Mickoski: Do të dorëzojmë në Kuvend iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor
Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të paraqesin në Kuvend iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Për këtë iniciativë ka njoftuar kryeministri Hristijan Mickoski me një postim në profilin e tij në Facebook. Sipas Mickoskit, drejtësia mund të arrihet me reforma të thella dhe ndryshime serioze, siç thotë ai, në praktikat e deritanishme të keqpërdorimeve […]
Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të paraqesin në Kuvend iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Për këtë iniciativë ka njoftuar kryeministri Hristijan Mickoski me një postim në profilin e tij në Facebook. Sipas Mickoskit, drejtësia mund të arrihet me reforma të thella dhe ndryshime serioze, siç thotë ai, në praktikat e deritanishme të keqpërdorimeve që kanë rrënjosur thellë në sistem, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar që e mban rob dhe peng dhe është arsyeja e rënies dhe zhgënjimit të shumë qytetarëve të saj. Prandaj deputetët e VMRO-DPMNE-së do të paraqesin iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, i cili, sipas bindjes time të thellë, është pjesë e sistemit që mbetet bastioni kryesor i korrupsionit, padrejtësive dhe zhgënjimeve”, shkruan Mickoski.
Për iniciativën që do të paraqitet dhe e cila ka të bëjë me pesë anëtarët që zgjidhen në Kuvend, Mickoski sot në një deklaratë për media tha se nuk mund të bëhet shpërbërja e plotë, por të zgjidhet Këshilli Gjyqësor që do të marrë vendime objektivisht dhe pa kushtëzime partiake.
“Nuk është sekret nëse them se qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor-prokuror. Se është një moçal plot me shumë polemika dhe skandale. Ne nuk mund të bëjmë një shpërbërje të plotë, as të zbulojmë anomalitë në një kohë kaq të shkurtër, por mund të zgjedhim një Këshill Gjyqësor që objektivisht, pa kushtëzime partiake, do të mund ta sqarojë këtë moçal politik dhe të jetë një lloj monitoruesi se si sillen gjyqtarët, çfarë vendimesh marrin dhe pse”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Ai thotë se pavarësisht se do të kalohet interpelanca, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Këshillit Gjyqësor.
“Vlerësojmë që duhet goditur në ballë. Le të mos përpiqemi të improvizojmë, të bëjmë implante. Goditja në ballë nënkupton se gjithçka që është në kompetencat e parlamentit, që është zgjedhja e atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ku zgjidhen, duhet të ketë interpelancë. Është e vërtetë që pavarësisht se do të kalojë interpelanca, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Këshillit Gjyqësor”, shtoi kryeministri.
Pritjet e Mickoskit janë që nëse deputetët votojnë mosbesimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ata të jenë të virtytshëm dhe të tërhiqen.
Ndryshe, shtoi ai, ka mekanizma dhe mjete të tjera.
Kreu i LSDM-së nga ana tjetër, Venko Filipçe thotë se për reforma në drejtësi duhet konsensus, që të mos ndodhë partizim i ri.
“Nevojiten reforma thelbësore në drejtësi dhe këtë e presin qytetarët. Por reforma që do të nënkuptojnë një gjyqësor të pavarur dhe efikas që do të sigurojë drejtësi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia e kërkuar nga qytetarët të kthehet në një partizim dhe pushtim të ri përmes largimit të Këshillit Gjyqësor nga ana e Qeverisë. LSDM kërkon që hapat dhe reformat e ardhshme në gjyqësor të bëhen me konsensus të të gjitha partive në Kuvend. Nevojitet një qasje kombëtare, ndërpartiake që do të sigurojë reforma sipas rekomandimeve evropiane. Për këtë është e nevojshme të krijohet një grup i përbashkët pune në Kuvend që do të përcaktojë, kontrollojë dhe zbatojë bashkërisht reformat në këtë segment të ndjeshëm. Nëse VMRO-DPMNE ka një qëllim të sinqertë, do ta pranojë këtë. Përndryshe, do të thotë se ata kanë qëllime krejtësisht të ndryshme”, thotë Filipçe.
Shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, VMRO-DPMNE në pushtet, e ka paralajmëruar që para zgjedhjeve, ndërsa me retorikë identike ka vazhduar edhe pas formimit të Qeverisë.
Mickoski para një jave tha se nuk pajtohet me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski për çështjen nëse Kuvendi mund t’i tërheqë apo jo anëtarët e këtij organi që zgjidhen nga legjislativi.
Kryetari i ri i Këshillit, Kambovski, thotë se i vetmi vend ku mund të shkarkohet një anëtar i Këshillit është vetë Këshilli dhe për kryeministrin është e palogjikshme që institucioni që i zgjedh ata të mos i tërheqë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka paralajmëruar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga parlamenti dhe emërimin e anëtarëve të rinj në vend të tyre, pasi Raporti për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 nuk u miratua në Kuvend në mes të dhjetorit.
Bëhet fjalë për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe mundësia e fillimit të procedurës, sipas kryeparlamentarit Gashi, është e rregulluar me Rregulloren e Punës dhe do të zhvillohet në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.
Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tre prej të cilëve i zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe me shumicë Badenter, dy anëtarë i propozon presidenti i shtetit, kurse zgjedhjen e bën legjislativi. Njëri nga këta dy kandidatë duhet të jetë pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Tetë anëtarët e tjerë zgjedhin gjyqtarët nga mesi i tyre. Anëtarë të Këshillit sipas detyrës zyrtare janë Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ministri i Drejtësisë, por ata mund të marrin pjesë dhe të diskutojnë vetëm në seanca, por nuk kanë të drejtë vote, përkatësisht të marrin pjesë në vendimmarrje.
Kuvendi, sipas njoftimeve, do të diskutojë për anëtarët që i zgjedh, e nga përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor, ata janë Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovski, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova-Ilievska.