RMV, jo këtë muaj siç ishte paralajmëruar, por në janar 2025 pritet të bëhen punësimet në shëndetësi
Më shumë se një mijë punësime të shpallura në shëndetësi kanë kaluar filtrin qeveritar dhe kanë marrë aprovime nga Ministria e Financave, konkurset do të shpallen në janar, njoftoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, i cili sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, transmeton Portalb.mk. “Procedurat në qeveri kanë kaluar, tani u takon drejtorëve. Për […]
Më shumë se një mijë punësime të shpallura në shëndetësi kanë kaluar filtrin qeveritar dhe kanë marrë aprovime nga Ministria e Financave, konkurset do të shpallen në janar, njoftoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, i cili sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, transmeton Portalb.mk.
“Procedurat në qeveri kanë kaluar, tani u takon drejtorëve. Për ata punonjës që kishin kontrata u zgjatën edhe për tre muaj, që të mos largoheshin nga puna. Bëhet fjalë për një shtrirje të madhe prej rreth 1200 personash nga personeli i mesëm mjekësor dhe ata duhet t’u nënshtrohen testimeve. Pres që kjo të përfundojë deri në mes të janarit”, tha Taravari.
Ai theksoi se së shpejti duhet të shpallet lista me 315 specializantë që do të shkojnë në specializime dhe se në mesin e tyre janë 15 studentë të mjekësisë që treguan njohuritë më të mira. Taravari e vlerësoi të fortë dinamikën e punësimit dhe paralajmëroi se do të vazhdojë, duke theksuar se një volum i tillë i punësimit prej mbi 1500 nuk është parë më parë.
“Ne duhet të rishikojmë edhe buxhetet e institucioneve shëndetësore për të parë se ku duhet të investohen, por fokusi do të jetë sërish te burimet njerëzore, sepse nuk kemi nevojë për spitale dhe pajisje të reja pa punëtorë shëndetësorë”, thekson Taravari.
Në pyetjet e gazetarëve për tejkalimin e problemit me murin mbajtës pranë klinikës për fëmijë në Shkup, ministri i Shëndetësisë Taravari u përgjigj se projekti është përgatitur në bashkëpunim me komunën Qendër, me kryetarin e së cilës kanë komunikim të shkëlqyer.
“Fatkeqësisht, nuk kemi komunikim shumë të mirë me kryetaren e qytetit të Shkupit dhe ky është një investim serioz. Ajo rrugë duhet të rindërtohet dhe të bëhet një mur krejtësisht i ri. Në vitin 2024 nuk kishte para për atë projekt dhe shpresoj që në të ardhmen ai problem të tejkalohet dhe të mos jetë pengesë”, tha Taravari.
Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 12 dhjetor tha se deri në fund të vitit do të publikohet shpallje për punësimin e përhershëm të rreth 1.100 personave, personel i mesëm mjekësor në institucionet shëndetësore publike të vendit, të cilët aktualisht punojnë me kontratë. Por tani, kjo datë është zhvendosur për në janar.