RMV, organizatat civile janë faktor kyç dhe partnerë për ndryshime në luftën kundër korrupsionit

Ekipi i programit “Qytetarët kundër korrupsionit” sot zyrtarisht i prezantoi organizatat e reja të shoqërisë civile nga skema e granteve për Përfshirje qytetare në eventin me titull – “Partneritet për Ndryshim”. Me një fond të përgjithshëm prej rreth 40 milionë denarë, dymbëdhjetë grantistë do të punojnë në projekte që kanë për qëllim të rrisin transparencën, […]

Nëntor 13, 2024 - 00:00
 0  5
RMV, organizatat civile janë faktor kyç dhe partnerë për ndryshime në luftën kundër korrupsionit
drejtori i zyrës së USAID-it për demokraci dhe qeverisje të mirë në Maqedoninë e Veriut Mark Ellingstad duke folur. Foto nga Portalb.mk

Ekipi i programit “Qytetarët kundër korrupsionit” sot zyrtarisht i prezantoi organizatat e reja të shoqërisë civile nga skema e granteve për Përfshirje qytetare në eventin me titull – “Partneritet për Ndryshim”. Me një fond të përgjithshëm prej rreth 40 milionë denarë, dymbëdhjetë grantistë do të punojnë në projekte që kanë për qëllim të rrisin transparencën, llogaridhënien dhe kulturën e integritetit me një fokus të veçantë tek përfshirja e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit. Aktivitetet e tyre në kuadër të projektit përfshijnë metoda inovative, veprime dhe edukim të qytetarëve për praktikat korruptive në disa fusha të shoqërisë si: ndërtimtari, mjedis jetësor, arsim, shëndetësi, vetëqeverisje lokale, drejtësi, kulturë dhe të tjera, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje u prezantuan edhe të arriturat e pesë grantistëve të Granteve për reagim të shpejtë, që që nga muaji prill i këtij viti kanë implementuar projekte për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për korrupsionin zgjedhor, pjesëmarrjen e të rinjve dhe krijimin e mjeteve për llogaridhënie dhe transparencë më të madhe të institucioneve.

Krahas prezantimeve për arritjet e tyre, përfituesit e grantit i ndanë edhe përvojat e tyre nga puna me qytetarët dhe sfidat me të cilat përballen gjatë luftës kundër korrupsionit.

Për përkushtimin dhe angazhimin e tyre për ndryshim mbështetje shprehu dhe drejtori i zyrës së USAID-it për demokraci dhe qeverisje të mirë në Maqedoninë e Veriut, Mark Ellingstad, i cili theksoi se korrupsioni e minon besimin në shoqëri, e pengon rritjen dhe e shkatërron demokracinë. Ai shtoi se qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile janë të guximshëm dhe janë zëdhënës të problemeve sociale edhe kur gjatë rrugës ka pengesa.

“Asnjë projekt, asnjë program nuk mund ta mposhtë korrupsionin i vetëm. Por, së bashku – qytetarët, institucionet, organizatat e shoqërisë civile, mediat, sektori privat dhe të gjithë aktorët e tjerë mund të krijojmë një mjedis në të cilin nuk do të ketë vend për sjellje korruptive”, tha në adresimin e saj Snezhana Kamillovska Trpovska, koordinatore e programit.

Ngjarja u përmbyll me video promovimin e historisë së suksesit të grupit joformal “Borba za Vllae”, e cila paraqet një shembull se si individët e bashkuar me iniciativa dhe këmbëngulje të guximshme mund të kontribuojnë për ndryshime pozitive në luftën kundër korrupsionit.