LSDM propozoi ndryshime ligjore për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe heqjen e taksës së ushqimit

Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni kanë dorëzuar sot në Kuvend projektligj për ndryshimin e Ligjit për TVSH-në, me të cilin parashihet heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, gjegjësisht uljen e saj nga 5% në 0%, si dhe uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5%, transmeton Portalb.mk. Siç thonë nga LSDM, […]

shkurt 17, 2025 - 18:00
 0  5
LSDM propozoi ndryshime ligjore për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe heqjen e taksës së ushqimit
Fatmir Bytyqi. Foto: LSDM

Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni kanë dorëzuar sot në Kuvend projektligj për ndryshimin e Ligjit për TVSH-në, me të cilin parashihet heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, gjegjësisht uljen e saj nga 5% në 0%, si dhe uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5%, transmeton Portalb.mk.

Siç thonë nga LSDM, këto ndryshime ligjore do të kontribuojnë në një ulje reale të çmimeve të ushqimeve.

“Heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazike do të sjellë ushqime më të lira, gjegjësisht ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë për 5%, tha deputeti Fatmir Bytyqi.

Ai theksoi se statistikat vazhdimisht shënojnë rritje të kostos së jetesës, dhe Qeveria ka treguar mosinteresim total për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

“Indeksi i çmimeve të jetesës në janar 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shënoi rritje prej 4.9%, ndërsa indeksi i çmimeve të shitjes me pakicë u rrit me 5.2%. Çmimet e produkteve ushqimore bazë po rriten jashtë kontrollit, ndërsa buxhetet familjare janë nën presion të vazhdueshëm, atë që Qeveria refuzon me kokëfortësi, LSDM-ja dhe koalicioni po ndërmarrin hapa konkretë për ta realizuar”, tha Bytyqi.

Nga ana tjetër, Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë propozimet e tyre për masa efektive për ulje të çmimeve të disa grupeve të produkteve.

Më 11 shkurt Qeveria vendosi të kufizojë marzhat në tregtinë me pakicë për 10 përqind dhe me të njëjtën përqindje në tregtinë me shumicë. Kufizimi i marzhës do të zgjasë deri më 30 prill. Do të përfshihen produktet ushqimore bazë, detergjentet dhe ushqimi për fëmijë.

Kujtojmë se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin janar ishte 63.252 denarë. Për ushqime dhe pije në shportën minimale sindikale vlera për janar është 23.198 denarë, ndërsa në janar 2024 ka qenë 21.007 denarë.

Në RMV çmimet e produkteve bazë janë në rritje e sipër. Nga Lidhja e Sindikatave në RMV e kanë porositur qeverinë se duhet të ndikojë te tregtarët që të ulin çmimet në vend

Për shkak të çmimeve të larta qytetarët kanë bojkotuar marketet, ngjashëm si vendet në rajon.