepen garanci se vendi nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së, Kos tha se nuk është ajo që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Për mënyrën se si mund të zgjidhet mosmarrëveshja me Bullgarinë, eurokomisionerja thotë se është e nevojshme të bisedohet sa më shumë edhe me Shkupin edhe me Sofjen.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.