RMV, sot hyn në fuqi masa “Shporta e Vitit të Ri”, nuk do të ketë dënime në rast të rritjes së çmimeve
Sot hyn në fuqi masa “Shporta e Vitit të Ri”, me të cilën deri më 15 janar të vitit të ardhshëm, rreth një mijë produkte që janë pjesë e listës promocionale duhet të shiten me çmime dhjetë përqind më të ulëta. Shporta përfshin disa lloje të produkteve, ndërsa ato në raftet e dyqaneve dhe marketeve […]
Sot hyn në fuqi masa “Shporta e Vitit të Ri”, me të cilën deri më 15 janar të vitit të ardhshëm, rreth një mijë produkte që janë pjesë e listës promocionale duhet të shiten me çmime dhjetë përqind më të ulëta. Shporta përfshin disa lloje të produkteve, ndërsa ato në raftet e dyqaneve dhe marketeve duhet të shënohen me ngjitës dhe logo “Më pak harxhime, më shumë për ju”, njofton Qeveria, transmeton Portalb.mk.
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) njoftoi se do të kryejë kontrolle të rregullta pasi inspektorët monitoruan çmimet ditët e fundit për të konstatuar parregullsi të mundshme. Me këtë masë, Qeveria thotë se pritshmëritë janë që buxheti i brendshëm të mbrohet në kushtet e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, tha se festat e Vitit të Ri qytetarët do t’i kalojnë me kursime më të mëdha në buxhetin e brendshëm dhe se disa produkte si sheqeri, kakaoja, kafeja dhe vaji janë lënë jashtë shportës për të mos shkaktuar dëme të mëdha në kompani.
“Nuk i kemi përfshirë këto produkte në masë sepse nuk donim të dëmtojmë kompanitë që varen nga tregu vendas, por edhe nga çmimet e lëndëve të para në bursat botërore, të cilat aktualisht janë shumë të larta. Por ka edhe kompani përgjegjëse që u kanë dhënë zbritje të caktuara këtyre produkteve të përjashtuara”, tha zëvendësministri.
LSDM-ja opozitare akuzoi sot se masa është manipuluese sepse shitësit tashmë kanë rritur çmimet dhe se qeveria qëllimisht ka lënë hapësirë që kjo të ndodhë. Ata thonë se tani në vend të uljes reale të çmimeve, tregtarët vetëm do t’i kthejnë në nivelin që kanë qenë, që do të thotë se nuk do të ketë ulje reale dhe se qytetarët nuk do të përfitojnë.
“Këto janë çmime të dakorduara për të cilat vetë qeveria thotë se nuk do të ketë penalitete nëse ndonjë nga tregtarët nuk i respekton. Që do të thotë se atyre u lihet hapësira për të vendosur çmimet e tyre në kurriz të qytetarëve. Inflacioni në nëntor arriti në 4,3 përqind, ndërsa kostoja e jetesës, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, është rritur për 3,5 përqind”, thonë nga LSDM.
Ata thonë gjithashtu se ndërkohë që çmimet e produkteve po rriten, standardet po bien dhe se qeveria në vend që të marrë përgjegjësinë dhe ta përballojë krizën në mënyrën e duhur, po merret me manipulime për të mbrojtur tregtarët.
“LSDM kërkon masa urgjente dhe sistematike për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, duke përfshirë heqjen e TVSH-së për ushqimet, e cila realisht do të ulë çmimet në afat të gjatë dhe rritje të pagës minimale. Me uljen e TVSH-së do të lehtësohet barra financiare e familjeve deri në 2000 denarë në muaj ose rreth 24000 denarë në vit”, thonë nga LSDM.
Lidhaj e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se do të kontrollojë çmimet edhe nga shporta e Vitit të Ri, nga ku thanë se vetëm pesë ditë pas hyrjes në fuqi të masës së re, pra më 20 dhjetor, do të bëhet e ditur nëse çmimet janë ulur.
LSM thotë se më 20 janar do të dihet se sa egoistë do të jenë tregtarët dhe sa do t’i rrisin çmimet e produkteve pas përfundimit të masës.
Masën e Shportës së Vitit të Ri, Qeveria e shpalli me 5 dhjetor, pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të Vitit të Ri që do të shiten me aksion me çmime më të ulëta prej 10 e më shumë përqind.