RMV: Të dhëna dëshpëruese për eurointegrimet, vetëm 20 përqind e qytetarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten të ndarë në pikëpamjet e tyre për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Vetëm 20% e qytetarëve mendojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë hapi i ardhshëm i nevojshëm dhe 21% e qytetarëve mendojnë se procesi duhet të ndalet, shkruan Portalb.mk. Pa ndryshime kushtetuese Maqedonia nuk mund […]


Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten të ndarë në pikëpamjet e tyre për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Vetëm 20% e qytetarëve mendojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë hapi i ardhshëm i nevojshëm dhe 21% e qytetarëve mendojnë se procesi duhet të ndalet, shkruan Portalb.mk. Pa ndryshime kushtetuese Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Në Analizën e fundit të opinionit publik të realizuar nga Instituti për Demokraci, Societas Civilis – Shkup, “Eurointegrimet në vitin 2014: Nga ëndrra europiane deri te realiteti në Maqedoninë e Veriut”, Bashkimi Europiane mbetet partneri (33%) dhe donatori ekonomik (40%) më i dëshiruar i vendit, i ndjekur nga SHBA, 22%, për partner ekonomik dhe 17% për donator.
“Ka rënie të optimizmit për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë deri në vitin 2030 (nga 50% në 2023 në 33% në 2024). Të anketuarit shqiptarë janë më të orientuar drejt Perëndimit (62%), ndërsa të anketuarit maqedonas janë më të ndarë (33% për Perëndimin, 46% neutral). Qytetarët e shohin integrimin evropian si prioritetin më të rëndësishëm të politikës së jashtme (35%), të ndjekur nga bashkëpunimi rajonal (26%). SHBA-ja ende shihet si faktori me ndikimin më të madh në vend (41%), por ndikimi i saj është në rënie krahasuar me vitin 2023 (60%). Në të njëjtën kohë, ndikimi i BE-së rritet ndjeshëm (nga 19% në 2023 në 37% në 2024). BE-ja mbetet aleati më i rëndësishëm (39%), i ndjekur nga SHBA (19%). Të rinjtë (18-24 vjeç) këtë vit tregojnë hapje ndaj Kinës (19%), ndërsa të anketuarit mbi 65 vjeç (65+) shprehin mbështetje për Rusinë (15%)”, thuhet në analizën e Institutit.
“BE-ja është partneri, donatori dhe aleati më i madh i RMM-së. Perceptimi i qytetarëve se BE-ja ka ndikimin më të madh si faktor i jashtëm po rritet. Për sa i përket procesit të integrimit europian, 20% e të anketuarve janë pro ndryshimeve kushtetuese, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes status quo-së, tërheqjes nga procesi dhe ndryshimit të kornizës kushtetuese”, tha Anamarija Velinkovska, hulumtuese në Institutin për Demokraci- Societas Civilis.
Qytetarët, siç tha hulumtuesja, nuk e perceptojnë procesin e eurointegrimeve si plotësues të kushteve të fqinjëve tanë, por e shohin atë si një vlerë reformuese dhe demokratike.
“Ata e shohin procesin më shumë si harmonizim me standardet dhe ligjet e BE-së. Kur pyeten për prioritetet e politikës së jashtme, ata ende e vendosin integrimin në BE si prioritetin e tyre numër një”, deklaroi Velinovska.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas në fjalën e tij tha se sondazhi tregon se duhet të shikojmë në detaje gjetjet e analizës dhe të shohim se ku mund të bëhen përmirësime. Ai tha se mesazhi kryesor i ambasadorëve për qytetarët duhet të jetë siguria se zgjerimi do të ndodhë dhe se është me vlerë të prekshme.
“Nga njëra anë duhet të ndihmojmë duke u fokusuar në përshpejtimin dhe zbatimin sa më të shpejtë të reformave të nevojshme, në mënyrë që vetë qytetarët të shohin në kohë reale përfitimet nga vetë reformat dhe nga ana tjetër politikisht duhet të përballemi me sfidat më të mëdha që po ndodhin në Europë”, nënvizoi Rokas.
Ndryshe, për deputetin e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, është i justifikuar zhgënjimi real i Maqedonisë së Veriut në raport me BE-në.
“Kishim ndryshime kushtetuese për emrin, kur vendet e BE-së premtuan se Maqedonia do t’i hapte dyert e saj për në BE, kurse një vit më pas erdhi bllokada nga Franca, e vitin tjetër edhe një bllokadë nga Bullgaria. Ne besojmë se përvojat e tilla të këqija janë argumente të forta se Maqedonia me të drejtë duhet të kërkojë njëfarë sigurie për rrugën drejt BE-së, sepse shohim se BE-ja nuk flet me një zë, nuk ka vizion serioz për Ballkanin Perëndimor dhe kohëzgjatjen e anëtarësimit dhe zgjerimit”, tha Milloshoski.
Kujtojmë se, kushti i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së mbeten ndryshimet kushtetuese, ku duhet të përfshihen të gjithë etnitë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, ky kusht, ka hasur në rezistencë nga pushteti aktual i Maqedonisë së Veriut. I pari i ekzekutivit, kryeministri Hristijan Mickoski në secilën paraqitje është kategorik se është i panevojshëm bilateralizimi i çështjes së RMV-së, në rrugëtimin drejt BE-së.
- LEXO: “Euractiv”: Sofja porositi Shkupin të qëndrojë në angazhimin e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese
- LEXO: Mickoski: Përfshirja e disa qindra qytetarëve në Kushtetutë nuk është problem, problemet vijnë më pas
- LEXO: Marta Kos: Do të bëj gjithçka që mundem që çështjet dypalëshe të mos mbeten pengesë e vazhdueshme për në BE
- LEXO: Përplasje të reja në relacionin Shkup – Sofje, derisa BE-ja pret ndryshimet kushtetuese