RMV, nuk është përgatitur ende Plan i veprimit për avancimin e të drejtave të pakicave, i kërkuar nga BE
Në letrën e dërguar nga kryesimi spanjoll me Këshillin e BE-së kërkohet përgatitja Udhërrëfyesin për Sundimin e së drejtës me Planin e Veprimit shoqërues për avancimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave/komuniteteve. Ky udhërrëfyes tashmë është përgatitur, por jo edhe Plani i veprimit, shkruan Portalb.mk. Redaksia e Portalb-it pyeti në Sekretariatin për […]
Në letrën e dërguar nga kryesimi spanjoll me Këshillin e BE-së kërkohet përgatitja Udhërrëfyesin për Sundimin e së drejtës me Planin e Veprimit shoqërues për avancimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave/komuniteteve. Ky udhërrëfyes tashmë është përgatitur, por jo edhe Plani i veprimit, shkruan Portalb.mk.
Redaksia e Portalb-it pyeti në Sekretariatin për Çështje Evropian se a është përgatitur Plani në fjalë ose kur pritet të jetë gati. Si dhe, nëse është përgatitur a mund të kemi qasje në të njëjtin. Por përgjigjja që morëm ishte vetëm se kompetencë e cilit institucion është ky Plan.
“Përgatitja e Planit Aksional është nën kompetencat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe institucionet tjera kompetente”, thuhet në përgjigjen e SÇE-së.
Në një pyetje të dytë drejtuar sekretares Shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe Zëvendëse e kryenegociatorit me BE-në, Drita Abdiu-Halili, ajo sqaroi se ende nuk janë miratuar të gjitha dokumentet dhe as Plani në fjalë.
“Ende krejt dokumentet nuk janë miratuar. Tani nisi edhe procesi i Rritjes- Growth Plan dhe i gjithë komisioni u fokusua në Agjendën Reformuese që dorëzuam javën e kaluar. Plani është pjesë përcjellëse e këtyre. Të gjithë janë dorëzuar në Bruksel dhe tani presim komente nga atje”, tha Halili.
Sa i përket se kur pritet të jetë gati Udhërrëfyesi i tretë për funksionimin e institucioneve demokratike, nga SÇE thanë se ky Udhërrëfyes është në fazë të avancuar, por nuk treguan se kur do të jetë gati.
“Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht për hapjen e Klasterit Vlerat Vlerat Fundamentale, por është detyrim që del nga Korniza negociuese. I njëjti përmban masa për përforcimin e menaxhimit demokratik në të gjitha nivelet, edhe atë në lidhje me punën e Kuvendit, procesin zgjedhor dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset demokratike. Përgatitja e këtij Udhërrëfyesi është në fazë të avancuar, edhe pasi të finalizohet, do të pasojnë konsulta me sektorin civil dhe komunitetin akademik, përpara se i njëjti të dorëzohet formalisht në KE”, thuhet në përgjigjen e SÇE-së.
Nga ky institucion thanë se pritet që këto dokumente të përgatiten në proces transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Poashtu dua të theksoj se përveç udhërrëfyesve dhe planit aksional Maqedonia e Veriut siç më tani e dini në kornizën negociuese me BE-në si kusht për hapjen e Klasterit të parë dhe kapitujve ka miratimin e ndryshimeve kushtetuese. ua të theksoj se ndryshimet kushtetuese paraqesin detyrim të cilin ne si shtet e kemi marrë përsipër përpara shteteve anëtare, për të vazhduar më tej në procesin e anëtarësimit në BE. Pra korniza negociuese pjese e së cilës janë ndryshimet kushtetuese janë kontrata jonë me Bashkimin Evropian, kurse mosmiratimi i tyre nënkupton izolim dhe stagnim të vendit në rrugën euro-integruese”, thuhet në përgjigjen e SÇE-së.
Kujtojmë se Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, i cili përfshin reformat në Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Udhërrëfyesi për Reformat në administratën publike, i cili fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale janë përgatitur dhe më 28 dhjetor 2023 i janë dërguar Këshillit të BE-së. V
Me Metodologjinë e re për negociatat aderuese nga marsi 2020 dhe siç përcaktohet me Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, të cilën e miratoi Këshilli i BE-së në korrik të vitit 2022, parashihen të përmbushen dy kushte për hapjen e Klasterit 1: Vlerat themelore dhe atë përgatitja e Udhërrëfyesit për Sundimin e së drejtës dhe Udhërrëfyesi për Reforma në administratën publike, ndërkaq Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht, por është detyrim që do të duhet ta përmbushim.
Sidoqoftë, përveç Udhërrëfyesve, kusht për hapjen e Klasterit 1 janë edhe ndryshimet kushtetuese, që tani kanë mbetur pezull, vështirë se mund të ndodhin nëse nuk ndryshojnë qëndrimet e VMR-së, e cila pritet të hyjë në pushtet.
Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.